Prof. Dr. Nebi Dervishi: Vështrim rreth librit, “Uragani i UÇK-së-dëshmorit të kombit Feriz Guri”

Zonja e zotërinj,

I nderuari Rektor i USHT-së Prof. Dr. Vullnet Ahmeti

 

Të nderuar familjarë

I nderuari autor i monografisë “Uragani i UÇK-së – Dëshmorit të Kombit, Feriz Guri” – Prof. Dr. Nusret Pllana dhe redaktor Prof. Dr. Emin Kabashi.

 

Të nderuar kolegë, prorektorë, dekanë dhe studentë të USHT-së.

 

Sot, para jush kam nderin, privilegjin dhe kënaqësinë e veçantë të referoi dhe njëherit të promovojmë së bashku monografinë “Uragani i UÇK-së – Dëshmorit të Kombit, Feriz Guri”, të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana, të cilën e botoi “Radio Kosova e Lirë”, në Prishtinë në vitin 2014.

 

Promovimi i Librit këtu në ambientet e USHT-së nuk është pa domethënie, sepse Universiteti ynë ndër vite, e sidomos këto 3-4 vitet e fundit ka qenë dhe është gjithnjë i interesuar dhe i gatshëm që në çdo moment të mbështesë, të inkurajoj e të ndihmojë forcat shkencore në tërë hapsirën shqiptare, të bindur e të palëkundër se vetëm kështu, me forcat dhe angazhimin tonë të përbashkët mund të rrugëtojë përpara shkenca historiografike shqiptare.

 

Libri i Prof. Dr. Nusret Pllanës – Feriz Guri – Uragani i UÇK-së e redaktuar nga prof. dr. Emin Kabashi – këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë, miku i im i vjetër që nga vitet e studimeve, që arrin në duart e lexuesve brenda dhe jashtë kufijve kombëtar është për t’u admiruar dhe përshëndetur. Vepra më e re e autorit tanimë të njohur edhe nga opinoni lexues evropian e më gjërë prof. dr. Nusret Pllana “Uragani i UÇK-së – kushtuar – Dëshmorit të Kombit, Feriz Guri” – nga Kaçaniku, është një e arritur tjetër e këtij autori në ndriçimin e luftës si veprim historik si dhe e jetës së Luftëtarit të Lirisë, që ia kushton jetën lirisë së atdheut. Ai lind më 2 korrik 1970 në fshatin Nikë të Kaçanikut në një familje me tradita arsimdashëse. Qëllimi kryesor i bacës Faik, babait të dëshmorit ishte që fëmijët t’i rrisë në frymën kombëtare dhe kudo që shkojnë të jenë krenarë se janë shqiptarë. Qëllimi tjetër e kishte shkollimin e tyre, obligim të cilin e realizoi. Baca Faik përveç se merrej me punimin e tokës, pra me bujqësi, shumë vjet kishte punuar në kurbet, që të krijonte mundësi për shollimin e fëmijëve. Pesë djemtë dhe një vazjë marrin shkollim universitar. Inxhinjerë të diplomuar të Elektronikës bëhen tre djemtë: Habibi, Ferizi dhe Kjaniu; Hajrizi – inxhinjer i diplomuar i Maqinerisë; motra Hajrija – ekonomiste e diplomuar, kurse Zijadini – inxhinjer i diplomuar i ndërtimtarisë.

 

Ndërkaq, Murteza Naziraj, një njohës i shkëlqyer i dëshmorit në ditarin e luftës “si e pash luftën ndër të tjera shtoi: “… Unë, vetëm pasi e njoha në luftë, dëgjova se ky djalosh kishte qenë jo vetëm një nxënës dhe student shembullor, por edhe veprimtar i dalluar për çështjen e kombit dhe atdheut. Në veçanti ai, si nxënës i gjimnazit “Skenderbeu” në Kaçanik, ishte të thuash në ballë të demonstratës, shumë të zëshme të 5 majit 1981, e cila bëri bujë, jo vetëm në Kaçanik, por edhe në tërë Kosovën e më gjërë. Demostratat për “Kosovën Republikë” – Feriz Guri – komandant Shpata (emër konspirativ) edhe pjesëtar i Luftës Çlirimtare të Kosovës, fillimisht në Jezercin trim të Komunës së Ferizajt, në kuadër të Brigadës 161 “Ahmet Kaqiku (e cila e dërgon edhe në Shqipëri për armatim dhe ushtrime ushtarake), pastaj vjen edhe në Brigadën 162 “Agim Bajrami” në Kaçanikun e tij “Shkëmb e gurë” ku edhe bie dëshmor, bashkë me Xhevdet F. Gurin, më 22 prill 1999, në kufi me Maqedoninë.

 

Vepra e prof. dr. Nusret Pllanës është shtruar në katër kapituj, thuajse të barabartë për nga pasha, e materialit që e trajton dhe e shqyrton në brendi. Paraprihet nga një hyrje dhe përmbyllet me një përfundim, e shoqëruar me një përmbledhje të thukët në gjuhën angleze. Kjo, me dy tri fjalë do të ishte strukturuar teknika e ndërtimit të veprës së tij, “Uragani i UÇK-së thotë redaktori shkencor e gjuhësor Prof. dr. Emin Kabashi dhe vazhdon: “Mirëpo, kjo është, thënë kushtimisht vetëm ana e jashtme e veprës së tij. Ai ka qëmtuar me durim dhe me kujdes çdo gjë interesante nga jeta e dëshmorit, nga jeta e familjes së dëshmorit, nga jeta ushtarake e  tij dhe e shokëve të tij. Pranda, mund të thuhet se është një trajtim i veçantë i rrethanave historike, në të cilat kanë jetuar shqiptarët deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Po ashtu, është një trajtim i veçantë i rrjedhave të luftës për liri të UÇK-së, dhënë kryesisht përmes veprimeve dhe angazhimeve luftarake të Dëshmorit të Kombit, Feriz Guri, deri në momentin e rënjes së tij në altarin e lirisë, më 22 prill 1999.

 

Vepra e prof. Dr. Nusret Pllanës ka rreth 320 faqe dhe ka këtë strukturë:

 

Në fillim të punimit (faqe 3-10) është vendosur fjala e Redaktorit Prof. Dr. Emin Kabashit – këshilltarit shkencor dhe më pas (f. 11 –  17) autori ka vendosur një hyrje të thukët që ia dedikon rolit historik që do të luaj në ngjarjet historike Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kudo ku kishte ushtarë të lirisë dhe kudo ku dëgjohej pushka e tyre, ishin pjesë e veprimeve të luftëtarit të lirisë, Ing.i diplomuar i elektroteknikës, Feriz Guri.

 

Në këtë mënyrë, ai radhitet në mesin e atyre shqiptarëve që i tha ndal dhunës, shfrytëzimit, pushtimit, robërisë dhe padrejtësive historike. Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, rënja në altarin e lirisë e Dëshmorit të Kombit, Feriz Guri, është pjesë e kujtesës sonë kombëtare, sepse përveç të tjerash, ka hequr nga jeta jonë psikologjinë e robit. Me rënjen e tij për lirinë tonë dhe të shqiptarëve kudo që janë, shkruan autori, Dëshmori i Kombit Feriz Guri bëhet pjesë e përjetësisë të jetës sonë, si shenjë për të dashur lirinë e atdheut”.

 

Pa u ndalur në përmbajtjen thelbësore të librit “Uragani i UÇK-së – Dëshmorit të Kombit, Feriz Guri” të prof. Nusret Pllanës, e cila përbën një tërësi në formë narrative, do të evidentojë vetëm kapitujt e librit, sepse nuk dëshiroj të zvogëloj kurreshtejn e lexuesve serioz që do t’a lexojnë punimin.

 

Në kapitullin e pare: (faqe 19-76), të titulluar: Lufta shekullore e robërisë dhe e lirisë”, autori bënë fjalë: Jetën historike të shqiptarëve e gjeografia e ndarë; Atdheu i dëshmorit dhe historia; Ruajtja e bërthamës kombëtare nëpër kohë; Edukimi atdhetar dhe robëria si, dhe Historia e përgjysmuar dhe kujtesa kombëtare.

 

Në kapitullin e dytë: “Lufta kundër okupatorit të atdheut” (faqe 77-124), autori trajton: Rrugën jetësore të dëshmorit dhe historinë e atdheut”; Vetëm sakrifica i bënë nderë lirisë; Ngjarjet historike dhe robëria shekullore; Gjeografia e atdheut dhe vendlindja si, dhe Ideali i lirisë nën peshën e përgjumjes kombëtare.

 

Në kapitullin e tretë: “Historia dhe përmasa kombëtare e luftës” (125-176), autori trajton: Atdheu i familjes dhe atdheu i dëshmorit; Shenjat e luftës së UÇK-së bëhen kujtesë historike; Vetëdija qytetare e kombëtare në Luftën e UÇK-së; Faktet e jetës historike dhe Lufta çlirimtare e UÇK-së; si dhe e ardhmja e çështjes shqiptare dhe Lufta e UÇK-së.

 

Në kapitullin e katërt- të fundit:(177-230)  “Lufta për Liri dhe Atdheu”, autori ndalet në: Akti i rënies për Liri dhe kujtesa kombëtare; Jeta historike e dëshmorit dhe liria; E ardhmja si peng i kujtesës së gjeografisë si dhe Ideali i njësisë kombëtare dhe rënia e dëshmorëve.

 

Pos përfundimi (f.231-235), pjesë e monografisë janë: një rezime në gjuhën angleze (237-241); Shenja kujtese e krenarie (biografitë e dëshmorëve të familjes Guri (Feriz Guri, Xhevdet Guri, Sadik Guri e Qemal Guri, të hartuar nga Kolonel Hajrush Kurtaj), etj.

 

Edhe pse në qendër të studimit është vendosur personazhi i “Uraganit të UÇK-së – Dëshmorit të Kombit Feriz Guri”, përreth tij gëlojnë, si të gjallë, gati të gjithë bashkëkohësit, të gjithë ata luftëtarë të mëdhenj në ato vite, ku këta nuk kanë qenë spektator të atij teatri politik e ushtarak, por kanë qenë aktorë më me zë dhe më me influencë, pikërisht ata që u kanë vënë vulën historike atyre ditëve e viteve, po edhe ngjarjeve të mëdha që u zhvilluan në trevat lindore shqiptare.

 

Serioziteti që e përcjell shtjellimin e veprës nga fillimi gjer në fund, mund të dallohet lehtësisht edhe nga ajo mori referencash dhe dokumentesh arkivore që i ka përdorur autori, në radhë të parë nga dosjet arkivore, si dhe libra, revista e gazeta të autorëve të atyre viteve, të cilat i ka lidhur aq mirë me interpretimin e analizën e vet dhe me njohjen që ka ai për personat dhe ngjarjet e caktuara.

 

Kur e lexon monografinë “Uragani i UÇK-së të prof. dr. Nusret Pllanës, bindesh se librit i ka kushtuar rëndësi maksimale, me katër kapituj me pesë nën- ndarje simetrike, dhe se për realizimin e tij me përkushtim, i ka shfrytëzuar të gjitha dijet e veta, si studjues me përvojë shumëvjeçare, sepse tanimë ai është një krijues i mirëfilltë dhe kompetent në këtë fushë.

 

Stili i shtruarjes analitike dhe mjetet gjuhësore të përdorura me mjeshtri nga autori janë të lakmueshme dhe dëshmojnë se prof. Nusreti e zotëron për lakmi artin e të shkruarit dhe të interpretimit. Subjekti është shtjelluar në mënyrë të qartë, rrjedhshëm dhe kuptueshëm. Gjuha e përdorur është e përshtatshme për shumë kategori lexuesish dhe libri në përgjithësi është i pëlqyeshëm, i kapshëm, tërheqës dhe i nevojshëm, që i ka munguar historiografisë shqiptare, këndej dhe andej kufirit shqiptaro-shqiptarë.

 

Nisur nga sa u tha më sipër, po e përmbyll fjalën me konstatimin se, “Monografia “Uragani i UÇK-së” e prof. dr. Nusret Pllanës është komponuar jo vetëm me realizëm objektiv historik por edhe me mjeshtri krijuese i bazuar vetëm në dëshmi e fakte, e jo në trillime. Si i tillë, ky libër ka vlera të pakontestueshme historike, sepse autori  ka qëmtuar me durim dhe me kujdes çdo gjë interesante nga jeta e dëshmorit, nga jeta ushtarake e tij, e shokëve të tij, dhe nga Lufta e UÇK-së në ato vite (1998-999).

 

Autori është për t’u përshëndetur e për t’u përgëzuar për pasionin e për durimin me të cilin ka punuar, për të nxjerrë të dhëna me interes mbi ngjarjet që i kanë përjetuar shqiptarët e Kosovës, e në këtë kuadër edhe të kryepersonazhit “Feriz Gurit – Uragani i UÇK-së”, i cili bie dëshmorë në altarin e lirisë, më 22 prill 1999.

 

Është kjo një dëshirë por edhe një obligim kombëtar që kemi ne historianët për të studjuar fenomenet, ngjarjet dhe figurat historike e kombëtare, për t’i dhënë publikut një histori sa më objektive, të mbështetur në fakte e argumente të pakontestueshme, e jo me mite e me shtrembërime, siç bëjnë të tjerët. Në këtë mënyrë mbrojmë e zhvillojmë historinë dhe traditën kombëtare, ushqejmë gjeneratat e reja me vlerat e tyre, dhe kështu sigurojmë mbijetesën, qëndresën dhe prosperitetin e pandalshëm.

 

Në fund, edhe një herë më lejoni të përgëzojmë autorin prof. dr. Nusret Pllana për botimin e monografisë “Uragani i UÇK-së- Feriz Guri”, e dobishme, interesante e komplekse si dhe i urojmë shëndet dhe suksese në botime të tjera të vlefshme në një të ardhme sa më të afërt.

 

23. 3.2015

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …