Prof.dr. Eshref Ymeri: Mos u mërzit, miku im Albert Zholi

Në faqen e internetit “KosovariMedia” të datës 20 mars 2015, lexova një shkrim të shkurtër të gazetarit dhe të publicistit të mirënjohur Albert Zholi, me titull: “E ç’i duhet shqipja?!”. Në këtë shkrim ai risjell në kujtesë një ngjarje të vitit 1999, kur ndodhej emigrant në Athinë. Një ditë të diel ai kishte shkuar të vizitonte kopshtin zoologjik të qytetit, ku, rastësisht, pati takuar një shokun e tij të vjetër, inxhinier Agimin, i cili ia zgjati dorën me përtesë, ndërkohë që me dorën tjetër po mbante një fëmijë 6-7 vjeç. Për të shpëtuar nga sikleti, në të cilin e vuri inxhinier Agimi me indiferencën e tij të pabesueshme, Alberti iu drejtua fëmijës me një ton të ëmbël se si e quanin. Por, çuditërisht, fëmija hapi sytë dhe vështroi të atin. Nga biseda që vazhdoi më pas me inxhinier Agimin, doli se fëmija i tij nuk kuptonte shqip absolutisht asnjë fjalë. Domosdo që Alberti u habit. Por inxhinier Agimi e sqaroi:

“ – E, ç’i duhet shqipja?!… Apo t’i thonë shokët “alvanos”. Eh, Berti i dashur, kanë ndryshuar kohët… Fëmijët duhet t’i përshtaten sa më mirë ambientit ku jetojnë… Pastaj nocioni Atdhe apo Komb ka ndryshuar. I kanë humbur vlerat fillestare, arkaike”.

Sikur ky inxhinier Agimi,këto fjalë t’ia thoshte ndonjë anglezi, ndonjë francezi, ndonjë gjermani, ndonjë zvicerani, ndonjë rusi, ndonjë maqedonasi, ndonjë serbi, pa le pastaj po t’ia thoshte ndonjë greku, a e përfytyron dot ai se çfarë përgjigjeje do të merrte? Por më e çuditshmja është se ky shoku i Albertit, njëherë e një kohë, kur punonte inxhinier ndërtimi në Shqipëri, ishte tjetër njeri. Prandaj Alberti kujton:

“Më kishte rënë rasti ta dëgjoja në zbore ushtarake, kur fliste për Luftën Nacionalçlirimtare, për mbrojtjen e atdheut e patriotizmin…Nga më të dalluarit e komisarëve ishte…që bënte be për gjuhën shqipe e për Atdheun, pastaj për kokën e nënës së tij…”.

Ky shkrim i gazetarit dhe i publicistit sa të talentuar, aq edhe atdhetar, i mikut tim Albert Zholi, më solli menjëherë në kujtesë një këngë të bukur të këngëtares Artiola Toska, të kësaj ikone të këngës popullore shqiptare, të cilën e ekzekuton së bashku me një tjetër këngëtare-ikonë, Ponin. Ajo vetë ka bërë tekstin dhe kompozimin e kësaj kënge, e cila rrezaton atdhetari të kulluar dhe ngre peshë zemrën e çdo bashkëkombasi që i thotë vetes shqiptar, qoftë në mbarë trojet tona etnike, që nga Tivari, Mitrovica, Presheva, Shkupi, Janina, Arta e Preveza (në qoftë se ka të tillë në këto tri të fundit), qoftë në diasporë dhe në mërgatën e largët. Për repertorin e pasur të këngëve popullore, por sidomos për autorësinë e tekstit dhe për kompozimin e kësaj kënge, mendoj se do të ishte shumë mirë sikur prapavijat e Presidentit të Republikës t’i propozonin Presidentit t’iakordonte artistes së shquar Artiola Toska titullin “Mjeshtër i Madh”.Frymëzimin për këtë këngë të magjishme atdhetarie, artistja Artiola e ka marrë, nëse nuk e kam gabim, nga një vizitë që ka bërë në qytetin e Bursës në Turqi, ku ka shumë shqiptarë dhe madje edhe kryetari i bashkisë është shqiptar.

Këtë këngë e ka orkestruar mjeshtërisht Alban Furtuna dhe videoklipi ka dalë i shkëlqyer. Ja teksti i plotë i saj:

Çdo behar kur vij/Për festa, për gëzime,/Vështirësinë egjej/Në gjuhën e nënës sime./Shqip të foli nëna/Kur erdhe në jetë,/Mos e harro gjuhën/Kudo që të jesh./Një fjalë po ta them,/Amanet nga të parët:/Ta mbashmend për jetë,/Fol shqip se je shqiptar!/Ti ke gjuhëntënde,/ Kurrë mos e harro,/Gjuhën edhe emrin/Kurrë mos i ndrysho!Sa shumë u munduam/Për një amanet:/Mos e harro gjuhën/Kudo që të jesh!/Një fjalë po tathem,/ Amanet nga të parët:/Ta mbash mend për jetë,/Fol shqip se je shqiptar!

Ai inxhinier Agimi me siguri që i përket sërës së atyre shqiptarëve të gjorë, të cilët çirreshin e qanin me të bërtitura kur vdiq Enver Hoxha, paçka se në orën 12 të natës, për qejfin e politikës varfëruese të Enverit, shkonin e zinin radhën para dyqanëve të bulmetit apo të mishit për një shishe qumësht, për ndonjë pako gjalpë, si edhe për ndonjë çikë mish për të ushqyer fëmijët.

Mos u mërzit, miku im Albert, që shoku juaj i dikurshëm, inxhinier Agimi, nuk i ka mësuar fëmijës së vet asnjë fjalë të gjuhës amtare, se në familje flet vetëm greqishten. Sepse, sipas tij, Atdheu, Kombi dhe Gjuha Shqipe tingëlluakan si diçka arkaike! Por në këtë mes, ore Albert i nderuar, nuk ka asgjë për t’u habitur. Sipas një fjale të urtë, thuhet se jeta është luftë. Luftë për të mbijetuar. Në këto përpjekje, herë-herë të ashpra për mbijetesë, vihet në provë karakteri i njeriut, i cili është produkt i edukimit tradicional të çdo familjeje shqiptare. Sigurisht që njerëzit me taban të lëkundur familjar, nuk i përballojnë dot përplasjet me vështirësitë e jetës, prandaj dhe e lëshojnë veten, tjetërsohen, mohojnë të kaluarën, deri edhe Atdheun dhe Gjuhën amtare, si puna e inxhinier Agimit që ju e përmendni në shkrimin tuaj aq domethënës dhe, me heshtjen tuaj, e shpotitni me aq lezet. Njerëzit e tipit të inxhinier Agimit përfaqësojnë njerëzit e dobët të kombit shqiptar dhe s’kemi pse dëshpërohemi se çdo komb ka “të dobëtit” e vet. Por e keqja është se njerëz të tillë të dobët, si puna e inxhinier Agimit, mendojnë se, duke mohuar Atdheun, Kombin e vet dhe Gjuhën Amtare, do të jenë “të parapëlqyer dhe të respektuar”nga grekët! Në të vërtetë, është e kundërta: këta njerëz që mohojnë identitetin e vet kombëtar, shihen dhe trajtohen nën zë me shpërfillje dhe me përbuzje nga grekët. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes lidhet me atdheun amë, me shtet-ziun shqiptar që e përfaqëson Tirana zyrtare, e cila nuk ka dashur dhe nuk do t’ia dijë absolutisht për fatin e emigrantëve tanë në Greqi. Dhe këtyre njerëzve në emigracion, të braktisur tërësisht nga shteti i tyre, s’u mbetet gjë tjetër, veçse të ndjekin gjurmët e arvanitasve, të “arvanitizohen” deri në “greqizim” të plotë dhe mandej të shndërrohen në njerëz edhe më inatçor kundër atdheut të dikurshëm sesa vetë grekët rrënjës.

Unë jam i bindur se shovinizmi grekokaragjoz dhe kisha shoviniste greke kanë qenë dhe mbeten armiq të kombit shqiptar dhe pikësynimi i tyre i përhershëm ka qenë shkombëtarizimi i shqiptarëve, duke nisur fillimisht me arvanitasit, të cilët, tradicionalisht, fill pas krijimit të shtetit grek në fillimet e shekullit XIX, i ndalonin të flisnin gjuhën shqipe, qoftë edhe në mjediset e tyre familjare. Ja se çfarë ka deklaruar Kolë Boçari, profesori australian me prejardhje shqiptare nga radhët e arvanitasve:

“Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, në vitin 1996 bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, në të cilën u shpreh: “Mësova për deklaratën tuaj, z. ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…”” (Citohet sipas: Nuri Dragoj. “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike”.(Shtëpia Botuese “Weso”.Tiranë 2009, f. 326).

Ka shumë të drejtë profesor Boçari, por është halli se kush të na e emanciponte klasën politike të Tiranës që të vetëdijësohej nacionalisht fill pas formimit të shtetit shqiptar dhet’i kërkonte shtetit shovinist grek njohjen e minoritetit shqiptar në Greqi?! Siç e përmend profesor Kolë Boçari. Këtë kërkesë nuk e shtroi kurrë asnjë qeveri shqiptare pas vitit 1920 dhe deri në ditët e sotme.

Kuptohet vetvetiu që edhe ndaj emigrantëve shqiptarë, para të cilëve Athina zyrtare, në fund të dhjetorit 1990 dhe në janar të vitit 1991, kufijtë me Shqipërinë, tërësisht për interesat e veta, për interesat e agallarëve grekë, i shqeu kat e kat, sikur të kishin qenë porta të ndonjë shtëpie publike, ka mbajtur një qëndrim shovinist për shkombëtarizimin e tyre, qoftë përmes ndërrimit të emrave, qoftë përmes ndërrimit të besimit fetar. Heshtja e klasës politike pas vitit 1990 për mbrojtjen e emigrantëve nga rreziku i shkombëtarizimit, ka qenë tragjike. Me këtë heshtje, klasa politike e Tiranës ka zbuluar mercenarizmin dhe servilizmin e vet të pështirë para shovinizmit grek.

Kjo heshtje ka sjellë pasoja të rënda për ne si komb, pasi shumica e emigrantëve tanë në Greqi po shkon drejt asimilimit, ashtu siç u asimiluan arvanitasit. Këtë të vërtetë tragjike e zbulon fare qartë zotëria i nderuar Kristo Zharkalli, në analizën e vet me titull “E vërteta dhe legjenda”, të botuar në faqen e internetit “Fjala e Lirë” të datës 12 prill 2015.

Klasa politike e Tiranës, gjatë këtij çerekshekulli, emigrantët tanë në Greqi i ka braktisur në mëshirën e fatit, nuk ka treguar kurrfarë interesimi që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe, duke mos bërë kurrfarë investimi për t’i pajisur ata me abetare dhe me libra të tjerë përkatës, për çka ka ngritur zërin e tij të fuqishëm atdhetari Abdurahim Ashiku, të cilit prof.dr. Andrea Shundi i ka bërë një homazh të bukur në faqen e internetit te “Fjala e Lirë” të datës 02 prill 2015,me artikullin me titull “Dy ditë veprimtari me Abdurahim Ashikun”.

Siç shihet nga analiza me fakte konkrete që bën zotëria i nderuar Kristo Zharkalli, mund të arrihet në përfundimin se klasa politike e Tiranës, për shkak të mercenarizmit të vet në shërbim të shovinizmit grek, ka qenë dhe është mjaft e interesuar për ta nxitur mpakjen e popullit shqiptar përmes hemorragjisë së emigracionit. Largimet e kohëve të fundit nga disa vise të Shqipërisë, si Kukësi, Vlora, Shkodra, Orikumi etj. dëshmojnë se Tirana zyrtare është duke krijuar kushte rënduese ekonomike, me qëllim pakësimin në vazhdimësi të popullsisë së vendit tonë.

Të gjithë ata emigrantët në Greqi që kanë arritur të mbeten shqiptarë, unë dëshiroj t’i shikoj përmes po asaj optike që i shikoj dhe i vlerësoj edhe zotërinjtë e nderuar, si Abdurahim Ashiku, Danel Canaj, Kristo Zharkalli, Novruz Abilekaj, Sotir Athanasiu, zonjën e respektuar, mësuesen heroinë të gjuhës shqipe për nxënësit shqiptar, Vera Shkurti, e sa e sa të tjerë, të cilët, duke i përballuar me dinjitet hallet e jetës në emigracion, kanë arritur ta ruajnë në zemrën e tyre ndjenjën e shqiptarisë.

Charlotte, Karolina e Veriut

15 prill 2015

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …