leoni

Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Profesoresha dhe intelektualja me integritet të lartë, Ermelinda Meksi në 62 vjetorin e lindjes

Në vitin 2014 Shtëpia Botuese “Toena” botoi ditaret e plota të Akademikut Rexhep Qosja. Tek Ditari Nr.7, fq. 700, më datë 9 janar 1999 ai shkruan: “Takova Pedagogen universitare, Zonjën e fisme, Ermelinda Meksi”. Kishte ardhur për vizitë në Atdheun e saj Nënë, në Shqipëri.

Profesore Ermelinda ishte Ministre e Ekonomisë dhe deputete. Shumica e deputetëve në Parlament ishin njerëz të ditur, të pakorruptuar, të përkushtuar dhe të përgjegjshëm për misionin dhe detyrat e mëdha që kishin mbi supe.

Nën drejtimin e saj, ekonomia shqiptare, e shkatërruar nga revoltat popullore në mars të vitit 1997, u rrit, u fuqizua dhe u integrua në tregun europian dhe botëror. Rritja ekonomike në këto vite ishte mbi 7%, çka nuk kishte ndodhur më parë dhe nuk ndodhi as më vonë. Kjo në sajë të vizionit të saj si eksperte e ekonomisë, e përkushtimit dhe përgjegjësisë së saj për t’i dalë zot detyrës së re e të vështirë, të integritetit të saj të lartë profesional e moral si politikane, të aftësive të saj komunikuese me faktorin e brendshëm e të jashtëm.

Vlerësim i madh, kënaqësi e madhe kur profesori vlerëson profesoren, burri i mençur – gruan e mençur, atdhetari – atdhetaren, intelektuali i guximshëm – intelektualen e guximshme, burri i fisëm – zonjën e fisme.

Kanë kaluar gati dy dekada, por ky vlerësim i ka rezistuar kohës. Ashtu si vera që me kalimin e kohës bëhet më e shijshme, më e kërkuar, më cilësore, ashtu edhe gruaja e hekurt, deputetja e paharruar dhe e dashur për shqiptarët, politikania vizionare, Ermelinda Meksi është më e nderuar, më e respektuar, më e vlerësuar, e mirëpritur dhe e kërkuar në skenën politike shqiptare. I ngjit me sukses, me vendosmëri shkallët në Panteonin e madh shqiptar, duke na përfaqësuar me dinjitet në organet më të larta drejtuese të OSBE-së në Vienë.

 

Profesoresha e respektuar

 

Tek Profesore Ermelinda Meksi gjejmë një gërshetim të shkëlqyer të mësimdhënëses me studimet shkencore, të njohëses të teorive të ekonomisë botërore me drejtuesen e sektorit të ekonomisë, të zotëruesit të shkollave më të njohura ekonomike me aplikuesen në praktikën e përditshme… Parashikuese  dhe e aftë për të punuar në grup e për t’i udhëhequr ato.

I ngjiti shkallët e karrierës politike dhe shkencore me shpejtësi.  Botimet e saj janë të një spektri të gjërë, në shqip dhe në anglisht dhe kanë të bëjnë me statistikën dhe demografinë dhe me proceset e Integrimit Europian të Shqipërisë. Gjejmë trajtime teorike për çështje të përgjithshme e të veçanta, ushtrime dhe teste. E pranishme në botimet shkencore shqiptare dhe të huaja dhe në shtypin e përditshëm.

Njohëse e shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja, ka patur mundësi të shfrytëzojë një literaturë të bollshme, të cilën e ka përzgjedhur me kujdes dhe e ka përdorur me efektivitet në analizat dhe ballafaqimet me realitetin shqiptar.

Ka dhënë mësim në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës nga viti 1980-1992 dhe nga 2011-2015.

Ka qënë lektore në disa Universitete në Itali, SHBA, Belgjikë dhe Irlandë. Ajo mban titullin Profesore, ka dy doktoratura, njërën në demografi nga Universiteti “La Sapienza” i Romës dhe tjetrën në Statistikë.

Në punën me studentët ka demonstruar aftësi të larta komunikuese, afërsi e ngrohtësi dhe pragmatizëm. Pedagogu me vizion realizon komunikime të lira, të cilat kërkojnë që në vend të disa formulave të komunikimeve, të emancipojë gjithë personalitetin e tij. Ky komunikim kërkon jo të hiqesh si i emancipuar, duke bërë sikur kërkon mendimin e studentëve, por të emancipohesh me të vërtetë, të jesh thellësisht i interesuar për të tërhequr mendimet e studentëve. Pra një komunikim që shquhet për etikë, mirësjellje, për dashamirësi dhe inkurajim, i kulturuar, i gatshëm për ndihmë, i predispozuar për t’u krijuar kushte optimale të gjithëve për zhvillimin e personalitetit.

 

Shtetarja e përkushtuar

 

Profesore Ermelinda është zgjedhur deputete nga viti 1992-2011, në të gjitha legjislaturat, ka qenë Zëvendëskryeministre dhe Ministre Shteti për Integrimin Europian, Ministre e Ekonomisë, e Bashkëpunimit Ekonomik dhe e Tregëtisë , Ministre e Integrimit Europian. Ka drejtuar Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Associmit me BE-në. Ka programuar , Koordinuar dhe Monitoruar ndihmat e huaja në Shqipëri, Kryenegociatore e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, i cili u krye me sukses në shtator të vitit 2000. Ka drejtuar organizimin e tre Konferencave të Donatorëve për Shqipërinë (Bruksel 1997, 1999 dhe Bukuresht 2001).

Anëtare e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë nga viti 2011-2015.

Suksesi i saj në përshpejtimin e Integrimit të Shqipërisë në BE kushtëzohej nga një element i rëndësishëm psikologjik: fjala Europë nuk përfaqëson një fenomen gjeografik, por një nocion shpirtëror.

Si deputete në Njësinë bashkiake Nr.5 , Tiranë realizoi shumë projekte: si rikonstruktim rrugësh, shkollash, ndërtim shkollash të reja dhe ujesjellës të ri, investime në energjitikë në shumën mbi 6o milionë dollarë, u krye sistemimi dhe rikonstruktimi i infrastrukturës në disa blloqe banimi.

Deputeti që e zëvendësoi në Tiranën e Re bëri një vrimë në ujë, nuk i ndoqi e nuk i finalizoi projektet e nisura pres saj. Bile ai tradhëtoi votën e socialistëve dhe u bashkua me PD-në. Profesorja fitoi në Mallakastrën e saj në 2009 dhe 2011, aty ku me zor kishte fituar PS në 2005 dhe kishte humbur zgjedhjet lokale të vitit 2007. Me një punë të mençur, krijuese, të kualifikuar, me këmbënguljen e saj, me punë individuale shtëpi më shtëpi ua ktheu besimin mallakstriotëve në alteernativën socialiste. Ajo realizoi në praktikë konceptin e ri modern të qeverisjes “Fytyra reale e pushtetit politik është pushteti vendor”, sepse këtu lindin dhe zgjidhen shqetësimet e elektoratit dhe provohet sa reale,  sa të pranueshme e të zbatueshme janë orientimet e dhëna nga lart.

Me fjalët e saj të ngrohta si deputete, me komunikimet e përditshme në zgjidhjen e halleve dhe problemeve të komunitetit në zonën e saj elektorale krijoi entuziazëm, ringjalli shpresa të mëdha. Prandaj e donin, e respektonin dhe e votonin të gjithë të majtë e të djathtë.

 

Profesore Ermelinda Meksi intelektualja  me integritet të lartë

Fjala “integritet” ka të njëjtën rrënjë nga italishtja, ashtu si fjala “integer” – numër i plotë, tërësi. Pra përmban të njëjtin kuptim: kuptimin e tërësisë: një person me integritet, ashtu si një numër i plotë – është një person i plotë, një person, në një farë mënyre, pa mëdyshje Intelektuali me integritet duhet:

1.Të dallojë të duhurën nga e gabuara.

2.Të bëjë diçka për të (për të duhurën dhe të jetë i papajtueshëm me të gabuarën).

3.Të shpallë publikisht se është duke bërë atë që mendon se është e drejtë dhe kur të tjerët nuk janë dakord.

Me argumenta bindëse, me një analizë shkencore, me fakte e të dhëna të bollshme theksoi nevojën e ndryshimeve rrënjësore politike në Shqipëri dhe u bë pjesë e rëndësishme e drejtimit të këtyre proceseve. Nuk u pajtua me gabimet e së kaluarës, veçanërisht në sektorin e ekonimisë, të cilat çuan në paralizën e ekonomisë, në bllokimin e tregut dhe në mungesën totale të artikujve bazë të konsumit. Publikisht u pronncua për keqmenaxhimin dhe shpërdorimet në bankën e Shtetit, duke kërkuar ndëshkime e largime për fajtorët. Edhe pse fillimisht nuk pati mbështetje duke qenë në anën e së drejtës, e vndosur për të larguar të keqen, për t’i shërbyer interesit të publikut, mbështetja dhe popullariteti u rrit dhe fitoi.

 

Intelektualja me integritet mbron dhe thotë të vërtetën

Profesore Ermelinda ngriti zërin e saj për keqqeverisjen e vendit nga PD. Ne, – theksoi ajo, – nuk kemi luksin të harxhojmë energji të vyera duke u përpjekur të arrijmë perfekten dhe të humbim shansin për të bërë të domosdoshmen. E domosdoshme për ne, për Shqipërinë në këtë moment është ndalimi i keqqeverisjes së vendit nga mazhoranca e djathtë. Ajo pa u frikësuar para presioneve dhe bandave të PD-së mbrojti mandatin e nëntë të PS-së në qarkun e Fierit. Mbrojti kështu të vërtetën që ishte në kutitë e votimit, mbrojti vullnetin e popullit.

Kredibiliteti i drejtuesit lidhet me dy faktorë: kompetenca dhe besueshmëria. Të dyja janë pjesë e pandarë e Profesores në punën e saj të përditshme. Në fund të fundit njerëzit besojnë tek suksesi, tek fitorja, tek ajo që bëhet dhe realizohet. E këto nuk i  kanë munguar asnjëherë, kanë qënë pjesë e ngjitjes së saj drejt majave më të larta. Suksesi u buzëqesh atyre që bëjnë realitet premtimet e që mbajnë fjalën e dhënë. Për të ndërtuar një shoqëri është e domosdoshme t’i prekësh njerëzit në ndjenjë. Fuqia e fjalës është forca e vërtetë lëvizëse në mbretërinë e padukshme të mendimit dhe në bashkimin intelektual.

Profesore Ermelinda është intelektuale jo se ka tituj dhe grada të larta shkencore, se shkruan e boton çdo ditë, por se kujdeset e sillet si intelektuale e vërtetë dhe mban lidhje të përhershme me inetlektualët më në zë në Shqipëri e jashtë saj.

Analiza intelektuale, përgjegjësia intelektuale, guximi intelektual, parashikimi intelektual – është ADN-ja e punës së saj si intelektuale.

Përvoja botërore ka treguar se suksesi arrihet kur punët realizohen me njerëz me një vështrim të përbashkët dhe mbi bazën e forcës së zotimeve të ndërsjellta. Nga ky parim është udhëhequr në punën e saj. Erick Fromm thoshte se njeriu mund të jetë i sigurtë në vetvehte nëse i përmbush ato që kanë pritur të tjerët.

Profesore Ermelinda Meksi ecën e sigurtë në trasenë që ka shtruar prej dekadash. Me shumë besim tek vetja e saj. Me shumë vendosmëri dhe kurajo.

Kurajo sipas psikologëve s’është një akt i izoluar, një impuls i momentit. Është një aksion komplet dhe komlpeks, i cili duhet ndjekur deri në qëllimin final. Kurajo s’është vetëm virtyti i të filluarit të një pune, por i të vazhduarit më tej, i të kompletuarit dhe i të parit të gjërave larg. Nisur nga kjo, vizioni i saj është i qartë, është vizioni i shekullit të ri.

  1. Skënder Demaliaj është shef i Departamentit të Shkencave Politike dhe Administrative në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …