Zeqir Bekolli: Shkrimtari sot, pa statut dhe i lënë pas dore

Realiteti ynë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, njeh periudha të errëta në të cilat shkrimtari ynë dhe vepra e tij u persekutuan keq. Fatet tragjike të tyre tashmë janë pjesë e kujtesës dhe historisë sonë. Krijuesi ynë përjetoi persekutimin, internimin, burgosjen, zhdukjen e veprës dhe të gjurmëve.  Shembuj të këtij fati janë At Gjergj Fishta e  Ymer Elshani, që dëshmojnë se, përndjekja dhe fati tragjik i shkrimtarit ishin dhe mbeten dëshmi për statutin e tij në shoqëri.

 

 Parimet, rregullat, normat janë baza mbi të cilat ndërtohet  dhe zhvillon veprimtarinë e vet një organizatë, qoftë politike, shoqërore apo një shoqatë e çfarëdo natyre qoftë ajo.  Nëpërmjet këtyre elementeve, që mund të konsiderohen edhe si kritere funksionojnë organizimet e përmendura. Kjo vlen për grupimet, politike, shoqërore apo shoqatat, qofshin ato qeveritare dhe joqeveritare . Edhe Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës e ka një statut, mbi bazën e të cilit vepron. Por shtrohet pyetja: Cili është statuti i shkrimtarit sot?

 

 Është kjo një pyetje së cilës deri më sot nuk kam parë e dëgjuar t’iu ketë qasur, seriozisht, dikush në mënyrë institucionale, përveç rasteve individuale e grupore kur është trajtuar kjo çështje ose është kërkuar ndonjë interes individual apo i rastit. Që t’i japim një përgjigje kësaj çështjeje, nga këndvështrimi individual, mund të themi se krijuesi në vendin tonë, nuk ka ndonjë statut nëpërmjet te të cilit do t’i gëzonte privilegjet e shoqërisë, siç i kanë apo përpiqen t’i kenë kategoritë e caktuara të shoqërisë sonë. Nëse për krahasim, marrim statutin e një deputeti dhe privilegjet që gëzon ai, mund të thuhet lirish se shkrimtari jo vetëm që nuk gëzon ndonjë statut, por ai është i lënë krejt pas dore.

 

Ndoshta, mund të jem jashtë informacionit, por shkrimtarin e njëmend sot e shoh në një pozitë të palakueshme tek përballet, mbase edhe me kushtet elementare të jetës. Në radhë të parë shoqëria atij nuk i ka krijuar ndonjë përfitim , në mënyrë që të përballet vetëm me valët e frymëzimeve dhe me përpjekjet e tij për t’i dhënë sa më shumë vlerë të qëndrueshme letrare shoqërisë. Atë, sot e gjejmë duke bredhur rrugëve me telashet ekzistenciale pa një perspektivë për jetën krijuese.

 

Ndoshta , dikush mund të më kundërshtojë, duke ma kundërvënë pohimin e njohur se: “Në periudha të vështira dalin veprat më të mëdha”. Unë do të pajtohesha me një kundërvënie të tillë, sikur të mos jetonim në një periudhë kur ngulfatet vlera dhe vendin e saj e zënë kundërvlerat shoqërore të cilat po mbijnë si kërpudhat pas shiut. Pikërisht pse është kështu, poseduesit e mekanizmave që prodhojnë kundërvlera kanë pozita dhe si të tillë krijojnë situata të amullta letrare, për të mos thënë moçalishte dhe në një terren të tillë, dihet se cili është pozicioni i shkrimtarit dhe statuti i tij.

 

Ne jemi dëshmitarë të ditëve që po i jetojmë dhe pamë dorën institucionale tek u drejtua të një “Kiç” apo “Shund” duke derdhur para të majme, por një gjë të tillë nuk e orientoi tek statuti dhe vepra e krijuesit, i cili vjen në situatë që një fragment të veprës së tij të mos mund ta botojë edhe një ndonjërën nga gazetat e përditshme, të cilat sikur e kanë harruar krijimtarinë e shkruar dhe fare rrallë i shohim në faqet apo ballinat e tyre. Pra krahas veprës, nëpër këto media fare rrallë mund të defilojnë edhe figura të shquara të krijimtarisë letrare, që flet për një këndvështrim të pozicionit të shkrimtarit.

 

Po të ecim tutje, përtej interesimit institucional dhe shoqëror, dhe të përballemi me realitetin në rrethanat e zhvillimit të  teknologjisë së informacionit, shkrimtarin e shohim në një pozicion të një konkurrence, që e nxjerr atë nga sfera e interesimit . Përhapja marramendëse e internetit dhe e rrjeteve sociale nuk i krijon ndonjë favor krijuesit dhe veprës së tij. Rinia në përgjithësi, për dallim nga gjeneratat e më hershme, gjithnjë e më pak humbin kohë duke vizituar bibliotekat e lexuar vepra, madje edhe nga ajka e krijimtarisë botërore.

 

Kriza e leximit, nuk është e pranishme vetëm në vendin tonë, i cili mund të thuhet se edhe për shkak të rrethanave nëpër të cilat ka kaluar vendi, nuk ka pasur ndonjë traditë leximi, por ajo i ka kapluar edhe vendet më të zhvilluara prej ku vijnë informacionet se leximi ka rënë në mënyrë drastike dhe kjo çështje në një ose mënyrë tjetër reflektohet te pozicioni i shkrimtarit. Valë e tillë e ka përfshirë Evropën, Amerikën e vende të tjera të cilat po përpiqen të gjejnë mënyra për t’u përshtatur me realitetin e ri të krijuar nga konkurrenca që po e krijojnë interneti dhe rrjetet sociale.

 

Realiteti ynë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, njeh periudha të errëta në të cilat shkrimtari ynë dhe vepra e tij u persekutuan keq. Fatet tragjike të tyre tashmë janë pjesë e kujtesës dhe historisë sonë. Krijuesi ynë përjetoi persekutimin, internimin, burgosjen, zhdukjen e veprës dhe të gjurmëve.  Ta përkujtojmë Fishtën e Madh, vargjet e të cilit ne në Kosovë i lexonim dorë pas dore, nga frika e burgosjes, kurse në Shqipëri , në periudhën e totalitarizmit, as që përmendej gjëkundi emri i tij në librat dhe faqet e gazetave se kishte ekzistuar dikur një shkrimtar i këtij kalibri. Me një fjalë, përndjekja dhe fati tragjik i shkrimtarit ishin dhe mbeten dëshmi për “statutin” e tij në shoqëri.

 

Kur jemi te fati tragjik, mund ta marr shembull edhe rastin e shkrimtarit për fëmijë Ymer Elshanit, i cili është dhe mbetet njëra ndër figurat më tragjike të letërsisë, me fatin e të cilit shoqëria , pothuaj se nuk është marrë asnjëherë në mënyrë serioze, ashtu siç e meriton. Askush deri me sot, mes tjerash, nuk e mori një nismë që të paktën me portretin e tij ta punojë një shtatore prej bronzi me të cilën do të stolisej ndonjë institucion shkollor apo kulturor. Edhe ky element flet për fatin dhe statutin e shkrimtarit në Kosovë.

 

Kritika letrare dhe mungesa e saj sikur krijon një boshllëk më vete në realitetin tonë të ri, përballë një komercializimi i cili e vë në situatë të tillë, që kundërvlerën dhe vlerën mesatare t’i cilësojë me epitetet dhe me notat që nuk i kanë. Më rastisi të jem në një ceremoni përurimi dhe me veshët e mi dëgjova komplimente të larta, nga një kritik yni i njohur,  për një vepër letrare, pjesët e të cilës mund të krahasoheshin me një nivel amator. Pra, edhe gjunjëzimi i kritikës para kundërvlerës dhe frymës komerciale reflektohet keq në vlerën e veprës letrare e cila përbën një segment më vete për statutin për të cilin po flasim.

Tërë kësaj, që thashë, mund t’i shtoj edhe faktin se kundruall pohimeve që i shtrova me këtë rast, mungojnë edhe përpjekjet e shkrimtarëve, atyre të organizuar dhe individual për të luftuar për statutin e tyre në shoqëri. Zërat e vetmuar, ai ky yni nuk mjaftojnë që krijuesi ynë ta gëzojë një tretman çfarë do të duhej të ishte . Një fjalë e urtë nuk thotë kot: “Pa qarë fëmija, nëna nuk i jep gji”.

(Kumtesë e prezantuar në Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Drini Poetik” organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …