Shefi i diplomacisë kosovare Behxhet Pacolli ka nisur vizitën dyditore në Emiratet e Bashkuara Arabe, gjatë së cilës mbajti një fjalim në konferencën e organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Diplomacinë Kulturore, me temën “The New Nexus – Diplomacy, Security and Digital Nation State”, ngjarje kjo, që ka bashkuar shumë ministra e akademik nga shtete të ndryshme të botës. Ministri i Jashtëm Pacolli, si njëri nga panelistët kryesorë të konferencës referoi mbi temën e procesit të shtet-ndërtimit dhe ndërlikimet në diplomaci.
Pas konferencës dhe interesimit të shprehur nga mediat, që mbulonin këtë aktivitet, ministri Pacolli, së bashku edhe me panelistët e tjerë mbajtën edhe një konferencë për media. Ministri i Jashtëm Pacolli, vizitën zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe e vazhdon edhe nesër, ku do të pritet në takime nga përfaqësues të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe. Samiti i Interpolit, nismat për marrëveshjet bilaterale, thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Abu Dabi janë disa nga temat kryesore, që pritet të diskutohen në kuadër të këtyre takimeve respektive.