Në ditët e fundit të vitit 2017 në Muzeun Kombëtar u hap ekspozita “Brezat në artet figurative” ku janë paraqitur 81 punime të 31 autorëve të moshave të ndryshme nga më të rinjtë, deri tek më të vjetrit. Sipas organizatorit të kësaj ekspozite interesante Robert Përmeti, qëllimi i parë është që të rikujtojnë njerëzit që artin nuk e bëjmë vetëm ne sot. Art ka pasur në çdo kohë. Njerëzit kanë punuar në muzikë, pikturë, skulpturë etj. Ish-oficeri rebel dhe piktori Robert Përmeti ka histori të bukura jeëtsore për pikturat e tij sidomos me ish-zonjën e parë të vendit, Niexhmije Hoxhën. Tablotë e tij në sistemin monist ishin sa të bukura por edhe aq të guximshme për tematikën provokuese. Tabloja ‘Humnera” ndër më të bukurat e tij nuk u vendos në galerinë e Arteve, por dhe ai kurrë nuk e ndryshoi tematikën e saj dhe pse Nexhmije Hoxha këmbënguli.
-Cili është qëllimi i kësaj ekspozite që është kaq e veçantë nga vetë natyra e emrit të saj por edhe nga tematika e pikturave.
-Qëllimi i parë është që të rikujtojnë njerëzit që artin nuk e bëjmë ne sot. Art ka pasur në çdo kohë. Njerëzit kanë punuar në muzikë, pikturë, skulpturë, etj. Vitet bëjnë të tyren dhe shumë veta ngelin në harresë, por, kjo do të thotë që piktori nuk harrohet se ai ka lënë veprat. Kjo tregon se edhe trashëgimia dhe të gjithë ata që vijnë më pas ndihen krenar që prindërit e tyre u kanë lënë një vepër, u kanë lënë një emër. Kjo është diçka që ka vlerë dhe duhet respektuar. Kombet kështu zhvillohen nëpërmjet artit ku arti figurativ ka një rëndësi të veçantë. Kombet nuk zhvillohen mbi bazën e historisë së luftërave, por mbi bazën e zhvillimit të artit.
–Sa punime janë në këtë ekspozitë dhe sa autorë?
Ne kemi seleksionuar 81 punime dhe janë 31 autorë. Gjinitë e pikturave janë nga më të ndryshmet, portret, peizazh, kompozim, natyrë e qetë, por edhe piktura moderne, abstraksioniste. Kemi një gërshetim të të gjitha gjinive që këtu të gjejnë veten të gjithë vizitorët sipas preferencave. Sot shijet janë të ndryshme, dikush do natyrën e qetë, dikush peizazhin apo portretin dhe këtu secili i gjen shijet e tij. Mbi të gjitha në këtë ekspozitë ka punime të autorëve të rinj, të brezit të mesëm por dhe atyre të vjetër. Një gërshetim brezash ashtu siç kemi titulluar edhe ekspozitën. Sot duhet të punojmë atë që ndjejmë dhe atë që pëlqejmë dhe të materializouar në skulpturë dhe në pikturë etj, pasi kjo që quhet punë sot po ka vlera nesër quhet vepër dhe kush e ka shansin e mirë do ti quhet pasnesër kryevepër.
–Në këndvështrimin tuaj kush mbizotëron në këtë ekspozitë, peizazhi,portreti, kompozimi, natyrë e qetë, apo abstraktja?
Piktorët që janë thirrur për edicion kanë ardhur ashtu, natyrshëm pa marrë përsipër që të seleksionojnë. Kryesisht janë piktorë të penelit, kanë emrin e tyre dhe kanë ecurinë e tyre. Kjo vjen nga më të vjetrit nga më të rinjtë. Më i vjetri është Fadil Pëllumbi i datëlindjes 1918 dhe ka një krijimtari të asaj kohe të para luftës dhe pas luftës. Ka punë të ekspozuara në Itali në shumë mënyra me teknikën e kartolinës dhe pulla poste, etj. Familja e vet ruan disa punë dhe në kujtim të babait të tyre kanë sjellë disa prej tyre. Është interesante se akuarelet i ka shumë të kultivuara , dhe profesionale. Një punë në akuarel (ma tregon)ai e ka punuar deri në thellësinë e ujit. Politika shqiptare nuk i ka dhënë asnjë vend që duhet këtij piktori të madh që iku në heshtje.
– Kjo ekspozitë e sajta është në llojin e vetë dhe si përzgjidhen autorët?
Kjo ekspozitë është e treta me autorë të ndryshëm. Është një bërthamë dhe ne pasurohemi çdo vit edhe me piktorë të tjerë. Ne nuk kemi seleksionim por një bazë seleksionimi ekziston. Të gjithë autorët kanë një kurikulum akademik ku janë të shkolluar dhe të arsimuar ku kanë një aktivitet brenda dhe jashtë vendit. Mbi këtë ka qenë baza e përzgjedhjes.
– Në punën tuaj unë kam vënë re se keni shumë portrete dhe natyrë të qetë, peizazhe, kompozime por dhe tablo. Kush është risia që doni të sillini në këto gjini si tabloja?
– Unë nuk do të thosha risi por “fatkeqësi”. Tabloja është një gjini shumë e fuqishme ka një tematikë, subjekt, vend, ngjarje dhe përgjegjësi, tipa dhe një larmi gjërash, është një botë më vete. Ajo që është karakteristikë ku bëhet tabloja është që piktori mbledh materiale, e punon dhe të gjithë tablonë e ndërton me kokën e vet, dhe pastaj i shkëput marrëdhëniet me njerëzit përreth dhe merret vetëm piktori dhe telajo. Piktori, luan me figurat e telajos. Kjo është një “fatkeqësi” sepse kjo është një investim shumë i madh qoftë ekonomik por dhe kohor dhe social dhe individual, sepse njerëzit sot jepen pas pikturave të rëndomta, i riprodhojnë dhe zmadhojnë. Dhe në presidencë shikon Eduart Lirin të riprodhuar, ku Eduart Liri e ka tablonë 1×1 ata e kanë bërë 3×3. Tabloja ka një kosto të rëndë, nuk do kohë sa një peizazh. Unë tablotë e mia i kam bërë për 5-6 vjet një tablo. Unë aty nuk llogaris se sa kam harxhuar por vetëm se sa kam punuar. Sot nuk bëhen dot piktura të tilla. Edhe po ti bëj ku do të vendoset? Institucionet tona janë të mbushura me piktura që i blejnë te tregu i pikturave që janë kineze, turke apo ndonjë shteti tjetër, të kopjuara riprodhuara seriale jo të pikturuara. Disa institucione për vite me radhë i blejnë në treg me 5 mijë lek për të zbukuruar ambientet e institucioneve dhe i bëjnë faturat sikur kanë kushtuar 2 milion apo më shumë lekë. Paradoks! Por një sy piktori i njeh menjëherë që janë riprodhime, të fabrikuara dhe jo origjinale.
– Pra sot nuk po bëhet art i mirëfilltë?
– Jo se nuk bëhet art i mirëfilltë sepse edhe piktura dhe portreti janë gjini të artit dhe peizazhi, por ka gjini të tjera që mungojnë siç është grafika. Grafika është një art i vështirë, është një gjini e vështirë. Sot janë të dhënë të gjithë pas peizazhit sepse është më komode se ke të bësh vetëm me natyrën. Unë prej tablosë kam pasur konflikte deri te Nexhmije Hoxha. Konkretisht kisha bërë një tablo për luftën nacional cclirimtare, tematika më e dashur për udhëheqësit e kohës. Në tablo paraqiteshin Shtabi i Përgjitshëm me Enver Hoxhën dhe një pjesë e misionit anglez në luftë. Nexhmija kur e pa tablonë kërkonte që unë të hiqja një grup anglezësh që ishin përballë partizanëve. Nuk pranova pasi tabloja ishte ideuar mbi bazën e konflikteve shqiptaro -anglo-amerikane. Pra ideja ime ishte se si do ishte e ardhmja e Shqipërisë? Kur mbarova tablonë doli libri i Enverit “Rreziku Anglo-Amerikan” dhe mu desh pak punë që ta ripunoja ndërsa Nexhmija ngulmonte që e bukur është tabloja por të hiqen anglezët. Unë nuk e konceptoja dot tablonë pa atë konfliktin që ka tabloja ku ishte Enveri me një grup të Shtabit të Përgjithshëm dhe anglezët përballë. Unë në këtë tablo trajtoj një problem shumë themelor të Shqipërisë. Ishte momenti kur Shqipëria duhet të zgjidhte nga Lindja apo nga Perëndimi. Kjo ishte mesazhi i asaj tabloje. Kjo tablo u realizua rreth vitit 1981. Edhe sot e kam atë tablo dhe nuk e kam ripunuar po e kam lënë po ashtu. Unë nuk i hoqa anglezët e misionit në luftë dhe pse tabloja ishte e përzgjedhur në Galerinë e Arteve si puna më e mirë e vitit. E mbajta tablonë në shtëpi ku e kam dhe sot. Kur e çova atë kohë në Galerinë e Arteve pata shumë urime, por kur ishte una për Enver Hoxhën urimin dhe rrugën e lirë e jepte Nexhmija. Nexhmija atë kohë tha: Shumë e bukur është por po të heqësh anglezët është akoma më e bukur. Në këtë tablo kam bërë edhe një gafë tjetër që e kam quajtur “Humnerë 44”. Sepse shoh një perëndim për ne, për vendin tonë, një humnerë e madhe dhe në sfond unë kam zgjedhur një peizazh një humnerë dhe dy palët që janë aty. Nuk e di se si kam shpëtuar nga burgu për këtë pikturë. Sot kur r shoh me qetësi them që kam bërë një gafë të madhe për kohën që mund të më kushtonte jetën. Titulli :Humnera” donte të thoshte se renditja pro-lindje do na çonte në humnerë. Nuk e di se si kam shpëtuar.
-Po sot e gjen dot veten në pikturë?
Unë kam punuar shumë. Duke qenë se se kam qenë edhe oficer duhet të isha një oficer i mirë, jo që isha i kualifikuar në profilin tim por qëlloi që vëllanë ma dënuan për agjitacion dhe propagandë. Unë kam qenë rigoroz dhe kam qenë i detyruar që ta bëja këtë punë, duhet të mbaja edhe barrën psikologjike të familjes time që isha goditur. Unë duke pasur ngarkesë si oficer dhe si piktor kam shkuar në spital nga lodhja. Unë punoj akoma me kompozimin, tablotë. Kam dy tablo që i kam zgjedhur dhe po i punoj por kam problem vendin, studion. Ndër Tablotë dua të veccoj edhe një për Skënderbeun, jo duke luftuar. Tabloja e Skënderbeut e tregon heroin midis luftëtarëve duke pirë gotën e rakisë, që do të tregojë imazhin e suksesit të kënaqësisë së fitores. Dua të evidentoj edhe klasën aristrokatike, klasën e udhëheqjes të asaj periudhe. Kemi qenë një popull me lavdi të madhe. Nuk kemi qenë një popull që të diskutohej a na pranon apo jo Europa. Ne ishim të veccuarit e Europës qëe e kemi ndihmuar Europën. Kam edhe një tabllo tjetër që e kam pas bërë më përpara një tablo të vogël me motive nga Librazhdi, tabloja me gjahtarë. Paraqes momentin kur vritet gjahu pozicion që ka bukurinë e vet, si p.sh. kur rripet gjahu, kur gatuhet te zjarri, heroizmat se si e vranë. Këtë atmosferë e kam bërë dikur dhe dua që ta riprodhoj dhe një herë këtë temë. Pra tabloja është gjinia ime më e preferuar dhe pse është shumë e lodhshme. Ndërsa peizazhi mua më shplodh nuk më lodh. Ky është ndryshimi. Por secila gjini ka të veçantën, të bukurën dhe specifikën e vet, Varet kush të ka bërë për vete. Unë tablonë e kam brenda zemrës sime, më ka pushtuar të gjithin dhje pse më lodh dhe më sfilit fizikisht dhe ekonomikisht. E bukura qëndron tek e vështira, e madhërishmja tek përmasat dhe koha e madhe që të merr një vepër e tillë. Ndaj për mua Tabloja mbetet e madhërishme.