Në mbledhjen e sotme të kryesisë së Lëvisjes Vetëvendosje, e cila është planifikuar të mbahet nga ora 15:00 janë ftuar të marrin pjesë edhe të dorëhequrit e deritanishëm nga ky subjekt politik. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” deputetja e Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu pohon ta ketë marrë ftesën për pjesëmarrje në këtë mbledhje rreth 4 muaj pasi që ishtë dorëhequr nga funksionet e saj në këtë parti.
“Unë kam marr ftesë për mbledhje e Kryesisë e cila do të mbahet sot në orën 15:00, dhe me aq sa jam e informuar, edhe anëtarët tjerë që janë dorëhequr kanë marrë ftesë. Une do ta rrespektoj vendimin e Kryesisë së Lëvizjes, pra do të jem e pranishme në mbledhjen e Kryesisë dhe bashkërisht do të bëjmë përpjekje në zgjidhjen e problemit në organet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Duke pasur parasysh që Lëvizja është shpresa e vetme në vend, e kemi obligim përpjekjen për shkak të vendit, qytetarëve dhe aktivistëve”, tha Haxhiu. Ajo pret që t’i përgjigjen ftesës edhe anëtarët tjerë që janë dorëhequr ditëve të fundit nga funksionet e tyre në Vetëvendosje.