Albert Z. Zholi: Hermes Nikaj dhe ”Magjia femërore”!

Magjia femërore”! Ky libër me intervista i dedikohet femrave (këngëtareve, pedagogeve, moderatoreve, juristeve, redaktoreve, stilisteve, modeleve) atyre që me zërin e tyre magjik, me modelin ndryshe të moderimit, me mënyrën elokuente të shpjegimit, me mënyrën delikate të sjelljes, me elegancën e paraqitjes,me artikulimin perfekt të shqipes, janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë së jetës sonë. Për femrat nuk gjenden dot fjalët e dashurisë, fjalët e bukura të zemrës, sepse ato me sjelljet e tyre janë përcjellëset më të spikatura të virtytit më të lartë shpirtëror, ndjenjës më të spikatur, dashurisë njerëzore. Historikisht hireve dhe veçantisë gjenetike femërore si një krijesë e përkryer për ripërtëritjen e jetës i kanë kënduar, poet, shkrimtarë, shkencëtarë, filozofë, këngëtarë, njerëz të thjeshtë me fjalët e qëndisura në letër dhe këngë.

                  E kush nga ata që kanë provuar dashurinë, fjalën e ngrohtë femërore,brishtësinë e bukurisë, buzëqeshjen mikluese, ledhat prej zane, nuk kanë kaluar në “qiellin e shtatë” nga lumturia?! Personazhet e këtij libri modest janë pjesë e jetës së gjithkujt, pjesë e atij realiteti ku secili përpiqet të “vjedhë” diçka të spikatur, magjepsëse nga fjalët dhe mendimet e tyre, nga sjellja, mençuria, zëri, interpretimi, përcjellja e shqipes së bukur. Të gjithë i duam këto personalitete të fushave të ndryshme, me mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e atij realiteti jetësor të tyre që përcjell mesazhe miqësie, respekti, kulture, emancipimi pse jo dhe krijim të një modeli jetësor.

               Jashtë idhujve “QIELLOR” që errësojnë mendimin korrekt, krijimi i një modeli pranohet në shoqërinë e sotme, si një idol për të parë të ardhmen më të bukur, më me guxim, më me optimizëm. Këto personazhe, Hermesi i ka përshkruar me thjeshtësi dhe ka mundur të hyjë brenda universit të tyre kompleks, ku jo çdo gazetar mund të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht…Në intervista (ku gazeta prestigjioze “Telegraf” ka qenë foleja e tij e ngrohtë), Hermesi ka krijuar individualitetin e tij, mënyrën e tij të komunikimit dhe të zhbirimit të personalitetit të tyre, ku edhe pse ndonjëherë bie në përsëritje të pyetjeve, ai mundet të dalë me finesë, për të kaluar në situata dhe provokime, që duhet njohje e mirë e personazhit për kapërcime të tilla. Këto intervista të shtyjnë të njohësh madhështinë, sakrificat, guximin, por edhe “marrëzitë” e personazheve që me këto cilësi i kanë çuar në “zyrtarizmin” e veçantë që të quhen VIPA.

               Me punën e tyre dhe idetë jetësore, këtyre personazheve populli i ka thurur lavdet e tij jo më kot. Virtytet e tyre të veçanta i kanë ngritur figurat e tyre në tempujt e shpirtit dhe në modelin e zemrës, respekti për to është liri dhe lumturi. Në këtë respekt dhe mirënjohje, ne jemi spektatorë të qeshur të një kohe të bukur mes njerëzve të artit dhe të kulturës, që përcjellin mirësi, kulturë për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave dashurinë njerëzore dhe atë ndaj atdheut.”Magjia femërore” le të jetë një libër modest por tepër intrigues, që është munduar të depërtojë në sekretet e bukura të disa prej femrave më të spikatura të shoqërisë shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …