Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe familjarët e dëshmorëve e kanë ndezur flakadanin e “Flakës së Janarit"

“Flaka e Janarit”, iu dedikohet heronjve dhe dëshmorëve të rënë për liri

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe familjarë të dëshmorëve, kanë bërë sonte ndezjen e flakadanit të “Flakës së Janarit”, për të shënuar kështu edhe simbolikisht fillimin e manifestimit mbarëkombëtar “Flaka e Janarit”, që i dedikohet heronjve dhe dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. “Këtë flakadan, sikur sonte edhe vitin e kaluar e kemi ndezur bashkërisht me familjet e dëshmorëve. Sonte përveç mungesës së dëshmorëve, është edhe mungesa e mixhës Rexhep, i cili është ndarë nga jeta dhe u është bashkuar këtyre shpirtrave të bardhë që sot bëjnë dritë mbi lirinë e Kosovës. Kalendari i Flakës nëpër të gjitha shtyllat, i kushtohet respektit dhe nderimit të veprës së dëshmorëve të kombit. Ky vit i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe 50-vjetorit të demonstratave për flamur”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa, Fitore Malaj, vajza e dëshmorit Rexhep Mala, në emër të familjeve Mala e Berisha, ka falënderuar Komunën e Gjilanit për përkushtimin e treguar dhe për angazhimin në nderim të dëshmorëve, heronjve dhe gjithë të rënëve për liri. “Sot i ndezëm këta flakadanë. Kështu i ndezën para 34 vitesh flakadanët e lirisë edhe Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha. Ata ndezën flakadanin e lirisë së Kosovës. Ndjehemi shumë të nderuar si familje për respektin dhe nderimin që i bënë Komuna e Gjilanit dhe gjithë Kosova, heronjëve tanë”, ka thënë ajo pas ndezjes së flakës.

Kontrolloni gjithashtu

Ministri, Ejup Maqedonci, diskutoi  përforcimin e sigurisë kombëtare me NATO-n për stabilitet dhe integrime

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë e forcimit të aspektit të sigurisë për …