Ahmet Qeriqi

Përpjekjet sizifiane për rikthimin e traditës “kulturore” të përbashkësisë e bashkim vëllazërimit

“Kultura” njëdimensionale politike e periudhës së  përbashkësisë e bashkim vëllazërimit në kuptimin e përmbajtjes, ende është e pranishme në Kosovë, ashtu sikurse ka qenë e pranishme në Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare kultura dhe mendësia politike turke aziatike edhe shumë vjet pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Pionët politikë dhe kulturorë të periudhës së dominimit të mendësisë kulturore, kozmopolite jugosllave në Kosovë, prej vitit 1945 e deri në vitin 1999, kuadrot kulturore politike që kanë qenë edhe zëdhënës, poltronë dhe besnikë të neveritshëm të politikave të përbashkësisë dhe të bashkim-vëllazërimit të shqiptarëve me serbë e popujt e tjerë sllavë, tashmë ndodhen në të perënduar të jetës dhe aktivitetit të tyre”kulturor” që pritet të shënojë fundin dhe katandisjen e përjetshme të një procesi të gjatë të jetës së shqiptarëve nën robërinë sllave. Recidivët e kësaj politike ende shfaqen aty-këtu, sidomos te bijtë e bijat e ish komitetlinjve, të ish prokurorëve, gjykatësve, hafijeve, spiunëve, milicëve, inspektorëve, drejtorëve të burgjeve dhe tërë një klase të markës “made in Jugo”, ende janë të organizuar në grupe dhe klane t’i quajmë “kulturore” dhe ende ëndërrojnë ta kthejnë kohën e tyre “të artë” të kulturës së tyre të “vërtetë”, të avangardizmit dhe të modernitetit kozmopolit.

         Këta manipulues  dhe besnikë të përjetshëm, pse jo edhe të neveritshëm të bashkim vëllazërimit, assesi nuk po arrijnë ta kuptojnë se në Kosovë ka ndodhur historia,  shkruar me gjakun e mijëra bijve dhe bijave të kombit, nuk po e kuptojnë se e kaluara jugosllave në Kosovë, sa do që ka lënë gjumë në mentalitetin e njerëzve, sa do që ka shënuar faqe të shumta dhe jo pak të neveritshme të një “kulture hibride” në esencë kozmopolite jugosllave, sa do që është shtrirë në sinkroni dhe diakroni, sa do që ka dhënë qindra e mbase edhe mija emra shkrimtarësh, analistësh, poetësh, historianësh, dramaturgësh, regjisorësh, doktorësh, profesorësh, aktorësh e çka jo, shumicën prej tyre i ka vulosur me një vulë, me vulën e kohës së bashkëjetesës së shqiptarëve me serbë nën robërinë, hegjemonizmin dhe okupimin serb.

             Dhe kjo vulë e fantaksur si vurratë në fytyrën e secilit krijues të asaj kohe ka shumëçka të shëmtuar, ka shumë vurrata që nuk mund të lahen as mund të evitohen as me “operacione plastike”. Koha për të cilën po flasim, me vetë faktin se ka qenë kohë e gjallimit dhe përpjekjeve për të krijuar identitetin e ashtuquajtur kulturor nën dhunë pushtuese, ka prodhuar këtë masë të jashtëzakonshme hibride shqiptaro-sllave në mentalitet dhe në karakter.

           Mjerisht një tip i tillë i jugo-ntelektualit ende gjallon në Kosovë. Madje ai intelektual i prejardhjes kozmopolite jugosllave është duke bërë përpjekje për të dhënë edhe gjëmimin e fundit, për të dhënë edhe gërvishtjet e fundit, në mos më shumë edhe sharjet dhe destrukcionin e fundit.

            Nuk është për t’ u habitur përse ekziston kjo klasë “kulturore” të cilën e ka prodhuar me bollëk bashkëjetesa sllavo-jugo-shqiptare, sepse kemi të bëjmë me një fakt historik, por është për t’ u habitur me njëmendësinë totalitare të kësaj klase analistësh, politikanësh dhe kulturologësh edhe 16 vjet vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Ata edhe sot e kësaj dite insistojnë të kthejnë atë që nuk mund të kthehet, sepse në Kosovë as mund të kthehet titizmi, as bashkim vëllazërimi, as përbashkësia, as kozmopolitizmi i dikurshëm jugosllav, sikurse mendojnë disa politikanë mendjelehtë. Pretendimet për të bërë prapa-kthim të tillë janë përpjekje të rrezikshme dhe fatale, janë pretendime antihistorike, ngjashëm me kërkesat e bejlurçinës shqiptare të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, për të kthyer Shqipërinë sërish nën Turqi.

Analistët e dikurshëm të politikave kulturore të bashkim vëllazërimit, sekretarët e komiteteve dhe të organizatave bazë të Partisë Komuniste Jugosllave, njerëzit e komiteteve, delegatët e ish e kuvendeve të Kosovë-Metohisë, censorët, recensentët e mashtruesit dhe manipuluesit e të gjitha situatave, mund të ankohen për kohën që iu ka perënduar,  por nuk duhet të lejohen të përbuzim gjakun e derdhur për liri, nuk do të duhej të shtireshin se qenkan viktime të “pushtetit të sotëm të popullit”, sepse një pushtet të tillë Kosova nuk e ka njohur asnjëherë. Sepse edhe ky farë pushteti i sotëm i popullit, është pushtet i improvizuar dhe i varur krejtësisht nga Brukseli zyrtar ashtu sikurse ishte dikur pushteti i Azem Vllasit e Ali Shukriut i varur nga Beogradi.

         Klithmat e tyre për rikthimin e kohës “së artë” të bashkim vëllazërimit s’ janë veçse klithma idiotësh, klithma mazohistësh, klithma bashkëpunëtorësh, kumbarësh e pobratimësh të deridjeshëm të ish regjimeve  vrastare antishqiptare.

          Pretendimet idiotike për ta rikthyer kohën e vdekur dhe për ta quajtur kohë të vdekur këtë kohën tonë, kur mbi kokat e shqiptarëve në Kosovës nuk godet më kamxhiku i policit serb, janë pretendime kobndjellëse, janë thirravaje sorrashkash, janë hiq më shumë as hiq më pak se vajtime të ish misionarëve, të cilët  me sy hapur shohin fantazmat e tyre, kufomat e tyre meite  që ende kanë edhe pak jetë.

            Këta njerëz flasin për lirinë, të cilën  nuk besojnë dot se e paskan, ose sikur e aspirojnë ish lirinë në flamurin jugosllav. Sipas disa prej tyre liria nuk paska mundësi të jetë e pjesshme, por vetëm e plotë, ashtu sikurse e paskan pasur dikur kur kanë qenë redaktorë të “Rilindjes”, të “Zërit të Rinisë”, të gazetës “Komunisti”,  e të horrllëqeve të tjera. Vetëm asokohe paska qenë liria, liria e plotë e bashkim vëllazërimit dhe e përbashkësisë, liria që aq shumë po u munguaka sot.

             Njëmendësia e tillë, sillet rreth boshtit të vet, sepse nuk është e aftë për të pranuar realitetin e ri, nuk është e gatshme për të  parë dhe për ta pranuar dialektikën e ndërrimeve historike që kanë ndodhur, nuk është e aftë për ta perceptuar realisht atë pjesë të dialektikës që është proces i pashmangshëm në rrugë drejt të krijimit të mëvetësisë dhe universalizimit të vlerave të njëmendta kulturore.

              Të gjithë ata, t’i quajmë analistë dhe kritikë të zhvillimit tonë kulturor, të cilët mendojnë se jeta kulturore shqiptare ka nisur në vitet 50 të shekullit XX, në kohën kur edhe fillon arsimimi i shqiptarëve, i ngatërrojnë proceset e vërteta afirmative arsimore e kulturore, me proceset kulturore degjeneruese, politike, partiake.

Nuk duhet harruar se romani i parë i botuar  i periudhës së pas luftës në Kosovë, që për disa dhjetëvjetësha ishte edhe literaturë e domosdoshme shkollore, romani i Sinan Hasanit, “Rrushi ka nis’ m’u pjekë” është në të vërtetë një tregim i gjatë, krejtësisht nën ndikimin e letërsisë serbe, një shkarravinë idiotike dhe një plehrë pa asnjë vlerë, qoftë në pikëpamje  të përmbajtjes apo të kërkesave të tjera teorike letrare.

               E tillë, krejtësisht naive dhe pa asnjë vlerë letrare ishte pjesa më e madhe e tërë krijimtarisë së  viteve 50, deri në botimin e tregimeve  dhe të romanit “Gjarpinjtë e gjakut” të Adem Demaçit.

Ahmet Qeriqi

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …