Studimi shkencor dhe i dokumentuar me gjuhën e fakteve, i profesor doktor Kristo Frashërit: “Ilirët nuk janë pasardhës të pellazgëve”, ku ka rikonfirmuar tezat shkencore historike lidhur me pellazgët, ilirët, shqiptarët, grekët dhe përgjithësisht historinë e popujve të Ballkanit, ka ngjallë reagime të disa të vetëquajturve studiues, të cilët pretendojnë të anashkalojnë faktet qindra vjeçare të historiografisë dhe albanologjisë shqiptare dhe të paraqiten para opinionit si shpikës të racave e historive të lashta, duke u mbështetur në mite e legjenda dhe në shkrime të vjetra, që as i kanë deshifruar as i deshifrojnë dot.
Reagimet e mefshta dhe pa asnjë bazë shkencore të disa “para-studiuesve” shqiptarë e ndonjë i huaj, që merren me sensacione, konstatime, deformime, mite e legjenda të lashta, kundër të vërtetave të pakontestueshme të njërit ndër historianët më të shquar shqiptarë të shekullit të fundit, sikur është dr. Kristo Frashëri, janë reagime që ndizen lehtë, si flaka që del nga kashta e cila merr flakë përnjëherë por shuhet shumë shpejt dhe prapa nuk lë hi, por një blozë të zezë, që e merr era.
Këta parastudiues, nuk shërbehen me fakte e argumente që i ka kondensuar historia dhe albanologjia shqiptare, por mjaftohen me ndonjë ngjashmëri që kanë fjalët e popujve mes njëri tjetrit, mjaftohen me konstatime të sharlatanëve të tipit të dr. Adhamudhit, Të Çajupit, apo të ndonjë tjetri, i cili përrallis se paska bërë zbulime epokale, paska varrosur albanologjinë e Qabejt dhe brezit të albanologëve e ilirologëve të shekujve të fundit dhe pretendon të vendos të vërtetën dhe ‘zbulimin” e tij për etnogjenezën e hershme shqiptare, “më të hershmen në botë”, duke shkuar aq larg sa edhe Hyjin të na bëjnë shqiptar.
Kjo shkarje në hamendësime, është bërë gjellë e modës e skrëbeve të lëmenjve të ndryshëm, të cilët po të kesh kohë t’ i dëgjosh, të sjellin sa e sa argumente boshe, madje nëse një fjalë shqipe përngjan me ndonjë kineze, inke apo asteke, ata kapërcejnë dete dhe oqeane dhe na dalin se kanë bërë zbulim epokal. “Donikshotër” të tillë mjeranë ka pasur dhe do të ketë dhe nga kjo nuk lëndohet, as mund të lëndohet historia dhe albanologjia shkencore shqiptare.
Kjo përpjekje e disa studiuesve që stolisen para e prapa me tituj shkencorë, mbase bëhet edhe për qëllime vetëreklamimi, për dalje nga anonimiteti, për fryrje të bulçive duke na treguar se edhe ata janë di kund dhe duhet t’iu dëgjohet zëri. Por diçka tjetër nga përpjekjet për të na bindur shkencërisht në të vërtetat e tyre, ata nuk prezantojnë dot, sepse është e pamundshme ta detyrosh shkencën të merret me imagjinatë mitesh e legjendash, të cilat kanë vlertat e tyre të pamohueshme, por historia dhe mitet janë dy botë ndryshe. Historia mbështetet në fakte, argumente, shkrime, relikte, mbetje fizike të kulturave të lashta, arkeologji, fakte relevante që i nënshtrohen metodologjisë së caktuar shkencore. Miti dhe legjenda nuk ndërtohen mbi bazë të dokumenteve shkencore, por në radhë të parë mbi bazë të gojëdhënave, mbamendjes, përcjelljes brez pas brezi të legjendave, këngëve legjendare, përrallave, në të cilat rolin dominues e ka imagjinata e pasur popullore dhe elementet stilistike, artistike, etj. Si të tilla ato janë pasuri e popullit, pasuri e kombit, kulturës dhe traditës, por nuk janë historia vetë.
Janë pak në numër, por janë shumë agresivë disa skribë, që përmes botimit të çdo broçkulle, të cilën e bëjnë libër dhe e shpërndajnë kudo ku mundin dhe ku iu jepet mundësia, mundohen me çdo kusht të na bindin, se për dy qind vitet e fundit të zhvillimit të shkencës së Historisë dhe Albanologjisë, ia paskemi shkrepur kot, sepse e vërteta paska qenë ndryshe, por ajo qenka deformuar në kohën e Enver Hoxhës dhe studimet e arritjet e asaj kohe u dashkan parë, sërish nga e para, sepse regjimi komunist paska deformuar gjithçka, pse jo edhe mendjet e tyre të terratisura.
Një skrib i tillë ( kësaj radhe nuk dua të përmend emra) ka zbuluar se Ismail Qemali paska qenë nën ndikimin e klerit grek, kur ka caktuar vendin se ku duhet ta shpallë Pavarësinë. Një tjetër na thotë se Gjergj Kastrioti paska qenë nip i Serbisë, se paska qenë tregtar kuajsh. Një tjetër mundohet të na bind se vetëm pellazgët janë të parët tanë dhe askush tjetër, meqë emri pellazg rrjedhë nga pellg, ose nga pelë, apo nga folja “të pjell”, pa menduar fare se sa është e përhapur në gjuhën greke emri, Pella, Pellagonia, Pellagea e sa e sa derivate të tilla. Një tjetër studiues, mundohet të na faktojë se Akili, Homeri, Troja, Zeusi, dhe të gjitha perënditë e lashtësisë mitologjike greke kanë qenë shqiptarë, edhe pse emri “shqiptar” në të folmen tonë dhe në fjalorin e gjuhës shqipe del të jetë disa mijë vjet më vonë. “Babëlokët” e tillë të zbulimeve epokale, reaguan kundër Profesor Kristo Frashërit, madje edhe duke u ankuar se me konstatimet e tija, ua paska prerë me gërshërë fijet e moçme, rrënjët e origjinës së lashtë pellazge.
Një studiues me emër e mbiemër të konvertuar, me qëllim për t’u paraqitur sa më serioz si studiues (edhe i huaj edhe shqiptar), na tregon se ka 50 vjet që u marrka me studime të pellazgjishtes dhe nga leximi i studimit të Kristo Frashërit, “qenka detyruar të ndërhyjë për të dhënë përgjigje në disa nga pyetjet e shumta, dhe veçanërisht për keqinterpretimet, kontradiktat dhe gënjeshtrat lidhur me pellazgët (dhe grekët) që disa shqiptarë mohojnë ekzistencën e tyre”.
Çka mbetet të thuash për doktor Adhamudhin e mjerë, i cili donte t’ iu mësonte shqiptarëve me çdo kusht alfabetin e tij, arabo-turk dhe e flaku me zemërim, “vivllën” për të cilën kishte derdhur aq mund, sepse shqiptarët “bukëshkalë” nuk ia pranuan atë. Madje Adhamudhi i mirë dhe i mjerë kishte vajtur edhe më tej se ky studiuesi i sotëm. Ai u zotua se do ta djeg librin, bashkë me alfabetin dhe do t’ i lë shqiptarët në errësirë. Adhamushi kishte inat, po se po edhe dinjitet të shqiptarit. E tha dhe e bëri. Këta adhamudhët e kohës sonë kanë zbuluar “dyzenin e Nastradinit”1.) dhe nuk ka fakt apo argument që i bind se shkenca ka kritere, ka metodologji, ka fakte e argumente relevante dhe nuk bëhet dot me hamendësime, amputime, deformime e shkarravina.
Ahmet Qeriqi
- 11. 2015
1). Njëherë Nastradini ekzekutonte me sharki dhe kishte vendosur gishtin vetëm në njërën nga 12 perdet, tjetrën e lëvizte mbi telat. Një i pranishëm i drejtohet.
– Mor Nastradin, të gjithë këngëtarët i luajnë gishtat sa lartë poshtë në sharki, ndërsa ti ke ngulur gishtin me një vend?
-Të gjithë ata këtë vend kërkojnë, por nuk e gjejnë. Unë e gjeta dhe nuk kam nevojë t’i shëtis gishtat poshtë lartë, ia kthen Nastradini.