Pirro Prifti

Pirro Prifti: Fushata mediatike pro-Kadare, një falsifikim i panevojshëm

Ka disa ditë që ish nomeklatura e kuqe dhe partnerët e tyre në ndarjen e trashëgimisë morale dhe mateirale të së kaluarës, kanë hapur një fushatë të tërë për të treguar se si, dhe se sa, ishte persekutuar Kadare, dhe se si, dhe se sa, shkrimtarë e tjerë `mediokër` sipas Kadaresë ishin të gjithë spiunë.

Në emisionin e News 24 tv të mbrëmëshme por dhe në gazetat e përditëshme vazhdon një përpjekje për të të nxirë  shkrimtarët e kohës së rregjimit komunist (shumë nga të cilët jetojnë edhe sot), dhe përpjekja tjetër është ajo për të ngritur lart fanarin e Kadaresë si një përfaqësues i letërsisë shqipe të vërtetë të asaj kohe (dhe të sotme) e cila nuk ishte as më pak dhe as më shumë një letërsi socialiste- larg realizmit real dhe kritik të sotëm.

Kjo zhurmë dhe ky intensitet debatesh dhe deklarimesh në të cilat merr pjesë dhe i persekutuari Ngjela, të krijon një shije të keqe duke berë një deduksion se me cfarë intelektualësh kemi patur të bëjmë në të kaluarën dhe me cfarë intelektualësh kemi të bëjmë sot.

Arsyet e fshehta se përse ky shkulm i papritur për të mbrojtur dhe lavdëruar Kadarenë dhe për të sharë Lidhjen e Shkrimtrëve të së kaluarës ku vetë Kadareja ishte anëtar, nuk janë të vështira të gjënden.

Dihet që në atë periudhë të diktaturës PPSH dhe veçanërisht Enver Hoxha, si pjesë e strategjisë për të ruajtur pushtetin e tij sa më gjatë, i nevojitej inteligjenca shqiptare  dhe sidomos inteligjencia e artistëve dhe shkrimtarëve të Shqipërisë. Përse?

Sigurisht për të mbajtur popullin në gjëndje inaktive dhe të obsesionuar pas bëmave të PPSH dhe të tij , i nevojiteshin jo vetëm Demagogjia partiake dhe `fryma revolucionare` për formimin e njeriut të ri; detyrimisht dhe në mënyrë diabolike duke marrë shëmbull nga BRSS, Enveri ftoi së pari dhe në mënyrë të favorizuar- shkrimtarët dhe artistët për tu bërë anëtarë të PPSH, krijoi Lidhjen e Shkrimtarëve pikërisht për këtë qëllim dhe indirekt u dha të kuptojnëse atyre se po të ishin pjestarë të kësaj Lidhjeje, automatikisht do të ishin edhe partnerë (në fakt leva) në drejtimin e vëndit, por dhe do të përfitonin moralisht dhe materialisht nga ky mobilizim.

Sigurisht shkrimtarët dhe artistët e morën mesazhin dhe u atashuan drejtpërdrejt në këto organizata.

Në fakt kishte një shumicë shkrimtarësh e artistësh mediokër si në çdo vënd të botës, por kishte dhe shkrimtarë dhe artistë të talentuar dhe ata nuk ishin pak, ashtu siç kërkon të minimizojë Kadareja dhe përkrahësit e tij sot që aktualisht janë po ata njerëz apo partnerë që kanë qënë përfituesit direktë para dhe pas viteve `90.

Këta talente Enveri i shfrytëzoi djallëzisht, por edhe disa  talente si Kadareja, përfituan maksimalisht si nga fama ashtu dhe nga ana materiale, pra ishin në atë kohë, dhe mbetën në këtë kohë të privilegjuarit e shtresës intelektuale.

Talentet që nuk bashkëpunuan dhe që ishin parimorë dhe të ndershëm , ata u dënuan pa mëshirë nga ai rregjim dhe ata nuk ishin pak por njihen fare mire sot.

Përse Kadareja u përkrah në atë kohë por edhe po përkrahet në këtë kohë?

Në shkrimet e mija të mëparshme për Kadarenë e kam spjeguar se përse, dhe shkurtimisht po theksoj se Kadareja përkrahu me vetëdije Enver Hoxhën, përkrahu me vetëdije PPSH, dhe përdori talentin e tij për ti zgjatur jetën rregjimit duke nxjerrë në pah idenë djallëzore se : `uji nga burimi del i pastër, por ndotet aty poshte`, pra i krijoi për shumë vite Enver Hoxhës, alibinë e të qënit njeri i madh, udhëheqës i madh etj, etj.

Populli e deshte Enverin në atë kohë jo vetëm nga demagogjia e tij apo nga aftësia spektakolare për të hipnotizuar masat, por edhe sepse shkrimtarët dhe artistët flisnin mirë për të veçanërisht Kadare, i cili spikati me talentin e tij për ta dredhur dhe për tu bërë i pari shkrimtar i oborrit dhe më i afti për të zënë miqësi familjare qoftë më familjen Hoxha, qoftë me familjen Shehu, e më vonë me R.Alinë.

Më i ndërlikuar paraqitet problemi se përse, 24 vite më vonë, hapet një fushatë e madhe për ta bërë Kadarenë- një Hero të së kaluarës, por dhe të sotmes?

Përse kërkohet që Kadare të zërë vëndin e parë e në pjedestalin e shkrimtarëve më të talentuar të asaj kohe dhe të kësaj kohe?

Përse kërkohet që Kadare duhej të ishte, dhe të mbetet sot si një i persekutuar?

Argumentat janë të shumtë. E vetmja gjë që i ka ngelur Kadaresë peng por dhe ithtarëve të tij është që ai të jetë edhe sot në pjedestalin e nderimit, por për të qënë i tillë duhet të jesh i perekutuar, dhe të jesh i tillë nuk besohet lehtë nga populli.

Po e fillojmë nga pyetja e fundit që të spjegohen të treja.

Dihet që Kadare ishte idhull i artit dhe i letërsisë në kohën e PPSH. Ngjarjet e pas `90 ja humbën shkelqimin tinzar si yllit të socializmit.

Menjëherë Kadare dhe PPSH u përpoqën që të kthejne përmbys të kaluarën e tyre me qëllim që të rrinin si tapa mbi ujë edhe në këto kohëra të demokracisë kapitaliste, të kësaj demokracije që ishte sharë me aq pathos nga shkrimtari ynë i talentuar, i cili kishte marrë plot tituj dhe poste të rëndësishme në kohën e shkuara në saje të servilizmit të tij politik.

Ky plan filloi me largimin e tij në Francë sikur atë po e ndiqte sigurimi i shtetit (interesant sepse lejen, dhe miratimin, ikjen me aeroplan e mori direkt nga Sekretari i Parë i asaj kohe).

Kjo alibi nuk ndezi, dhe shumë njerëz të cilët po u hapeshin sytë tashme veçanërisht inteligjencia, e kuptuan se kishin të bënin me një djallëzi për të ruajtur privilegjet nga ana e Kadarese, por edhe jë djallëzi nga PPSH e cila ishte në ethe për të gjetur një drejtues të ri shqiptar i cli të mbronte të kaluarën dhe ata.

Të dy djallëzitë puqeshin por nuk patën sukses sepse Kadare ishte shumë i ekspozuar dhe një eksponent i shquar i PPSH (Zv/Kryetar i Frontit Deokratik dhe Deputet i PPSH për disa legjislacione të asaj kohe), ndoshta plani dështoi se Kadare nuhati që nuk mund të drejtonte një shtet të shëmbur dhe as të ndihmonte ish përkrahësit e tij komunistë, sepse ai nuk ka ndihmuar ndonjë deri më sot.

Plani vazhdoi me largimin e tij me bisht në shalë në Francë, dhe botimi i disa librave të tjerë, nuk patën suksesin e e atëhershëm.

Problem i madh mbeti se Kadare nuk mori dot çmimin Nobël megjithse u përpoq disa herë. Shkaku është sepse Kadare me veprën e tij në kohën e Diktaturës kur u njoh botërisht me ndihmën e PPSH (kujtoni se veprat e tij i përktheu po i njëjti përkthyes që përkthente veprat e Enverit në frëngjisht), nuk kishte asnjë mesazh për popullin e tij dhe sigurisht as për botën, përveç një  fryrje të një krenarie kombëtare boshe.

Vepra e tij pas viteve `90 mbetet një vepër plot hije dhe gropa, sepse sigurisht në këtë vepër ai anulonte ato që kishte thënë në të kaluarën, kështu që mesazhi i veprës së tij pas viteve `90 mbetet anonim dhe assgjë e veçantë për talentin e tij të vlerësuar nga diktatura; i vetmi mesazh që mbetet nga Kadare është mesazhi aspak human: `bëni çtë mundni për të lënë Nam, mos kurseni asnjë`. Epo me këtë mesazh nuk fitohet Nobeli.

Së fundmi, del pyetja: përse kjo fushatë pro Kadare pas 24 vitesh demokraci post komuniste? Problemi qëndron sepse Kadare kërkon të mbetet në qëndër të vëmëndjes, pra të jetë personi që le NAM dhe që duhet të kujtohet patjetër në të ardhmen.

Dhe kjo do të ndodhë me sa duket, sepse në botë ngelen në histori si i miri ashtu dhe i ligu ashtu dhe artificat.

Të tre gjendjet e personaliteteve të tillë mbeten në histori për të kujtuar se si mund të bëhesh i mirë, se si të mos bëhesh i keq, dhe se si të ruhesh nga i djallëzuari..

Del dhe një problem i fundit: përse këta njerëz të së kaluarës dhe këto media plot me partnerë që përfituan nga e  kaluara po vazhdojnë ti thurrin lavde një personi i cili talentin e tij e vuri në shërbim të diktaturës?

 Për Nostalgji? Ndoshta,

Për përfitim material nga Kadare? Mendoj se jo.

 Po për cfarë?

Mendoj se për të ngelur në histori si përkrahës të Kadarese  (sepse vetë nuk mund të mbeten në histori sepse janë njerëzpa identitet të fortë), apo sepse kanë bërë të njëjtën gjë në kohën e PPSH pavarësisht se nuk patën suksesin e .

Mendoj se kjo është e vërteta.

Këta njerëz nëpërmjet Kadaresë identifikojnë vehten e tyre se si u përpoqën ti serviloseshin PPSH, se si përfituan duke e lavdëruar PPSH, dhe duke e sharë PPSH pas viteve `90, se si PPSH i futi ne burg sepse kërkuan më shumë seç duhej, dhe se si sot, shoqëria shqiptare përpiqet të harrojë emocionalisht dhe shpirtërisht një të kaluar të trishtuar e të dhimbshme, por që hijet e të kaluarës nuk po  e lënë të qetë të zhvillojë si shoqëri identitetin e saj të ri një një demokraci perëndimore, me talente të reja që e fitojnë vetë suksesin e tyre pa përkrahjen e ndonjë partie politike, ashtu si përfitoi Kadare në të shkuarën dhe kërkon edhe sot të na kujtojnë mot`në e shkuar, -një e kaluar që nuk na nderon.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …