Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, është shprehur i bindur se me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Lëvizjes Vetëvendosjes, strukturat e kësaj lëvizje do të jenë më vitale, më aktive dhe më të përgjegjshme. Kurteshi këto komente i bëri në Këshillin e Qendrës së Prishtinës, ku morri pjesë edhe kandidati për kryetar të Lëvizjes Albin Kurti, por jo edhe Shpend Ahmeti. Ky i fundit mungoi edhe dje kur Kurti prezantoi platformën e tij. Ndërkohë, të pranishmëve iu drejtua vetëm Kurteshi, i cili tha se është i sigurt që nuk do t’i zhgënjejnë qytetarët e Kosovës përkundër mosmarrëveshjeve të fundit që i kanë pasur brenda partisë. Ai ka folur edhe për mosmarrëveshjet që e kanë karakterizuar këtë parti muajt e fundit, ku disa anëtarë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Vetëvendosje.
“Këto mosmarrëveshje ose do të tejkalohen ose nga Lëvizja do të shkojnë vetëm ata të cilët nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me konkurrencën e cila parashihet me statutin e Lëvizjes, ata të cilët nuk janë të gatshëm t’i respektojnë procedurat dhe statutin e Lëvizjes, sepse një gjë e tillë është e domosdoshme për ne si aktivistë. Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi dhe përherë e kemi ngritur zërin se ne e duam Kosovën shtet ligjor dhe nuk e dëshirojmë askënd të jetë mbi ligjin. Për secilën organizatë politike, e në këtë rast edhe për Lëvizjen Vetëvendosje vlen kjo që askush nuk është mbi ligjin, e brenda organizatës sonë nuk mund të lejojmë që dikush të jetë mbi statutin. Pra, të gjithë ne do të duhej që patjetër t’i respektojmë këto norma të cilat vetë i kemi aprovuar dhe natyrisht që edhe vetë do t’i respektojmë”, tha ai.