Sot në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare, Universitare, “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë, organizuar nga Forumi i Krijuesve të Artit të Prishtinës dhe Shtëpia botuese “ORFEU”, u përurua Trilogjia e autorit, Avni Dehari: “GJERGJAT NË DRITA PËRKRENARESH” (romanet e saj “DRAGOI”, “UDHËKRYQI” dhe “FLAKADANËT E LIRISË”). Kjo është e para vepër për fëmijë e të rinj e letërsisë shqipe, që përfshin gjithë jetën dhe luftërat e Gjergj Kastriotit që nga lindja, më 6 maj 1405 e deri në kalimin e tij në amshim, më 17 janar 1468.
Në fjalën e tij para të pranishmeve, shkrimtari dhe redaktori i librit, Rushit Ramaja foli për Janarin e Skenderbeut, pastaj për trilogjinë, në të cilën autori ka përfshirë një periudhë 70 vjeçare. Ai veçoi faktin se Avni Dehari, me mjeshteri të rrallë, në qasjen e tij historike dhe artistike e ka pasqyruar me sukses atë periudhë kohore. Më pas, disa aktorë të rinjë lexuan pjesë nga librat, me temë nga Betejat e njohura të Skenderbeut. Recenzenti i librit, Nebih Bunjaku shpalosi në detaje përmbajtjën e Trilogjisë: “Gjergjat në drita perkreneresh” të autorit, Avni Dehari. Në fund të përurimit të librit, shkrimtari e publicisti, Avni Dehari falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në përurimin e librit. Ai falenderoi edhe bijtë e tij, Arbnorin dhe Astritin, ndërsa veçoi faktin se tre librat ua ka kushtuar atyre.
Në këtë përurim të këtij libri kanë marrë pjesë edhe shumë zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, deputetë e aktivistë, të cilët u bënë bashkë në nderim dhe respek të familjes Dehari dhe autorit të librit, Avni Dehari.(RKL)