Dita e sotme do ta qartësojë përfundimisht enigmën mbi Gjykatën Speciale. Kryesia e Kuvendit do të mblidhet sot në orën 11:00, ku në rend dite ndër të ka edhe Projektligjin për Shfuqizimin e Dhomave të Specializuara. Me këtë rast do të bëhet e ditur nëse ky projektligj do të përcillet më tutje në Kuvend apo jo, shkruan Zëri.info. Deputetët e PDK-së, të cilët kanë nënshkruar nismën për shfuqizimin e Speciales (ndonëse kanë thënë se qëndrojnë prapa asaj), kanë bërë të ditur se do ta respektojnë qëndrimin e partisë, cilido që të jetë ai. Ndërkaq, AAK-ja e Nisma kanë njoftuar se do të votojnë pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale po qe se ky projektligj do të dalë para deputetëve. Nga ana tjetër, përderisa LDK-ja ka pohuar se do ta bllokojë këtë nismë duke mos marrë pjesë fare në mbledhjen e Kryesisë, Lëvizja “Vetëvendosje” duke mos qartësuar nëse do të marrë pjesë apo jo ka thënë se është kundër rrugës që po ndiqet për shfuqizimin e Speciales. Me këtë rast përfaqësues të këtij subjekti kanë deklaruar se nuk e votojnë këtë projektligj (nëse shkon në Kuvend) pa u plotësuar disa kritere paraprakisht. Kurse përfaqësuesit e OVL-UÇK-së janë shprehur të bindur se sot do të nisë zhbërja e Speciales, në të kundërtën kjo organizatë do të ndërmarrë hapa të tjerë në këtë drejtim.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …