Sot, me aktivitete të ndryshme kulturore, tematike, shkencore, kudo në trojet shqiptare dhe në mërgatë do të shënohet 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Në shënim të kësaj date me rëndësi kombëtare, Qeveria e Shqipërisë vitin 2018 e ka shpallur Vitin e Skënderbeut. Manifestimet dhe aktivitetet në përkutjim të Motit të Madh do të mbahen gjatë tërë vitit. Jeta dhe vepra e Skënderbeut janë vënë në bazament të identitetit kombëtar të shqiptarëve, sidomos nga koha e Rilindjes sonë Kombëtare e cila u manifestua me programin politik dhe ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për krijimin e një Shqipërie unike të katër vilajeveve shqiptare të kohës.
Sot, 550 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kemi dy shtete shqiptare në Ballkan. Shqipërinë e cila ka shpallur pavarësinë më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe Kosovën e cila pavarësinë e saj e ka shpallur më 17 shkurt të vitit 208. Shqiptarët në Maqedoninë ilirike kanë përparuar në drejtim të realizimit të të drejtave të tyre kombëtare, ndërsa shqiptarët e tri komunave të Kosovës Lindore kanë mbetur nën Serbi, ashtu sikur edhe trojet shqiptare nën Mal të Zi. Arvanitasit në Greqi kanë humbur identitetin e tyre kombëtar e gjuhësor, por kanë ruajtur dhe ruajnë me fanatizëm identitetin kulturor. Më e dhembshmja në tërë këtë histori është Çamëria e zbrazur tërësisht nga çamët, të cilët janë dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre, ndërsa Greqia pretendon se kjo çështje nuk ka ekzistuar as ekziston.
Sot me pietet përkujtojmë arbëreshët e Italisë, të cilët për 550 vjet të mërgimit të tyre kanë ruajtur gjuhën, kulturën, traditat, të lidhura ngusht me Motin e Madh, me kujtimin për kryetrimin e Shqipërisë, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
Fenomeni arbresh në ruajtjen e identitetit kombëtar meriton një përkujdes të veçantë, jo vetëm me përmasa kombëtare, por edhe botërore, sepse është i vetmi entitet në Evropë, i cili për 550 vjet ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat kombëtare në një shtet të huaj, gjithsesi mirëpritës, sikur ka qenë dhe është për ta Italia, Atdheu i tyre i dytë, ku ata asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk u persekutuan, nuk u ndoqën dhe nuk u bë ndonjë presion në asimilimin e tyre, sikur ka ndodhur me shqiptarët në Greqi e në vendet e tjera të Ballkanit. Ideja që identiteti arbresh të njihet si vlerë e veçantë e trashëgimisë kulturore në UNESCO, duhet të mbështetet fuqishëm, në mënyrë institucionale nga Shqipëria dhe Kosova, pse jo edhe nga Italia mike.
Shqiptarët kudo ku janë, kudo ku jetojnë në trojet e tyre etnike apo të shpërndarë në katër anët e rruzullit tokësor, ata që kanë në mendje dhe zemër kombin e Atdheun me të drejtë ndihen Skëndebegas, pavarësisht, përcaktimit të tyre fetar, politik apo ideologjik. (RKL)