Konventa zgjedhore e PDK-së pritet të qartësojë shumë gjëra me reflektime të gjera në jetën politike, pritet që politikat që stolisin gjendjen të zëvendësohen me politika që ndryshojnë gjendjen.
Një fshatar që ishte musafir në një fshat, u thoshte bashkëbiseduesve: “Kemi patur dimër aq të madh tek ne sa një mace duke u bredhur nga një çati shtëpie në tjetrën, ngriu në hava”. Këtë fjalë të mysafirit e dëgjoi pa dashje edhe Nastradini dhe ia ktheu: “Këtë verë në fshatin tonë një shqiponjë e rrëmbeu një gomar dhe u ngjit, e u ngjit”. “Veç ule ca”- ia kthen musafiri. “Po nuk e ule macën tënde, as gomari nuk ulet”- përfundoi Nastradini.
Gjendje e tillë është krijuar në politikën kosovare, e cila duhet ndryshuar gjithsesi nëse politika veç mëton të jetë përfaqësuese e interesave të qytetarëve, në të kundërtën do të kemi rritje të vargut të të zhgënjyerve. Mendoj që të ketë ardhur koha e një fillimi të ri në politikën kosovare, e një ripërtërirje kualitative dhe padyshim që kjo nisje duhet të filloj nga partia lidere në vend, pra PDK-ja, për t’u shtrirë domosdoshmërisht edhe tek partitë tjera. Konventa zgjedhore e PDK-së pritet të qartësoj shumë gjëra me reflektime të gjera në jetën politike, pritet që politikat që stolisin gjendjen të zëvendësohen me politika që ndryshojnë gjendjen. PDK-ja, së pari në rradhët e saja e më pastaj do të reflektoj edhe tek të tjerët sepse ka ardhur koha për debatin që i prodhon dhe stabilizon idetë politike në interesin e vendit, pra për një politikë të substancës, e cila do ta fuqizonte politikën, të cilën e përcaktojnë zgjedhësit. Konventa e PDK-së, veç aspektit juridiko-formal të zgjedhjes së të parit të partisë, do të qartësoj objektivën e saj të ripërtëritjes dhe bazë e saj gjithsesi do të jetë integrimi i interesave që duhet bërë në bazë të një përfytyrimi për të mirën e përbashkët, për t’i dhënë imazhin sa më gjithëpërfshirës shoqërisë dhe veshur politikën me petkun konceptual. PDK-ja pas Konventës Zgjedhore me siguri se do të ofroj politika, të cilat jo që e stolisin gjendjen në fushën e sundimit të ligjit, fushën e arsimit, shëndetësisë e tjerë, por që e ndryshojnë gjendjen duke mos kursyer askënd që vënë pengesat e zbatueshmërisë.
Shumica aktuale qeverisëse dhe vërtetësia politike
Konventa zgjedhore e PDK-së me siguri që do të arrijë që pas një analize të funksionimit të koalicionit qeverisës përballë programit të saj, t’i precizoj qartë objektivat karshi këtij qëllimi të ripërtëritjes. Do të dëshmoj se ka ardhur koha që qartësisht shumica tani të tregoj edhe vërtetësinë e veprimeve politike dhe qeverisëse, e cila më pas krijon besimin pa të cilin vështirë e ka të jetoj demokracia. Orientimi i tillë padyshim që do të krijoj ambient, ku politika në Kosovë do t’i kthehet mendimit pozitiv përkundër lëndimeve individuale a grupore, asaj më nuk do t’i mungojnë idetë e të gjithëve për të ndërtuar konceptin e qartë programor nacional, e i cili tregon e trason rrugën, të cilën breza të tërë e filluan. Pas Konventës Zgjedhore, Kosovës e skenës së saj politike nuk do t’i mungojnë idetë politike rregullative dhe flakur ato konfliktuale, pasi njerëzit kanë nevojë të afrohen e bashkohen rreth tyre
Konventa Zgjedhore e PDK-së dhe konsnsusi primar
Për të bërë kapërcimin kualitativ, shoqëria dhe politika në Kosovë, ambicien nuk duhet ta ndërtoj me debate për të kaluarën por mbi problemet e tashme dhe së ardhmes për të eliminuar skepticizmin e mosbesimin e qytetarëve në jetën institucionale e mbase edhe politike. Konsideroj që konventa e PDK-së do të dijë që këtë dialog së pari ta përfundoj brenda strukturës së saj, e më pas të jetë objektivë që të arijë një konsenzus edhe me partitë tjera politike. Një konsenzus i tillë gjithsesi duhet të arrijë po në këtë formë me qëndrime të qarta rreth dialogut me Serbinë dhe mundësitë e qartësimit të tij për vazhdimin e tij në rrethana të reja konform interesave afatgjate të vendit e rajonit. Qartësi programore dhe ofertë për arritje të konsenzusit primar, kjo konventë duhet të ofroj edhe për pozicionin e qartë politik karshi projektit të shtetndërtimit të Kosovës bashkë me faktorin ndërkombëtar dhe integrimeve të Kosovës në këto procese. Konsenzusi primar gjithsesi duhet të qartësohet e ofrohet edhe partive tjera politike edhe për respektim të rregullave që përcakton demokracia, për pozicionin e politikës kosovare në gjeopolitikë e shumë fusha tjera. Konsideroj se konventa zgjedhore e PDK-së do të qartësoj shumë gjëra me interes së pari për vet partinë, por që do të reflektojnë edhe tek partitë tjera. Në Kosovë, në jetën politike të saj duhet të ketë qartësime dhe arritje të konsenzusit primar politikë, e i cili më pastaj hap stigje për konsenzusin sekondar, siç janë reformat zgjedhore e çështje tjera dytësore. Gjithçka mund të arrihet, po që se ekziston qëllimi dhe vullneti.