leoni

MINISTRI LEKAJ ME BASHKËPUNËTORË VIZITOI PUNIMET NË AUTOSTRADËN “ARBËN XHAFERI”

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi punimet në autostradën “Arbën Xhaferi”, duke u njoftuar nga afër më përparimin e arritur në punime në këtë pjesë të mbetur të kësaj autostrade. Lekaj ka deklaruar se segmenti i kësaj autostrade nga Ferizaj e deri në Doganaj, do të përurohet në qershor të këtij viti, ndërsa pjesa e tjetër në fund të vitit 2018-të. Po ashtu ministri Lekaj, ka sqaruar edhe njëherë se shuma nga 63 milionë euro, është pretendim i kompanisë “Bechtel & Enka” dhe se ai asnjëherë nuk ka thënë se do të paguhet, duke sqaruar më tej se janë në bisedime me kompaninë “Bechtel & Enka”  për këtë pretendim, që Ministrisë së Infrastrukturës i bie barrë nga qeverisja e kaluar. “Ne sot dolëm për të vizituar punimet që janë duke u bërë në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe pamë një përparim të dukshëm, kurse lajmi i mirë është që ky segment i rrugës nga Ferizaj e deri në Doganaj do të përfundohet deri në qershor dhe kështu i afrohemi kufirit me Maqedoninë për njëzet kilometra të tjera, ku pastaj mbeten edhe 20 kilometrat e fundit, apo segmenti i fundit që përfundon me 31 dhjetor të këtij viti. Unë jam kënaqur me punët e kryera dhe do të jemi të kujdesshëm që të kryejmë edhe ne obligimet tona, por do të kërkojmë edhe standarte të larta. Sa u përket 63 milionë eurove të pretenduara nga kompania “Bechtel & Enka”, unë e kam sqaruar mjaftë mirë, se ajo nuk i takon periudhës tonë  të 100  ditëshit, por i takon periudhës tri vjeçare 2014-‘15 dhe ’16, ku qeverisja paraprake nuk i ka kryer obligimet e veta dhe ka ardhur deri te ky pretendim i këtij 63 milionëshi, por që asnjëherë nuk kam thënë se do të paguhet, por që do të negociohet dhe e falënderoj edhe kompaninë “Bechtel & Enka” për gatishmërinë  që kjo shumë të negociohet dhe se obligimeve kontraktuale dhe ligjore nuk do t’u shmangemi. Ndërsa për 100 ditët tona vërehen përparimet dhe theksoj se janë bërë të gjitha shpronësimet, është përfunduar segmenti i dytë  dhe segmenti i tretë pritet të përurohet në qershor, kurse në tërësi ky projekt përfundon me 31 dhjetor 2018”, ka thënë ministri Lekaj. Ndërsa, drejtori i projektit i kompanisë „Bechtel & Enka“, Riyadh Alkhazjari, ka falënderuar ministrin Lekaj për bashkëpunimin e sinqertë dhe tejet konstruktiv, që nga momenti kur ai ka ardhur në krye të Ministrisë së Infrastrukturës. “Kjo është një vizitë e rregullt që ministri Lekaj ua bënë punimeve në mbikëqyrje të përparimit të punimeve të këtij projekti kyç infrastrukturor. Jemi të mobilizuar në këtë segment të fundit të autostradës pranë kufirit me Maqedoninë, këtu në Elez-han. Ne jemi në vazhdimësi duke përparuar sipas planit dhe kërkesës së ministrit. Jam i lumtur të konfirmoj se me ndihmën dhe lidershipin e ministrit, kemi shënuar përparim në hapjen e segmentit të ri që u bë deri në Ferizaj, ndërsa jemi në rrugë të mbarë që ta hapim edhe segmentin tjetër siç e tha edhe ministri deri në Doganaj në qershor të këtij viti. Dua ta falënderoj tërë ekipin e inxhinierëve dhe ekipin e ministrit, por në veçanti ministrin, i cili që kur ka marrë në udhëheqje ministrinë, ka mënjanuar shumë pengesa që na mundësojnë ne të lëvizim suksesshëm drejt finalizimit deri në fund të këtij viti dhe presim mbështetje nga ai edhe më tutje që ky projekt të jetë një sukses për qytetarët e Kosovës dhe rajonin”, ka thënë Riadh Alkhazjari. Në fund të vizitës, ministri Lekaj, ka konfirmuar se ky projekt do të përfundoi me kohë dhe nuk do të ketë asnjë vonesë për asnjë projekt që ka ndikim në zhvillim të vendit. Lekaj ka konfirmuar se në vitin 2019-të do të fillojë së ndërtuari edhe autostrada e Dukagjinit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …