Nuk do të ndodh integrimi i Serbisë në BE pa një marrëveshje me Kosovën, këtë e ka thënë ambasadori francez në Beograd, Frederik Mondoloni, duke porositur se duhet shfrytëzuar shansin që Ballkani gjatë gjysmës së parë të këtij viti do të jetë ndër prioritet në agjendën e BE-së. Franca është mik i Serbisë dhe miqtë ua thonë të vërtetën. Kështu mendoj që kryetari Vuçiq dhe Qeveria Serbe e dinë dhe unë e di që populli serb gjithashtu e di, se nuk do të ketë integrim të Serbisë në BE pa një marrëveshje të Kosovës, tha Mondoloni. Ky është më shumë se një kusht. Populli serb nuk duhet të zgjidhë çështjen e Kosovës për të kënaqur BE-në, por për të ardhmen e vet, për të rifituar paqen në rajon, për të prosperuar ekonomikisht, dhe që fëmijët tanë dhe fëmijët tuaj të thonë se shpirtrat e së kaluarës janë prapa nesh, vuri në dukje Mondoloni.
