Mero Baze

Mero Baze: Një kronologji lidhur me të gjitha deklaratat kontraverse të Sali Berishës më 21 janar 2013

Arta Marku është e re në atë zyrë dhe si e tillë, para se të shfletojë dosjen e “21 Janarit”, po i përmbledh qëndrimet publike të Sali Berishës që e bëjnë atë fajtor për vrasjet, për prishjen e provave dhe për pengimin e drejtësisë. Nuk po flas për gjëra që janë në dosje shërbimesh apo hetime prokurorësh. Po jap detaje nga qëndrimi i tij publik, të cilat i kam përsëritur disa herë. Qëndrimi i tij publik, provon të tria veprat penale, edhe vrasjen, edhe fshehjen e provave dhe pengimin e drejtësisë – shkruan Mero Baze, i cili ka publikuar një kronologji të deklarimeve të Berishës në 21 janar.

Më 21 janar në orën 19.30 minuta, Sali Berisha doli para shtypit, i bindur se do t’ia arrinte të fajësonte për vrasjen e tre qytetarëve, opozitën. Ai tha:

“Në këto përleshje kanë humbur jetën tre qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues. Përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit “tunizian”, mbi pinjollët e “benalive” shqiptarë. Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave, theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë, i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura.”

Më poshtë ai tentoi të japë dhe prova se vetë qytetarët ishin bindur se vrasjet i bëri opozita. Ishte interesante, por ai foli në orën 19:30 për një ngjarje që kishte ndodhur rreth orës 19:15 minuta në Spitalin Ushtarak, ku një grua nga Tropoja i është hakërryer Preç Zogajt, pse i ishte plagosur vëllai polic me gurë në demonstratë. Aq “online” ishte Berisha për të prodhuar një akt të tillë, sa doli para medieve dhe e shtrembëroi ngjarjen duke zëvendësuar gruan nga Tropoja, që doli që nuk kishte as vëlla polic, me “motrën” e Aleks Nikës, plagosur, që më vonë humbi jetën. Ja çfarë ka thënë po më 19:30:

“Opozita organizoi një skenar puçist, e paralajmëroi atë, organizoi skenarin tunizian. Përgjigje opozitës i dhanë familjarët e njërit prej viktimave, i nxorën jashtë ata: “Dil jashtë kriminel, na vrave vëllanë”. Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta…..Përshëndes, ndonëse në fatkeqësi, familjarin e njërit prej këtyre viktimave, i cili do t’i thoshte në Spitalin Ushtarak njërit prej këtyre drejtuesve kryesorë të kësaj dhune: “Largohu kriminel, na vrave vëllanë”, dhe në prani të personelit do ta nxirrte jashtë nga dhoma. Motra e shkretë, megjithëse kishte në gjendje shumë të rëndë vëllain, por që nuk kishte humbur arsyen, i dha atë që meritonte këtij shoku.”

Nga ana tjetër, i sigurt që gazetarët nuk kishin filmuar vrasjet, ai sulmoi publikisht në konferencë një gazetar, i cili ishte plagosur, duke i shpuar plumbi dorën në krah të Hekuran Dedës, që u vra pasi ishte tek vendi ku rrinë gazetarët. Ja çfarë thotë Berisha:

“Mund t’ju bëj një pyetje: Ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre. Çfarë ndodhi me kamerat tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.”

Këto janë çfarë ai ka thënë më 21 Janar në orën 19:30, i bindur se do t’i funksiononte skenari, që demonstruesit i vrau opozita. 22 janari u gdhi ndryshe, pasi u publikua në mesnatë, video ku dukeshin qartë ata që vranë dhe ata që u vranë. Skenari i parë i Berishës nuk pinte më ujë. Por ai me të njëjtën vendosmëri nisi betejën e dytë, atë të fshehjes së provave, frikësimit të autorëve të vrasjeve, mbajtjes peng të tyre, mosdorëzimin në prokurori dhe kërcënimin e opozitës, gazetarëve, kryeprokurores dhe presidentit, si “puçistë”.

Në fjalimin e tij në mbledhjen e qeverisë më 23 janar paradite:

“Pas konferencës së shtypit i kam kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë. Kryeministria ka një sistem videosh te vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos policia. Kamerat tuaja ishin të plota. Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat.”

Sipas kësaj deklarate të bërë në datën 23 janar, i bie që më 21 janar rreth orës 20:00 në mbrëmje, Sali Berisha të ketë thirrur në zyrë Gjergj Lezhjen dhe t’i ketë thënë këto që thotë më sipër, pra që të kontrollojë serverin e Kryeministrisë dhe të nxjerrë andej pamjet filmike dhe t’i vërë në dispozicion të prokurorisë.

Këtë e thoshte më 23 janar. Siç doli më vonë nga ekspertiza amerikane, serveri i Kryeministrisë është fshirë rreth orës 01:00 të natës duke u gdhirë 22 janari. Pra, i bie që Gjergj Lezhja e ka marrë porosinë, ka kontrolluar pamjet filmike, është tmerruar nga ato çfarë ka parë, ka bërë një kopje, ia ka çuar Berishës në zyrë dhe Berisha ka urdhëruar për të fshirë serverin. Djallëzia e Berishës shkon në ekstrem. Ai qëllimisht flet më 23 janar për server të paprishur të Kryeministrisë, që sot të ketë alibi se ai nuk dinte gjë që ishte prishur.

Një vit më pas, kur FBI ka sjellë ekspertizën në Tiranë dhe paraqet si problem faktin se ky server është fshirë natën e 21 janarit, shihet qartë se Berisha çdo hap drejt alibisë së tij e ka bërë me vetëdije. Siç bëjnë vrasësit profesionistë.

Më 22 janar Ina Rama i kishte çuar ministrit të Brendshëm gjashtë urdhër- arreste që përfshinin zinxhirin komandues të Gardës, që nga komandanti deri tek qitësi i dyshuar për vrasës. Ministri i Brendshëm ka refuzuar. Arsyeja sipas tij është se nëse ai dorëzon ata, Garda kapitullon, pasi ushtarët dëshpërohen. Është një arsyetim që të lë pa fjalë. Në logjikën infantile të atij që quhej ministër i Brendshëm, kishte një psikozë lufte. Ai e quante Gardën një repart që duhet të ruante moralin e lartë për të mbrojtur pushtetin e tij. Dhe sipas kësaj logjike, shteti ligjor po u ngatërrohej nëpër këmbë në luftën e tyre me armiqtë.

Kryeprokurorja është detyruar t’ia bëjë më të lehtë duke i thënë se ata thjeshtë do merren në pyetje dhe mund të lihen të lirë. Por asgjë nuk ka  funksionuar. Tensioni është rritur dhe ministri i Brendshëm me ligësi i ka kërkuar të shprehej dhe Presidentit, për një gjë flagrante, për një kundërshtim të Kushtetutës. Ai i ka treguar ligjin dhe kjo ishte sikur t’i tregoje burgun.

I vetmi që ka pranuar t’i dëgjojë, ka qenë ambasadori amerikan. Ai ka hyrë në mes të këtij konflikti të pastër ligjor, duke inkurajuar prokuroren për hetime, por dhe duke bindur Berishën se vetë nuk është “pjesë e puçit”.

Për herë të parë në historinë e një shteti ligjor, një kryeministër mori përsipër moszbatimin e urdhrave të kryeprokurores duke u vetëshpallur vetë agresor, vetë gjykatës, vetë prokuror dhe vetë garant i Kushtetutës. Në të vërtetë ky ishte i vetmi element real i grushtit të shtetit atë ditë. Atë e kishte bërë Sali Berisha.

Rezistenca e Berishës për të mos dorëzuar gardistët vazhdoi dhe pasdite, në komunikimin mes Prokurorisë dhe Drejtorisë së Policisë. Më në fund, drejtori Burgaj kishte gjetur zgjidhjen. Urdhër-arrestet kishin “lapsuse të papranueshme”.

Dhe Berisha e gjeti lidhjen mes puçistëve. Meqë Bamir Topi refuzoi të futej në këtë mes, meqë Ina Rama këmbënguli gjithë ditën t’i arrestonte gjashtë të dyshuarit për vrasje dhe meqë Edi Rama atë pasdite vonë kishte deklaruar se Berisha po refuzonte të dorëzonte vrasësit, atëherë dilte që Bamir Topi, Ina Rama dhe Edi Rama kishin një plan të koordinuar.

Tragjikomedi. Pasditen e së dielës, në seancën e posaçme në Kuvend, teza kishte avancuar. Ishte futur në listë dhe SHISH. Sipas Berishës, në zarfin që SHISH i kishte dërguar në zyrë në datën 20 janar, kishte zero informacion për “puçin”!

Aq shumë ishte autosugjestionuar nga ideja se ishte para një puçi, sa tani i kërkonte dhe SHISH-it ta kishte parë atë ëndërr një ditë para se t’i fanepsej atij. E vuante shumë idenë se SHISH-in nuk e kishte nën kontroll. E vuante më shumë që ata raportonin më shumë tek ndonjë vend mik i Shqipërisë se sa tek ai. Dhe ju duk rast i artë t’i hiqte qafe me këtë rast.

Para deputetëve shpjegoi qartë dhe skenarin. Foli për dy lloj zarfesh me lekë, një për transportin dhe një për “luftën”. I pari kishte 10 deri 20 mijë lekë, i dyti 200 deri 300 mijë lekë. Shpjegoi se si para “Dajtit” ky grup kishte marrë një drogë sintetike.

“U shpërnda thuhet një lloj droge sintetike, për këtë duhet të bëhen analizat se për këtë nuk kam dijeni, u shpërndanë gurë dhe të gjitha mjetet e tjera…”.

Komisioni u ngrit dhe  u bë kujdes të gjendeshin deputetë që nuk prishnin punë dhe nëse bëheshin qesharakë, e shihte se skenari nuk po ecte. U ngrit një Komision dhe në krye të tij u emërua Eduard Halimi. Detyra ishte e qartë: Të terrorizonte prokurorinë dhe të baltoste sa të mundej presidentin, SHISH-in dhe median kritike me Berishën.

Kërkesa e tij e parë e lexuar nga Gent Strazimiri, ishte dhe më tragjikomikja, por që përputhej me psikologjinë e Sali Berishës. Shpalli si kokë të puçit katër gazetarë, që sipas tij kishin udhëhequr skenarin e grushtit të shtetit.

Por pasi kaloi furtuna e gazetarëve puçistë, Perëndimi u pa se po u jepte mbështetje “puçistëve” dhe ky ishte një problem i madh për  Berishën. Presidenti i Republikës dhe kryeprokurorja u bënë destinacioni i ri i diplomatëve. Berisha u tërbua dhe shpërtheu. Në një takim më 24 janar me efektivë të policisë dhe familje të tyre, iu turr me një fjalor rrugaçëror Ina Ramës dhe Bamir Topit. Të parin e quajti “horr bulevardi”, të dytën “lavire bulevardi”. Sofistikimi i tij për “puçin” kishte ecur përpara.

Argumentet pse ai nuk dorëzonte gardistët tani ishin të ndryshme nga një ditë më parë. Më 22 janar argument ishte demoralizimi i zinxhirit komandues të Gardës, më 23 janar bënte thirrje të merrej filmimi i serverit të Kryeministrisë që vetë e kishte fshirë qysh më 21 janar dhe më 24 janar thoshte ata nuk kanë prova, dhe provë të vetme kanë rregulloren e Gardës që lë përgjegjësinë tek zinxhiri komandues. Ishte duke sulmuar “skenarin B të puçit”, që sipas tij lidhej me marrjen e pushtetit përmes gjyqësorit dhe prokurorisë. Skenari A përmes armëve kishte dështuar. Në të vërtetë, kishte dy skenarë, por ato ishin tek Berisha. Skenari A i tij ishte që vrasjet i bëri opozita dhe skenari B ishte që meqë u bë grusht shteti, vrasje do ketë. Siç e tha vetë në Parlament dhe para policëve, në raste të tilla nuk ka rëndësi sa vriten.

“Në një grusht shteti mund të mos vritet asnjë, mund të vriten 3, 30 apo 300. Grushti i shtetit nuk mund të kalojë. Kjo është absolute. Forca e institucioneve të një shteti demokratik është e hekurt. Mjerë ata që e provojnë!…”

Këto janë të gjitha publike. Kemi një kryeministër që ka urdhëruar vrasjen e katër qytetarëve, ka dhënë me vetëdije një version që ata i vrau opozita me armë surprizë, ka tentuar të manipulojë opinionin publik, pastaj ka ndryshuar qëndrim dhe ka shpallur atë që quhet “grusht shteti”.

Prokurorja e Përgjithshme duhet doemos të hetojë këto qëndrime, ose të hetojë vrasjet, ose “puçin e shtetit”. Nëse ajo beson se opozita bëri “puç shteti” ta hetojë si të tillë. Pra, ajo është e lirë ta hetojë Berishën dhe Bashën, ose si vrasës ose si viktima. Por duhet t’i hetojë, pasi së paku katër vetë janë vrarë dhe vrasjet nuk mund të parashkruhen. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …