leoni

Dr. sc. Emine Kalaja-Hajdari: “Shndërrimet në Dardani gjatë periudhës romake

Dr. sc. Emine Kalaja-Hajdari: “Shndërrimet në Dardani gjatë periudhës romake

(Proceset ekonomike, social-politike dhe kulturore)

Në dhjetor të vitit 2017, u botua libri i parë i autores Emine Kalaja-Hajdari SHNDËRRIMET NË DARDANI GJATË PERIUDHËS ROMAKE (Proceset ekonomike, social-politike dhe kulturore), studim monografik ky që, plotëson një boshllëk për sa i përket trajtimit kompleks të problematikave që përfshinë tema e zgjedhur në tërësinë e territorit të Dardanisë.

Me anë të këtij studimi monografik autorja, përmes ndërthurjes së të dhënave të burimeve të shkruara antike, epigrafike, si dhe rezultateve të gërmimeve arkeologjike, në veçanti të atyre të viteve të fundit, sjell të dhëna të reja duke kontribuuar në çuarjen përpara dhe thellimin e njohurive lidhur me procesin e shndërrimeve social-ekonomike, politike dhe kulturore që e karakterizuan Dardaninë gjatë periudhës romake.

Në aspektin e konceptimin metodologjik, bazuar në materialin e grumbulluar dhe çështjet që shtrohen për t’u trajtuar, monografia është organizuar në katër kapituj kryesorë. Duke marrë për bazë faktin se ndryshimet socio-ekonomike, politike dhe kulturore në Dardani pas pushtimit romak mund të matën vetëm duke njohur zhvillimet e gjithëmbarshme para pushtimit të saj, në kuadër të kreut të parë fillimisht janë trajtuar aspekte të përgjithshme të organizmit politik, ekonomik, kulturor dhe shoqëror të Shtetit Dardan. Kreu i dytë trajton organizimin administrativ të Dardanisë pas pushtimit romak, zhvillimet e gjithëmbarshme ekonomike, strukturën etnike, besimin etj. Kurse në kuadër të kreut të tretë është trajtuar procesi i urbanizimit në Dardani, duke filluar nga qendrat e mëdha urbane e deri tek ato rurale, zhvillimi i tyre kronologjik, statusi dhe roli që kishin ato në proceset e shndërrimeve ekonomike, socio-politike dhe kulturore që e karakterizuan Dardaninë gjatë sundimit romak, rrjeti rrugor dhe stacionet rrugore. Në kuadër të kreut të katërt është marrë në shqyrtim procesi i romanizimit me të gjitha specifikat e tij, duke filluar nga ecuria e tij shikuar nga prizmi i përmasave socio-ekonomike dhe anëve kulturore. Pastaj, është trajtuar shtrirja e tij në Dardani, kategoritë shoqërore që e pranuan me shpejtë atë, si dhe qëndresa e popullatës dardane ndaj këtij fenomeni.

Libri përmban edhe korpusin e mbishkrimeve latine dhe greke. Sigurisht që nuk mund të pretendohet që aty janë përfshirë të gjitha mbishkrimet e mundshme të zbuluara në Dardani, megjithatë, ky korpus paraqet korpusin me të plotë të përmbledhur ndonjëherë të mbishkrimeve nga Dardania. Në disa raste mbishkrimeve u janë bërë edhe rishikime në lexim. Në përbërje të monografisë janë përfshirë edhe harta, planimetri dhe fotografi të ndryshme.

(Dr. sc. Emine Kalaja-Hajdari është hulumtuese e Pavarur në Institutin e Historisë, në Prishtinë)

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Doli nga shtypi vëllimi 19-të i monografisë “Feniksët e lirisë” 

Në vazhdim të realizimit të projektit për botimin e monografisë për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare …