leoni

Hysen Dreshaj - Besniku: Degradimi i vlerave të shtet-ndërtimit të shoqërisë sonë

Hysen Dreshaj – Besniku: Degradimi i vlerave të shtet-ndërtimit të shoqërisë sonë

Viteve të fundit në Kosovë, ka filluar një degradim i përgjithshëm i vlerave në shoqëri; edhe pse në vend , ende nuk janë tharë lotët e mijërave shqiptarëve të vrarë mizorisht, edhe pse ende jemi në kërkim të mijëra trupave të zhdukur, edhe pse në Kosovë, ende janë me trauma mijëra gra të dhunuara, edhe pse ende shihen kudo gjurmët e krimit dhe të terrorit shtetëror serb, e në Kosovë po zhvillohet një fushatë e pistë kundër çlirimtarëve.

Kjo fushatë, në përmasa me të vogla, vazhdoi që nga paslufta, por me fillimin e krijimit të Gjykatës Speciale, ajo sa vjen e rritet!.

Duket sikur janë përzier vlerat dhe kundërvlerat, dhe kjo nuk është e rastësishme, ngase për këtë janë angazhuar shumë ,,misionarë” të cilët janë vënë në shërbim të politikave antikombëtare.

Në rrënimin e këtyre vlerave më të zëshmit janë ish–UDB-ashet dhe nostalgjikët e vëllazërim-bashkimit.

Ish-UDB-ashet, është e natyrshme; që ata dikur janë futur me dashje, apo pa dashje në kthetrat e pushtetit okupator, dhe është e natyrshme që ata, nuk mund të shkëputen lehtë nga rruga e tyre-e pistë.

Për këtë, ata edhe sot vazhdojnë misionin e tyre; për përmbysjen e vlerave kombëtare, duke i njollosur ata që dhanë më së shumti për lirinë e Kosovës, për të cilën liri, patëm nevojë të gjithë ne, por më së shumti kjo kategori, sepse këta ishin më të robëruarit.

Po ashtu, këtij misioni i janë bashkuar edhe nostalgjikët e vëllazërim-bashkimit, të cilët dikur, duke qenë të afërt me pushtetin dhe më “pobratimat” e tyre, patën përfitime dhe pushtet.

Për këtë, duke e ndjerë se ka përfunduar koha e tyre, ata për humbjen e ndikimit në shoqëri fajësojnë UÇK-në, e cila ua prishi rehatinë e tyre.

Kjo pjesë e ligë e shoqërisë, duke qenë se ishin njerëz të privilegjuar nga pushteti dhe duke qenë se me forcën e pushtetit ushtronin ndikim në shoqëri, sot i bënë ata, që, edhe 18 vite pas lufte, të mos pajtohen me realitetin e ri. Andaj edhe vjellin vrer dhe helm kundër atyre që ua prishen rehatinë.

Është bërë rutinë, që të gjitha vrasjet e pasluftës, të zihen në gojë vetëm gjatë fushatave politike, jo vetëm në media të caktuara, por edhe nëpër debate nga analistë të njëanshëm politikë, dhe të cilët e promovojnë vetën për parti politike.

Drejtohet gishti sa këndej sa andej, madje deri në Parlament dhe asnjë reagim nga drejtësia. Nuk merret askush as me të akuzuarin dhe as me akuzuesin.

Pra, nuk është njerëzore, që këto vrasje, të përdoren për përfitime politike, apo inate personale. Ato janë barrë për tërë shoqërinë dhe duhet të zbardhen sa më parë. Përndryshe, ato kanë mbetur si një plagë e hapur në shoqëri, dhe po u jepet mundësia çdo kujt, që përmes këtyre plagëve, të shkaktojnë dhimbje, duke drejtuar gishtin sipas tekeve, apo inateve personale.

Andaj, drejtësia ta kryejë punën e vet, dhe t’i sjellë para drejtësisë të gjithë autorët e krimeve, kushdo çofshin ata.

Është e natyrshme, që këtë e kërkojnë familjarët e tyre, e kërkon edhe shoqëria, por e kërkoj edhe unë si ish-pjesëtar i UÇK-së, ngase mos veprimi i drejtësisë, disi po e humb dhe zbeh imazhin e UÇK-së.

Kjo, po ndodhë, sepse iu la hapësirë, për llomotitje, të pandershmëve, atyre që përherë ishin në anën e kundërt me popullin, dhe që këto raste dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për destabilitet të vendit dhe për të futur huti në mesin e luftëtarëve të lirisë.

UÇK-ja lindi nga populli dhe ishte e popullit. Ishte e ndershme dhe meritore për lirinë e vendit, ngase pa pushkët çlirimtare nuk do të kishim as liri, as aleat dhe as përkrahje ndërkombëtare.

Ajo kishte një datë të fillimit, por edhe të mbarimit, prandaj nuk është e ndershme të hidhen akuza në drejtim të saj, edhe për ngjarjet e pasluftës; qoftë edhe nëse ato kryhen nga ish-pjesëtarë të saj.

Duket sikur u harruan krimet e kryera nga shteti dhe ushtria serbe. Duket qe disa njerëz, të pandershëm, çoftë në disa media, çoftë nëpër oda të burrave, (ndeja, të pame, etj.), me tepër kanë interesim që UÇK-ja të nxirret kriminale, se sa Serbia.

Këta njerëz janë bërë misionarë të së keqes dhe shkojnë deri aty sa deklarohen se “të gjithë komandantët e UÇK-së, dhe të gjithë ushtarët e UÇK-së, janë hajna e kriminelë”.

Po ashtu janë fyese dhe ofenduese etiketimet edhe ndaj veprimtarëve të më hershëm, që me gjakun e tyre skuqen muret e qelive në burgjeve të ish-Jugosllavisë. Këta njerëz me deklarime të tilla i bëjnë dëm vendit dhe popullit, në njëfarë mënyre duke e shfajësuar Serbinë dhe duke e bartur autorësinë e krimit tek ne.

Populli i din të gjitha, e njeh të ndershmin dhe të pandershmin, atdhetarin e tradhtarin. I njeh edhe ata që dikur i mbushen burgjet me bijtë e bijat me të mira të këtij vendi.

Ata, që tani janë e kaluara jonë e errët, ne sot, nuk kemi nevojë për “mësimin ” e atyre që dikur e kishin plot gojën “nacionalizëm”, “irredentizëm” e që na dhanë edhe dajak.

Është koha, që ne si shoqëri të vetëdijesohemi dhe mos t’u japim hapësirë të tillëve. Ti nxjerrim nga oda e burrave të pandershmit, sepse ata po e degradojnë edhe Odën e Burrave.

Mediat, mos t’ia botojnë shkrimin e pa vlerë, sepse e degradojnë edhe median edhe shoqërinë. Të merret drejtësia me të akuzuarit, por edhe me akuzuesit (shpifësit).

Dhe krejt në fund, ta duam shtetin tonë, dhe t’i respektojmë institucionet tona, sepse me gjak i ndërtuam. Aty kemi gjakun e Jasharëve, gjakun e Zahirit e Ilirit, Luanit e Adrianit. Aty kemi gjakun e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, Rexhep Malës e Nuhiut, Jusuf Gervallës e Kadriut. Aty kemi qëndresën e Bacës Adem, rininë e vëllezërve e motrave në burgjet jugosllave. Aty kemi vuajtjet dhe rënkimet e popullit. Andaj mos gjuani me gurë se dhëmb.

Pra, ta bëjmë Kosovën ashtu siç e deshën çlirimtarët, dhe siç e duam edhe ne.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …