Andea Danglli: Kadare e meriton Shtëpinë –Muze, por si është katandisur ajo e Dritëro Agollit?

U lumturova që në Gjirokastër u ngrit një shtëpi-muze për Kadarenë. E meriton shkrimtari ynë me famë botërore për të dëshmuar një pjesë të jetës, edhe më shumë e meritojnë lexuesit besnikë për të njohur një copës të së shkuarës, të cilën deri më sot e kanë gjetur vetëm mes librave të tij. Tek sa ndiqja kronikat televizive që pasqyronin këtë godinë, në mendje më erdhi një shtëpi tjetër për të cilën është folur pak apo thënë më mirë aspak.Nuk dua të vendos peshore vlerash mes gjenive të letërsisë shqipe, por zhvillimet në Gjirokastër më ngacmuan duke më sjellë panoramën e trishtë që e gjej gjithnjë sa herë që udhëtoj mes Devollit.

Më erdhi në kujtesë një shtëpi e rrënuar, me xhama të thyer, me dyer të shqyera, me çati të grisur, me mure të rrjepur, me suva të rrëzuar, që qëndron pa fjalë në mes të një fshati që një njeri i vetëm e ngriti në piedestalin e nderit kudo nëpër katër anët e botës! E kam fjalën për strehëzën e improvizuar që nisën t’ia ndërtojnë Dritëro Agollit në fshatin Menkulas të Devollit, ku prej vitesh ajo ngre krye si një gërmadhë që mban brenda vetes veç premtime boshe dhe asgjë më shumë.

Është një shtëpi, apo më saktë një ish-zyrë kooperative të cilën ka kohë që përpiqen ta transformojnë në një shtëpi-muze për ikonën e letërsisë shqiptare. Historia e këtij projekti zë fill më 5 tetor 2001 kur përpara kësaj godine, përfaqësues të Komunës Miras dhe të shoqatës “Devolli”, prenë shiritat e inaugurimit për çeljen e punimeve që do ta shndërronin atë në një ambient ku do të pasqyrohej jeta e poetit.  Në këtë ditë, Dritëroi mes fjalës së tij nuk e fshihte dot gëzimin e madh që ndjente për këtë dhuratë nderi që po i bëhej. Ai ndër të tjera tha se do të sillte një pjesë të sendeve vetjake që ruante nga vegjëlia deri më sot për ti ekspozuar. Në një intervistë dhënë asaj periudhe, poeti deklaroi se kishte nisur të grumbullojë dhe përzgjedhë çdo objekt që do të vendosej në atë muze (gazeta “Devolli”, tetor 2001). Në kërkimet e bëra në brendësi të gazetës “Devolli”, në arkivat e ish-komunës Miras si dhe duke ju referuar fjalës së ish-punonjësve pranë këtij institucioni, për objektin në fjalë u akordua një fond prej 28 milionë lekësh të vjetra nga Ministria e Kulturës, të cilat duhej të shpenzoheshin për rikonstruktimin e kësaj godine dhe shndërrimin e saj në një shtëpi-muze.

Këto para u përkthyen veç në disa lopata betoni të cilat u hodhën për ti zënë sytë dhe mbyllur gojën poetit dhe atyre që besuan se një ditë brenda asaj ndërtese do të mund të gjenin ato dhjetëra dorëshkrime, libra, fotografi, sende apo mure që flisnin për një rrugëtim të tijin drejt pavdekësisë.  Mjafton ta shohësh pamjen e saj sot për të kuptuar se ajo shumë parash veç për muzeun nuk mund të jetë shpenzuar. Askush nuk e mësoj dot se cila firmë mori përsipër punimet, pasi gjithçka u krye në mënyrë të fshehtë. Edhe ish-anëtarët e këshillit të kësaj komune (viti 2001) të pyetur konfidencialisht nuk dinë më shumë se kaq.  Po atë kohë, prej komunës Miras u vunë në dispozicion edhe 10 milionë lekë të vjetra për mobilim. Këto para u fshehën nën pretendimin e komunës se mobiliet u blenë dhe u vodhën.

Por burimet e financimit të këtij projekti vazhdojnë:

Disa donatorë e kujtojnë mjaft mirë atë periudhë sepse edhe ata kontribuan duke mbledhur një shumë prej 8 milionë lekësh të vjetra për të cilat shoqata “Devolli” vazhdon të ngrejë supet e saj. E kalkuluar e gjithë kjo shumë parash arrin në vlerën e 46 milionë lekësh të vjetra ku me to nuk u ble qoftë dhe një pllakat për turistët që adhurojnë veprën e tij.

Ishin këto fondet që pas prerjes së shiritave duhet të ngrinin vendin ku vizitorët të gjenin gjurmët e Dritëro Agollit, por pas asaj dite ngjarjet rrodhën ndryshe.

Punimet nisën të radhoheshin çdo herë e më shumë deri sa heshtën për t’ia lënë vendin harresës.

Sot jemi 15-vite pas këtyre ngjarjeve dhe gjendemi përballë një godine që vazhdon të përdoret si karrem premtimi nga politikanët për të peshkuar elektoratin duke përdorur emrin e Agollit.

Koha hodhi dritë mbi çdo premtim për të shfaqur gënjeshtrat e mëdha që iu thurën njeriut të madh.

Në veprën e poetit mund ta gjesh lehtësisht vendlindjen, ndërsa në vendlindje është krejt e pamundur ta gjesh poetin.

Edhe sa do të presin lexuesit dhe adhuruesit e veprës së Dritëroit për të prekur një pjesë të jetës së tij?!

Deri kur do të vazhdojnë premtimet, mashtrimet, talljet me nderin e kombit?!

Pse duhet të presim ditën kur kjo ëndërr të shndërrohet në amanetin e tij?!

E di, ditën që ai do të mbylli sytë do t’i afrohemi pranë, do t’i thurim fjalime të bukura, do t’i themi sa i ndritur ishte emri i tij dhe pastaj do të fillojmë të ngremë atë që ai nuk do ta shohë kurrë.

Tek shoh pamjet se si është katandisur gërmadha me emrin Dritëro Agolli, vras trurin se çdo të thoshte Dritëroi sot përballë saj!

Përgjigjen e marr nga disa vargje të cilat ka kohë që më janë skalitur në mendje:

“Në vendin tim e në vendin tënd,

Një i çmendur, një vend e çmend!”

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …