Dr. Ledion Kristafi: Në politikën e jashtme, fuqia relative e një shteti përcakton edhe marrëdhëniet me të

Dr. Ledion Kristafi: Në politikën e jashtme, fuqia relative e një shteti përcakton edhe marrëdhëniet me të

Fakti që qeveria shqiptare sot bën atë që kishte refuzuar ta bënte qeveria shqiptare 43 vjet më parë, tregon se fuqia relative e Greqisë kundrejt Shqipërisë sot është shumë më e madhe se 43 vjet më parë dhe rrjedhimisht prirja e Shqipërisë për t’u nënshtruar është gjithashtu shumë më e madhe se 43 vjet më parë.

Në politikën e jashtme fuqia relative e një shteti përcakton në një masë të madhe marrëdhëniet e tij veçanërisht me shtetet fqinje. Një shtet, fuqia ekonomike dhe ushtarake e të cilit është shumë më e vogël se e fqinjit të tij, vështirë se mund të arrijë marrëveshje dypalëshe që të jenë edhe në interesin e tij, për arsye se shteti fqinj që është ekonomikisht dhe ushtarakisht shumë më i fortë, e shfrytëzon këtë fuqi më të madhe relative për të çuar përpara interesat e tij dhe jo të fqinjit më të dobët.

Në një situatë të këtillë pak a shumë gjenden marrëdhëniet shqiptaro-greke qysh nga rënia e regjimit komunist në Shqipëri. Nga të gjithë fqinjët kufitarë të Shqipërisë (Greqi, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi) Greqia është i vetmi shtet fuqia relative e të cilit (ekonomi+ushtri) është shumë më e madhe se e Shqipërisë. Për këtë arsye pozicioni i Shqipërisë kundrejt Greqisë në çështjet problematike ndërmjet të dy vendeve është një pozicion dobësie, në të cilin Shqipëria e ka të vështirë, në mos të pamundur të arrijë mbrojtjen e interesave të saj.

Pavarësisht krizës ekonomike dhe financiare tashmë 9 vjeçare të Greqisë, ekonomia greke e shprehur në vlerën e Prodhimit të Brendshëm Bruto është shumë herë më e madhe se e Shqipërisë, ndërkohë që të ardhurat për frymë të popullsisë greke janë gjithashtu disa herë më të mëdha se të ardhurat për frymë të shqiptarëve.

Disbalanca ndërmjet dy vendeve shtrihet edhe në shkëmbimet tregtare dhe investimet greke dhe shqiptare në vendet përkatëse. Shqipëria ka pothuajse 5 herë më shumë importe nga Greqia se sa eksporte drejt Greqisë. Greqia është partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë pas Italisë. Gjithashtu sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, Greqia është investitori më i madh i huaj në Shqipëri, me 25% të të gjithë investimeve të huaja në vend.

Përsa i përket pjesës ushtarake, disbalanca ndërmjet dy vendeve dhe veçanërisht dobësia e Shqipërisë kundrejt Greqisë, është gjithashtu shumë e madhe. Sipas rradhitjes nga Global Firepower Index 2017 Greqia është e 28-ta në botë për fuqinë ushtarake, ndërkohë që Shqipëria gjendet në vendin e 90-të. Nëse krahasimit i futemi pak më thellë në numrin e avionëve, tankëve, helikopterëve, mjeteve detare, etj., shohim se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka krahasim fare. Deklaratat e viteve të fundit të ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos, tregojnë se Greqia është plotësisht e ndërgjegjshme për fuqinë shumë më të madhe relative që ka kundrejt Shqipërisë dhe mund ta shfrytëzojë atë në marrëdhëniet dypalëshe.

Këtij pozicioni dobësie të madhe ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë kundrejt Greqisë i shtohet dhe fakti që Greqia është anëtare e Bashkimit Evropian ndërsa Shqipëria synon të bëhet pjesë e BE-së, dhe synimi i Shqipërisë duhet domosdoshmërish të kalojë edhe nga një miratim grek. Çështja e emrit të Maqedonisë dhe reagimi grek ndaj saj shërbejnë fare mirë për të përshkruar këtë pikë.

Dobësitë e sipërpërmendura nuk shpjegojnë të gjithë politikën kokulur të Shqipërisë kundrejt Greqisë në 25 vitet e fundit, por janë një gur themelimi mbi të cilin mund të ngrihet shpjegimi.

Këto dobësi e bëjnë pothuajse të pamundur arritjen e një zgjidhjeje të çështjeve shqiptaro-greke që të jetë në interesin edhe të Shqipërisë, jo vetëm të Greqisë. Që zgjidhjet të jenë edhe në interesin e Shqipërisë, duhet që Shqipëria në rradhë të parë të kujdeset për përparimin ekonomik dhe rritjen e fuqisë ushtarake. Nuk mund të fitosh gjë kur je në pozicion të dobët.

Çështjet që po diskutohen kohët e fundit në takimet dypalëshe shumë të mediatizuara ndërmjet ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, në thelb janë çështje që Greqia ka me Shqipërinë dhe jo çështje në interesin e të dy vendeve ose vetëm në interesin e Shqipërisë. Shqipëria nuk po kërkon të ndërtojë ndonjë varrezë ushtarësh në territorin grek, as nuk po kërkon të përfitojë ndonjë gjë më shumë nga marrëveshje për kufirin detar, as nuk po interesohet për të drejtat e ndonjë minoriteti shqiptar në Greqi, as nuk po shqetësohet se si trajtohet, nëse i jepet nënshtetësi ndonjë shtetasi shqiptar që mund të jetë kreu i Kishës greke. Madje një prej çështjeve të përmendura në raportimet e medieve, ajo e pronave të Kishës Ortodokse, nuk ka asnjë lidhje me Greqinë. Sigurisht që bëhet fjalë për pronat e Kishës shqiptare, jo asaj greke. Pse duhet që Shqipëria të diskutojë me Greqinë për pronat e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare?!

E parë në këtë këndvështrim, qëllimi i bisedimeve shqiptaro-greke më së shumti është që Shqipëria të bindet të lëshojë pe për çështje që kanë interes për Greqinë dhe jo për Shqipërinë. Shqipëria, të paktën publikisht, nuk është duke zhvilluar bisedime me Greqinë për njohjen nga pala greke të dhunës dhe dëbimit masiv të dhjetra mijëra shqiptarëve nga Çamëria, as për të ngritur ndonjë varrezë në territorin grek për ata që u vranë nga bandat greke apo humbën jetën rrugës prej dëbimit nga shtëpitë dhe tokave e tyre; ashtu siç nuk po zhvillon bisedime çështjet e tyre të pronave të lëna pas në Greqi apo për faktin që sot popullsia e mbetur e atyre zonave vazhdon të flasë shqip, gjë që nuk njihet nga shteti grek.

Shqipëria me Greqinë duhet të zhvillojë bisedime të këtilla vetëm kur fuqia relative e Greqisë kundrejt Shqipërisë të mos jetë kaq e madhe sa të krijojë disbalanca që sjellin prirje nënshtrimi ndaj palës greke dhe gjithashtu duhet të zhvillojë bisedime vetëm kur Greqia të njohë dhe të pranojë veprimet shkombëtarizuese dhe shfarosëse që ka kryer kundër shqiptarëve në gjysmën e parë të shekullit XX.

Kërkesa greke për varrezat e ushtarëve të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore është bërë që në vitin 1973, më pas në 1975, 76, 77, 78 dhe 1982. Ashtu siç Ministri i Jashtëm Shqiptar Ditmir Bushati tha në tetor të vitit të kaluar, qeveria shqiptare e asaj kohe i parashtroi Greqisë dy praktikat e zbatuara më herët me Italinë dhe Britaninë e Madhe për çështje të ngjashme dhe asnjë prej tyre nuk përfshinte ngritjen e varrezave. Fakti që qeveria shqiptare sot bën atë që kishte refuzuar ta bënte qeveria shqiptare 43 vjet më parë, tregon se fuqia relative e Greqisë kundrejt Shqipërisë sot është shumë më e madhe se 43 vjet më parë dhe rrjedhimisht prirja e Shqipërisë për t’u nënshtruar është gjithashtu shumë më e madhe se 43 vjet më parë.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …