Ministria shpërblen xhudistët për sukseset e arritura

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistët Distria Krasniqi e Akil Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultateve të arritura në Kampionatin Evropian të Xhudos i cili u mbajt në nëntor të vitit të kaluar në Podgoricë, në një vlerë të përgjithshme prej 12.750 euro. Në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare, ministri Gashi, i ndau shpërblimin prej 5,000 euro xhudistës Distria Krasniqi, e cila fitoi Medaljen e Artë në këtë kampionat në kategorinë deri në 52 kg. Ndërkaq, xhudistit Akil Gjakova i takoi shpërblimi në vlerë prej 3,500 euro, për fitoren e Medaljes së Argjendtë në kategorinë deri në 73 kg, kurse trajneri Driton Kuka mori shpërblimin 2,500 euro si trajner i Distria Krasniqit dhe 1,750 euro si trajner i xhudistit Gjakova. Ministri Gashi duke vlerësimin për sukseset që kanë arritur sportistët e Kosovës tha se “Ministria do të vazhdojë të jetë në mbështetje dhe përkrahje, por jo vetëm për xhudon por për të gjitha disiplinat sportive dhe në mbështetje të vazhdueshme edhe për Federatën.” Ai po ashtu tha se të gjithë ata sportistë që sjellin rezultatet do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e Ministrisë. Ministri Kujtim Gashi nënvizoi edhe nënshkrimin e Rregullores për sponsorizim nga ana e MKRS-së e cila ju mundëson sportistëve dhe sportit në përgjithësi që të kenë edhe një mënyrë të re të financimit, përmes bizneseve dhe donatorëve të ndryshëm dhe kjo mundëson edhe më shumë zhvillimin e sportit në përgjithësi por edhe të sportistëve në veçanti. Nga ana e saj, xhudistja Distria Krasniqi falënderoi ministrin Gashi për fjalët dhe mbështetjen. Akil Gjakova, tregoi se ndjehet i gëzuar që ka arritur të kthehet me medalje nga Kampionati Evropian. Ai theksoi se “do të vazhdojë të punojë që rezultatet të mos mungojnë. Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, tha se është kënaqësi e veçantë që ndodhet në këtë ngjarje ku MKRS shpërblen sportistët për arritjet e tyre me çmime me vlerë monetare.

Kontrolloni gjithashtu

Arnitë Kastrati, fituese e “Çmimit të Orkestrës” në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës të RTK-së

Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati bashkë me Drejtoreshën komunale të Arsimit, znj. Arbëreshë …