Intervistë me Safete Shalën, motrën e dëshmorit të kombit, Kasim Shala

Intervistë me zonjushën, Safete Shala, motra e dëshmorit, Kasim Rexhep Shala

RKL: E nderuara zonjushë, Safete, jemi në afrim të ditëve të 19-vjetorit të rënies dëshmor të vëllait Tuaj, Kasimit, për fillim çka mund të na thoni lidhur me  fëmijërinë e tij?

Safete Rexhep Shala: Po. Në fakt, kujtimi për Kasimin është përherë i pranishëm në mendjen dhe zemrën time dhe tërë tërë familjes. Por kur ofron përvjetori është një ndjenjë krejtësisht tjetër, ngase të kujtohet rënia, të kthehet në kujtesë  ajo ditë sa  e dhembshme dhe e pikëlluar aq edhe  krenare e lavdishme. Nuk është e lehtë të mbetesh pa vëlla, por rënia më pushkë në dorë për mbrojtjen e tokës arbërore, të larë në gjak brez pas brezi, ishte mbi të gjitha, madje edhe u pagua me  jetën dhe gjakun e tyre. Vëllai i im, Kasimi, kishte një fëmijëri tjetër nga të tjerët. Ai në moshë fare të re dallohej për shumë çka, lexonte shumë shkruante…

RKL:  Viti i  lindjes së Kasimit është edhe viti i shpërthimit të kryengritjes shqiptare të vitit 1981. Ai së bashku me brezin e tij, rritej dhe kalitej në Kosovën e robëruar. Dimë se sa ishte në shkollë të mesme, ai ishte rrahur nga policia serbe, si kishte ndodhur ajo dhunë e ushtruar mbi të?

Safete Rexhep Shala: Po, Kasimi ka lindur në vitin 1981, në kohën e vlimeve të mëdha, në kohën kur Kosova po ri zgjohej kombëtarisht. Ai është rritur i frymëzuar nga ato ideale, me kërkesën, Kosova republikë.  Në vitin 1998, ka marrë pjesë në demonstratat e  të organizuara në Pejë. Atë ditë  është rrahur brutalisht nga policia serbe Kasimi, por edhe  pjesëmarrësit e tjera në protesta nga fshati ynë. Kjo ka ndodhur në ditën e rënies dëshmor të  Qerim Muriqit, gjatë protestave.

RKL: A ishit në dijeni të veprimtarisë atdhetare të vëllait Tuaj. Me kë mbante kontakte ai?

Safete Rexhep Shala: Në fillim jo, por pas disa muajsh Kasimi i kishte lënë një letër tezakut tonë, Muratit, me anë të së cilës e kishte informuar që së bashku më djalin e xhaxhit, Mërgimin, kishin shkuar në Drenicë. Pastaj ka mbajtur kontakte ilegaliteti me Hamdi Berishën e Elez Berishën, tani të dy dëshmorë të kombit. Kasimi  kishte mbajtur kontakte edhe me Mentor Dervishaj në kohën sa ishte student,  por ne kemi marrë vesh më vonë. Por me rastin e vajtjes  për ngushëllime te familja e dëshmorit të kombit Mentor Dervishaj, ( gjatë luftës kanë rënë tre vëllezër dëshmorë: Mentori, Menhendi e Menderesi),  unë e kuptova që tashmë Kasimi veç ishte në aktivitete të përbashkëta me luftëtarët e lirisë. Për ne ky ishte lajmi i parë për kyçjen asokohe të Kasimit në radhët e UÇK-së.

RKL: Si e pritet lajmin kur Kasimi ju tregoi se ishte pjesë e së lavdishmes Ushtri çlirimtare të Kosovës?

Safete Rexhep Shala: Për në si familje nuk ishte e pa pritur ngase Kasimi veç ishte rritur dhe edukuar në një frymë të tillë kombëtare. Para se gjithash ai nuk e duronte dot okupimin serb. Por duke qenë në studime ka bërë lëvizje të shpeshta, në relacionin Prishtinë Pejë. Atëkohë lëvizjet ishin të vështira, gjithkund kishte prani të forcave ushtarake e policore  serbe. Kasimi morri çantën me libra e rrobe, erdhi në shtëpi ku i la ato dhe mori rrugën për në Shqipëri, ku kishte shkuar  për herë të dytë radhazi, me qëllim për  të sjell armë dhe armatim për nevojat e luftës. Herën e parë në Shqipëri kishte shkuar në vitin 1998 në ofensivën e njohur të Loxhës. Kur u kthyen iu bashkëngjitën luftëtarëve të lirisë në atë Betejë derisa mbaroi ajo.

RKL: Vëllai Juaj, dëshmori Kasim Shala ka mbajtur shënime ka shkruar skica rrëfime e poezi poetike, të cilat i ke ruajtur me dashuri e përkushtim, si motra për vëllanë, kur i ke lexuar  ato shënime dhe çka do të na veçoje për këtë intervistë?

Safete Rexhep Shala: I kam lexuar të gjitha sa e sa herë dhe i lexoj, por për këtë rast do të veçoj disa prej tyre: Pas masakrave, në Drenicë, ai në një fletë të fletores së tij ka shkruar: “Ta mbrojmë Drenicën”. “I sunduari s’është i vdekur, as i gjallë! Ai me shpresë vdes, i uritur…”, ka shkruar në një poezi të tij Kasimi, më 10 shkurt të vitit 1998. A mund të përfytyrohet shpirti shqiptar, qëndresa dhe dëshira për ta jetuar Lirinë natyrore? Aty e masakruan pjesën tonë të trupit e të shpirtit. Sa e pikëllueshme ! Tërë këtë po e quajnë një lojë politike. Edhe pse po e shohin, nuk po e besojnë të vërtetën…” Kasimi, përveç dhjetëra poezive, ka shkruar edhe disa skica e tregime. Pra vetëm t’ i lexoni këta rreshta mund ta kuptoni shpirtin e Tij.  Ose vargjet si këto:

 

“A s’jemi njerëz të kënaqësisë fatkeqe?

Pa mbishkrim mbi varre iu kemi lënë,

Më ndjeni, ju flas me drithërima në trup, …

 RKL:  Tani të dalim në një temë tjetër. Ju, që nga mbarimi i luftës keni qenë dhe jeni pjesë e shoqatave të dala nga lufta e  UCK-së, sa mendoi se kanë bërë institucionet e Kosovës për familjet e dëshmorëve dhe a mjafton ajo?

 Safete Shala: Nga viti 2000, unë u bëra pjesë e shoqatës së familjeve të dëshmorëve, dhe pas një viti u zgjodha kryetare e degës në Pejë. Puna dhe angazhimi për gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe me obligime të shumta. Në aktivitetin e shoqatës janë bërë shumë punë si: Organizimi i fëmijëve të dëshmorëve për t i dërguar  për pushime vjetore, pastaj janë organizuar kurse kompjuterike, disa prej tyre kanë  bursa për studime nga komuna, kemi pasur bashkëpunim të jashtëzakonshëm me  TMK-në, e cila na ka mbështetur në organizimet Tona,  pastaj na ka lënë hapësirë mediale,  TV-Dukagjini dhe  çdo përvjetor të dëshmorëve për gjatë këtyre viteve ka qenë mbështetësi kryesor material për aktivitete që janë organizuar në përvjetorë të të rënëve.

Edhe Elkos grup ka ndihmuar me libra shkollorë. Pastaj Këpucëtaria “Rusi” për shtatë vite radhazi ka ndihmuar materialisht mbi 30 familje të dëshmorëve me kushte jashtëzakonisht të rënda. Korporata Dukagjini ka ndihmuar deri në kohen institucionale të vitit 2007 kur përgjegjësinë e mori qeveria. Aldex Grup me pronar Ali Çekun ka ndihmuar po ashtu në kohë të festave. Këpucëtaria “Te Rusi” pronar Nexhmedin Sahiti dhe Ali Çeku, kanë ndihmuar edhe zyrën e degës tonë  deri më 2007. Edhe “Birraria Peja”  ka ndarë mjete financiare për çdo fund vit, po ashtu edhe korporata Dukagjini por dhe qytetarët dhe bashkë atdhetarë të tjerë kanë ndihmuar në forma të ndryshme. Kuvendi Komunal i udhëhequr nga kryetari Ali Berisha ka  strehuar familjet e dëshmorëve pa kompensim material, pastaj është caktuar edhe Dita e Dëshmorëve të Komunës së Pejës,  më 5 maj. Por nga viti 2014 e tutje kjo ditë,  fatkeqësisht.  nuk shënohet më nga qeverisja aktuale e komunës së Pejës. Qeveria e Kosovës për 6 vjet radhazi prindërit e dëshmorëve i ka dërguar në banja të ndryshme të vendit

Personalisht ne si familje e dëshmorit gëzojmë statusin e dëshmorit ashtu sikur familjet e tjera.

RKL: Çka ruani kujtim nga vëllai Juaj, Kasimi?

Safete Rexhep Shala: Nga vëllai ruajmë në radhë të parë shënimet e tija nga shkolla dhe studimet, si dhe shënimet që ka mbajtur gjatë luftës. Me këtë rast dua ta falënderoj Radion Kosova e Lirë, e cila ka botuar poezitë dhe shënimet e Kasimit, në një përmbledhje të veçantë poetike.

Uniforma e tij të cilën e kemi ruajtur disa muaj gjatë luftës, është djegur me 5 maj 1999, kur forcat kriminale  serbe kishin depërtuar në fshat dhe na kishin djegur edhe shtëpinë.

Ka shpëtuar pa u djegur rripi, një laps dhe disa gjëra personale, të cilat i kemi dorëzuar në dhomën Muze të Dëshmorëve,  e cila ka qenë në kuadër të TMK-së.

RKL: E nderuara Safete, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Ju urojmë suksese dhe shëndet!

Safete Rexhep Shala: Faleminderit shumë edhe Juve, që na jepni hapësirë për të folur dhe për të  shkruar  kujtimet tona. Radio Kosova e Lirë ishte është dhe do të jetë zëri i vetëm që kujton çdo ditë betejat, luftërat, ditë-rëniet e dëshmorëve. Ju po shkruani historinë ashtu siç ishte, pa dallime, pa zmadhime, por ashtu sikur ka ndodhur. Andaj Ju uroj nga zemra ta keni shëndetin dhe të vazhdoni punën.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …