Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie ka ftuar prokurorët që të vazhdojnë punën e tyre të pa kompromis në luftën kundër korrupsionit. “Populli i Kosovës nuk beson që institucionet e sundimit të ligjit punojnë seriozisht për ta luftuar korrupsionin. Ju duhet të punoni në mënyrë vendimtare dhe ta ndryshoni këtë, sepse fundja ju i prini kësaj lufte dhe sytë e kosovarëve janë në juve. Korrupsioni ndal zhvillimin e demokracisë ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe thekson pabarazinë sociale. Ju nxis të gjithëve që profesionalisht t’i ndiqni penalisht të gjitha rastet e korrupsionit me profesionalizëm dhe përkushtim”, theksoi ambasadori amerikan, Greg Delawie. Duke folur për vrasjen e të akuzuarit për krime lufte ndaj civilëve shqiptar, Oliver Ivanoviq dhe zbulimin e vrasësve të tij, ambasadori Delwie theksoi se për fat të keq prokuroria në veri po sfidohet me presionin që vjen nga rastet e profilit të lartë dhe rasti tragjik i vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Mendoj që është thelbësore që ky rast të kryhet me gjithë profesionalizmin pa marrë parasysh sfidën.