Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXXVII-
Në këto momente trishtuese, kur lehonë e bebe luftonin për jetë, drita e qiriut mbrojtës u shua; siguresat e rrymës u dogjën kështu që edhe kandili u shua. Një rrapëllimë e vogël e zgjoi babin e familjes; Rufa u zhduk plotësisht nga dhoma kështu që lehona arriti t’i çelë sytë dhe i mbijetoi këtij sulmi tragjik të xhindes-njeri.
Pas kësaj, Rufa morri rrugën e errët drejt urës së drunjtë kur në fshat u dëgjuan gjelat e kjo e shtyri të merr pamjen e njeriut dhe si i tillë vazhdoi në drejtim të qytetit që ishte një orë rrugë për këmbësorë të rëndomtë. Në një moment, kur zbardhja e ditës kaploi horizontin, në largësi u duk një karrocë me rrota “tetëshe” e tërhequr nga një gomar qimegjatë i cili që në këtë distancë u ndal dhe nuk dëgjonte të zotin, plakun e varfër, shumë të sinqertë dhe bujar që njihej në qytet si Hamit Azho. Në ndërkohë, Rufa u afrua dhe përshëndeti plakun. Gomari u qullos nga ca djersë që ia mbulonin qafë e shpinë. E dini, gomari është e vetmja gjallesë që i sheh xhindet dhe njerëzit-xhinde. Frikohet shumë prej tyre andaj edhe nuk ecë para assesi. Rufa për t’ia larguar dyshimin eventual Hamit Azhos, e hukati fshehtas kafshën e gjorë, ajo u qetësua dhe nisi rrugën pa pritur urdhrin e të zotit. Por …, o mallkim, një njeri me flokë si të qenit u paraqit aty, ashtu papritmas! Gomari përsëri u ndal si i gozhduar. Këtë njeri e njihte edhe plaku edhe Rufa, me dallim ky i fundit, e dinte se ishte krijesë që jetonte me pamje njeriu dhe me pamje qeni, sipas nevojës e detyrave që i merrte nga hierarkia xhindore. Edhe si njeri edhe si langar* e thirrnin nganjëherë Xhuç, nganjëherë Xheç por pa ditur se bëhet fjalë për të njëjtën qenie. Karakteristikë e dukshme e tij ishte se kur fliste, zëri disi i përngjante të lehurave të qenve, andaj, askush nuk ia duronte as afërsinë e as bisedën. Ishte i martuar por as e gruaja e vet nuk ia duronte erën e keqe dhe që natën e gjerdekut, ia ndau shtratin dhe filloi të argëtohej me fqinjë e me njerëz të tjerë sa herë që t’i jepej rasti. Ajo lindi edhe fëmijë por për këtë do të bëhet fjalë në kaptinën vijuese, kurse tani, do t’i kthehemi ngjarjes së mëngjesit në fjalë…
Xheçi që nuk kishte aftësinë e lëvizjes sikur xhinden e njerëzit-xhinde sepse as që i takonte llojit të tyre (si që u përmend, kishte aftësinë e metamorfozës qen-njeri dhe anasjelltas), u tërhoq pas ferrave breg vijës me ujë, u bë qen dhe deshi t’i rreket vrapit drejt Pjerrëtinës për ta grabitur foshnjën që ndërroi jetë gjatë natës. Rufa kuptoi tentativën e qenit-njeri dhe për habi, u tregua human, i bërtiti me ngulm që të kthehej nga kishte ardhur. Xheçi nuk u duk më por u detyrua t’i nënshtrohet urdhrit të dhënë dhe arave, arriti te pusi ku morri pamjen e njeriut, duke vazhduar mandej të eci në dy këmbë për në shtëpi të vet…
Hamit Azho gati nuk kuptonte më asgjë. I hutuar, hipi në talikë, ia ngrehu dizgjinët gomarit dhe iu dha lutjeve që do t’ia rehatonin sa do pak trurin e shqetësuar nga ngjarja që nuk kuptoi gjë.
Sqarim për lexuesit:
Kjo pjesë si dhe vazhdimi i XXXVIII, i shtohen veprës tani. Nipi i Hamit Azhos, Besniku, me leximin e kaptinës së XXXV, më raportoi këto ditë për elementë të ri që nuk i kisha dëgjuar më parë)
….
Rufa që është përmendur edhe më parë, ishte njeri nga mishi e ashti por në trupin e në gjakun e tij, jetonin dy xhinde të një gjinie e kjo shkaktonte reagime të furishme nervoze edhe pse ai kontrollohej nga qeniet e errëta brenda dhe jashtë tij. Në kohën më të madhe ishte i qetë por nëse dikujt që xhindet ia kishin frikën, i shkonte për dore ta tallë për diçka, ai reagonte i çartur dhe duke mos mundur të hakmerret fizikisht, i binte rreth e për qark entit ku punonte si pastrues por që s’bënte aspak pastrim se të gjithë të punësuarit i tuteshin spiunllëqeve të tij. Kështu ai bënte tërë ditën dhe vështronte kalimtarët ose nevojtarët që vinin në ent apo në zyrat për rreth. Përballë e kishte xhandarmërinë e Kralit por që tani quhej milici, dhe aty në oborr rrinte me ndonjë “uniformë” sa për t’i treguar gjëra të dëgjuara, të para ose informata mbi nuse e vasha të bukura të cilat, sipas tij dhe fjalorit të tij, “e hanin”.
Rufa ishte tmerri i këtyre anëve. Rrallë ndonjë trim që nuk i frikësohej as pushtetit me të cilën ishte i lidhur Rufa e as atij personalisht, i rinte përballë dhe e detyronte fëlliqshin të rrinë larg. Lëshonte aty-këtu nga ndonjë fjalë përbuzëse por gjithë duke u kujdesur mos të flas aty ku mund të shkonte lajmi gjer te personi i synuar. Nuk di saktësisht arsyen por të gjithë njerëzit-xhinde, ato me xhinde në trup dhe bashkëpunëtorë të xhindeve, ishin dallkaukë, ndryshe thënë, spiunë të çdo pushteti që vinte; e këtyre trojeve, që nga rënia e Perandorisë, okupatorë të ri, ndërroheshin si kuajt e tyxharëve. Përpos kësaj, ata shtinin në grindje çdo kënd: brenda familjes, mëhallë, fshat e fshatra … Ngatërresa lidhur me moralin ishin tëlyeni i keqbërjes së tyre. Gradat më të larta fitoheshin nga kryexhindet kur poshtërohej dikush moralisht.
Kësaj dite të martë, Rufës iu dha rasti për të satën herë t’i tregoj aftësitë e veta në teren të adhuruar… I kërkuan të shkoj në Pjerrëtinë ku kishte lindë një djalë para tri ditësh. Nëna e re pat qenë e lypur në një fshat tjetër por prindërit e dhanë këtu buzë lumit të Bardhë. Familja e hidhëruar pse nuk ia doli ta ketë vajzën për nuse, gjetën mënyrën e hakmarrjes nëpërmjet Zikanës e cila i drejtoi te Rufa. Të dytë morën hisen e tyre të parave dhe pas punës së kryer edhe lavde e gradime nga superiorët e tyre.
Rufa pasi i mbylli dyert e entit, u fut në shitoren e fshatit dhe ia nisi bisedës tollovitëse ku i ecte fjala se shumica aty ishin të papunë nga përtacia e një numër i mirë ishin “gjevrekë” të milicisë të cilët përveç me spiunllëqe, i ushqenin me ngrënie e pije, uniformat e urryera nga popullata e sinqertë e Thatishtes.
Dielli ra pas kodrinës. Rufa ia morri rrugës drejt arave të Çajvilikut ku u bashkua me xhindet, të cilat sa ora, e bartën mbi shtëpitë përdhese të fshatit Pjerrëtinë. I padukshëm për syrin e gjallesave të rëndomta, njeriu-xhinde, u shndërrua në erë shullëri që vinte si vapë dhe iu hedh në frymëmarrje lehonës e gocit treditësh. Lehona nisi të djersitet, deshi si në kllapi t’i hapë sytë por nuk pa asgjë, as dritën e qiriut që e ndiznin rresht për dyzet ditë pas lindjes për tu mbrojtur nga qeniet e errëta dhe as dritën e kandilit, që po ashtu rrinte ndezur tërë natës resht një vit. Përsëri e kaploi gjumi ashtu të kllapitur përderisa djali luftonte me forcën e fundit për të mbushur mushkëritë me ajër…