Në 19-vjetorin e rënies përkujtohen dëshmorët:: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha

Sot, me rastin e 19-vjetorit të rënies së  dëshmorëve të UÇK-së, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në Teatrin Kombëtar të Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00, do të mbahet Akademi Përkujtimore.


Në ditë-rënien heroike të tre dëshmorëve të parë të UÇK-së, kryekuvendari, Kadri Veseli do të vendosë lule dhe do të bëjë nderime pranë shtatores së heroit të kombit, Zahir Pajaziti në Prishtinë. Më pas, do të vizitojë edhe Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në fshatin Orllan, ndërsa në fshatin Lladofc të Besianës do të vizitojë edhe Kompleksin “Hakif Zejnullahu”.


Nderime në 19 vjetorin e rënies heroike të Zahir Pajazitit, para shtatores së heroit  në Prishtinë do të bëjnë edhe: Visar Ymeri e Shpend Ahmeti bashkë më anëtarët e kryesisë dhe deputetët e Vetëvendosjes. Zahir Pajaziti. Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu kanë rënë në një pritë të forvace policore serbe, në fshatin Pestovë, më 31 dhjetor të vitit 1997.


Zahir Pajaziti, komandanti emblematik i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës


        Më 31 janar të vitit 1997, në një pritë të Policisë serbe të regjimit të Milosheviqit, ranë në altarin e Atdheut, njëri ndër komandantët e parë të UÇK-së, Zahir Pajaziti me bashkëluftëtarët e tij, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu. Tre luftëtarët e lirisë së Kosovës ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, i cili ishte në dijeni të veprimeve të tyre ilegale dhe atë ditë duke i ndjekur nga prapa iu kishin  vënë edhe një pritë në fshatin Pestovë, ku gjatë një përleshjeje bien të tre.  Aktivitetet ilegale kundër policisë serbe dhe veglave të tyre të verbëra, Zahir Pajaziti i filloi gjatë viteve 90-ta. Në rrethanat e krijuara pas  suspendimit të Autonomisë së Kosovës, ai  me bashkëveprimtarët e tij  filluan të punojnë për ngritjen e një rrjeti të suksesshëm gueril,  në Kosovë.  Ka vepruar  ilegalisht gati një dekadë, falë organizimit tejet të vëmendshëm dhe lëvizjeve gati gjithnjë ilegale, duke qenë vazhdimisht i armatosur dhe kurdoherë i gatshëm për të rezistuar në ndonjë situatë të papritur. Figura emblematike e luftëtarit shqiptar, Zahir Pajaziti, frymëzoi rininë militante shqiptare në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.




          Zahir Pajaziti lindi më 1 nëntor të vitit 1962, në fshatin Turuqicë të Besianës. Ishte fëmija i pestë i Qerim Pajazitit dhe Fatime Rudarit- Pajaziti. Shkollën fillore e kreu në fshatin e tij të lindjes, kurse të mesmen, Shkollën e Policisë, e regjistroi në vitin, 1976 në Vushtrri. Nga shkolla u përjashtua për shkak të  bindjeve të tij militante, bindje që konsideroheshin të  papranueshme nga drejtoria e shkollës, arsyetim që përdorej zakonisht për ata nxënës që kishin pikëpamje tjera nga pikëpamjet e zyrtarëve të Krahinës Autonome të Kosovës. Në vitin 1980, bashkë me dy shokë të tij, Raif Sfishta dhe Nexhmi Dabinofci kalojnë ilegalisht kufirin e Shqipërisë dhe për këtë burgosen në Shkodër, ku edhe mbahen 18 ditë në burg. Pas kthimit në vendlindje ai burgoset nga policia lokale e Orllanit dhe dënohet me burg për kundërvajtje, meqë ishte i moshës së mitur. Në vitin 1981 fillon studimet  në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës –Degën e gjuhës angleze. Po në atë vit rekrutohet në shërbimin ushtarak për 12 muaj dhe në vitin 1985 e vazhdon atë edhe për tre muaj në Beograd.


          Në vitin 1991,  shkon në Shqipëri me qëllim për të kryer stërvitjet  ushtarake, në mesin e një grupi militantësh nga Kosova.


Pas mbarimit të stërvitjeve, në vitin 1992, kthehet në Kosovë por ndërkohë grupi i tij ilegal zbulohet dhe Zahiri për disa muaj vepron ilegalisht. Asokohe veproi në drejtim të  furnizimit me armatim të shtabeve të krijuara në rrethinën e Orllanit, ku edhe vepronte grupi i tij gueril, ilegal. Gjatë viteve 1993-1994, Zahir Pajaziti me militantët e tij  angazhohet për zgjerimin e pikave të UÇK-së edhe edhe në pjesë tjera të Kosovës. Ishte  njëri nga themeluesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i tij nga fillimi, nga ku fillon të bëhet koordinimi i aktiviteteve politike dhe ushtarake në të cilat Zahiri luante një rol të madh si në zgjerimin e fushës së ndikimit, po ashtu edhe në furnizimin me armatim.


 


           Zahir Pajaziti  shquhej si organizator i aftë, i cili kishte ushtruar edhe autoritet të pakontestueshëm në mesin e shokëve edhe për faktin se merrte pjesë në ballë të aksioneve guerile, që ndërmerreshin veçanërisht në rajonin e Llapit.


Përveç mbështetjes nga vëllezërit, familja shokët e ilegales, Zahir Pajazitin e ka ndihmuar materialisht edhe kushëriri i tij, Fadil Pajaziti i cili asokohe  ishte nje biznesmen i suksesshëm.


         Veprimtaria atdhetare e Zahir Pajazitit sidomos gjatë viteve 1995-1997 ka qenë jashtëzakonisht e intensifikuar. Ai kishte kryer disa aksione të suksesshme guerile kundër policisë serbe dhe kundër veglave çorre të regjimit të Milosheviqit. Pavarësisht faktit se politika pacifiste aksionet e tilla ia përshkruante shërbimeve sekrete të Beogradit, rinia militante atdhetare dhe liridashësit e Kosovës tashmë ishin të bindur se në Kosovë po përgatitej një kryengritje e përgjithshme kundër regjimit pushtues. Jehona e armëve të Zahir Pajazitit dhe guerilëve të tij paralajmëronte “dasmën e madhe të lirisë”.


            Ai mbante kontakte edhe me veprimtarët e njohur të rezistencës kombëtare. Ai ka qenë edhe anëtar i Partisë Parlamentare të Kosovës, në gjysmën e dytë të viteve ’90, e cila dominohej nga të burgosurit politikë dhe veprimtarët rezistencës aktive, ndërkohë që në krye të Partisë kishte filluar aktivitetin edhe simboli i rezistencës aktive Adem Demaçi.


             Në janar të vitit 1997 grupi i tij zbulohet nga sigurimi serb. Më 31 janar 1997 , Zahir Pajaziti ishte duke udhëtuar me veturën e tipit “Llada” nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë me bashkëluftëtarin, Edmond Hoxha nga Juniku dhe nipin e tij, Hakif Zejnullahu. Atë ditë forcat serbe kishin identifikuar veturën dhe e kishin përcjellë me vëmendje lëvizjet e saj. Prita kryesore iu kishte zënë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë në  fshatin Pestovë. Në momentin kur Zahiri me bashkëluftëtarët e tij hetojnë pritën, ata fillojnë sulmin, me qëllim për ta çarë rrethimin, por në kushte të një prite të përgatitur me forca të shumta policore, çdo përpjekje për të bërë tutje ishte e kotë. Trimat nuk ishin dorëzuar, ndërsa breshëria e armëve armike kishte godur pamëshirshëm veturën e tyre me ç rast bien: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxhë dhe Hakif Zejnullahu. Në varrimin e tre dëshmorëve të UÇK-së marrin  pjesë dhjetëra mijëra liridashës nga Llapi, Prishtina dhe mbarë Kosova. Varrimi ishte kthyer në një manifestim qëndrese, që paralajmëronte se djalëria e Kosovës tashmë kishte marrë armët dhe së shpejti do të fillonte përleshja vendimtare, për jetë a vdekje. Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, kryetari i Kosovës Fatmir Sejdiu, Zahir Pajazitit  i akordoi dekoratën më të lartë shtetërore,  Urdhrin, “Hero i Kosovës”.( A. Q.)


 

Kontrolloni gjithashtu

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, kritikoi qasjen e Qeverisë ndaj krizave energjetike, në të cilat përfiton Serbia

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, kritikoi qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj krizave …