Ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Haki Demolli me bashkëpunëtorë, priti në takim zyrtar Asistentin për Operacione të Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, zotëri Patrick Turner.
Fillimisht, Ministri Demolli në emër të Ministrisë dhe FSK-së e falënderoi përfaqësuesin e NATO-s për kujdesin dhe angazhimin që ka treguar NATO-ja rreth ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës nëpërmjet KFOR-it, si dhe falënderoi për angazhimin e vazhdueshëm të dy ekipeve këshillëdhënëse që Pakti Veri-Atlantik ka ofruar për Ministrinë dhe FSK-në, siç janë Ekipi Këshillues i NATO-s për Ministrinë(NAT), dhe Ekipi Ndërlidhës Këshillues i NATO-s për FSK-në.
Ministri Haki Demolli gjithashtu e njoftoj zotëri Patrick Turner mbi bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me KFOR-n në një varg operacionesh të përbashkëta si: kërkim shpëtimi në lumin Ibër, ndërtimi i urës tek Manastiri i Deçanit, operacioni i zjarr fikjes në pyjet e Dragashit, e një varg aktivitetesh tjera në të mirë të popullatës së Kosovës. Zotëri Demolli e theksoi gjithashtu rëndësinë takimeve të përbashkëta me Komandantin e KFOR-it, gjeneral Guglielmo Luigi Miglietta për harmonizimin e aktiviteteve të përbashkëta për të ardhmen si dhe transparencën për angazhimet në procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës(FSK). Ministri Demolli i shprehu Asistentit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Patrick Turner, vizionin e Republikës së Kosovës për stabilitet në vend, rajon dhe më gjerë, e në veçanti e ritheksoi aspiratën e vendit tonë për anëtarësim në NATO si dhe integrim në Bashkimin Evropian.
Ministri i Ministrisë për FSK, zotëri Demolli gjithashtu i shprehu Asistetit Turner interesimin që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-s të thelloheshin dhe kjo të bëhej nëpërmjet vendosjes së një dialogu politik në nivel ministror. Thellimi i këtyre marrëdhënieve nëpërmjet hapjes së një zyre ndërlidhëse në mes të Republikës së Kosovës dhe NATO-s si dhe shtimi i prezencës civile të NATO-s në Kosovë do të ishte thelbësore në prag të transformimit të FSK-së në FAK, theksoi Ministri Demolli.
Ministri Haki Demolli e njoftoi zotëri Turner mbi procesin e transformimit, fazën në të cilën jemi aktualisht si dhe për vizionin e tij për ndërtimin dhe zhvillimin e një Force profesionale me kritere dhe standarde të NATO-s , Forcë e të gjithëve si dhe e besueshme, duke e njoftuar zotëri Turnerin edhe rezultatet e matjeve të opinionit publik në Kosovë ku MFSK-ja dhe FSK-ja kanë dalë si me të besueshme.
Gjithashtu edhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama në takim tha se Forca e Sigurisë është e gatshme të mbështesë autoritetet civile dhe të gjithë qytetarët e vendit pa dallim, dhe se FSK është e interesuar që këto kapacitete që ka aktualisht ti mbajmë edhe më tutje dhe ti zhvillojmë e gjithashtu të punojë për procesin e transformimit të FSK-së në FAK.
Për përgatitjen e procesit të transformimit, shtoi gjeneral Rama, ne kemi punuar ngushtë me DIR-in nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA) si dhe me ekipet e NATO-s NAT dhe NLAT. Si rezultat i kësaj pune të përbashkët ne tani kemi një draft plan final të transformimit. Në këtë draft plan tha Komandanti i FSK-së janë paraparë personeli, pajisjet si dhe buxheti përfshirë këtu edhe buxhetin shtesë dhe se FSK-ja është e gatshme të filloi me procesin e transformimit kurdo që vendimmarrësit politik vendosin për këtë.
Në fund, gjenerallejtënant Rrahman Rama u shpreh i gatshëm që përpos gatishmërisë për pjesëmarrje në operacione të përbashkëta të trajnimit, me kapacitetet që ka aktualisht FSK-ja të kontribuojë në ruajtje të paqes kudo ku paraqitet nevoja, duke e garantuar asistentin e Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s se FSK-ja do të jetë transparente dhe bashkëpunuese me Qeverinë e vendit, NATO-n dhe partnerët tanë strategjik gjatë procesit të transformimit.
Nga ana e tij, zotëri Patrick Turner, Asistent i Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s tha se ka kënaqësinë që ka vizituar Republikën e Kosovës e në veçanti Ministrinë dhe FSK-në. Asistenti Turner gjithashtu tha se i gëzohet nivelit të Bashkëpunimit të MFSK-së dhe FSK-së me KFOR-in, si dhe gjithashtu nivelit të shkëlqyer të bashkëpunimit dhe koordinimit të MFSK-së dhe FSK-së me dy trupat e NATO-s këtu, NAT dhe NLAT, mekanizma këta që së shpejti do të shkrihen në një të vetëm dhe se do të vazhdojnë të qëndrojnë këtu.
Asistenti për Operacione i Sekretarit të NATO-s, zotëri Turner tha se aktualisht qëllimi i NATO-s është që KFOR-i në Kosovë të mbaj këtë numër dhe këto kapacitete dhe theksoj gjithashtu faktin se misioni i NATO-s në Republikën e Kosovës është misioni i dytë më i madhi për nga numri, kapacitetet, etj.
Në fund, Patrick Turner tha se në plan afatgjatë NATO-ja është e përkushtuar për Kosovën dhe se Kosova e meriton të jetë në familjen Euro-atlantike. Ai tha gjithashtu se NATO-ja është e interesuar të qëndrojë këtu në mënyrë që rajoni i Ballkanit të jetë i stabilizuar dhe i integruar.
Në takimin ishin të pranishëm nga MFSK-ja edhe zëvendës ministri Muhamet Latifi, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, si dhe këshilltari ushtarak i ministrit, kolonel Fadil Hadergjonaj.
Ndersa nga delegacioni i NATO-s, ishin drejtori i NAT-it, Dominic-Haydn Braithwaite, drejtori i NLAT, gjeneral Stefan FIX, zonja Silvia Maretti, oficere për stafin ndërkombëtarë dhe zotëri Carlo Giunipero.