Rexhep Qosja

Rexhep Qosja: HESHTJE E DËMSHME

Më në fund ndodhi një protestë e rëndësishme.
Ishte kjo protestë jo për të marrë pushtet, por për të mënjanuar të këqijat.

Ishte kjo protestë e organizuar prej një numri të rinjsh.
Ishte kjo protestë e rëndësishme qoftë pse e organizuan të rinjtë, qoftë pse ishte protestë kundër ndotjes së ajrit me të cilën Prishtina qe disa ditë po renditet e para në botë.
Megjithëse me pjesëmarrës më pak se ç’do të duhej, kjo protestë nuk shkoi kot.

Fryt i saj dhe i disa reagimeve të të rinjve para saj ishte mbledhja e jashtëzakonshme dyditore, më 1 e 2 shkurt, që përfundoi me 2 shkurt, e Kuvendit të Kosovës.

Prej diskutimeve të përgatitura mirë, të argumentuara, të bindshme të disa deputeteve dhe të disa deputetëve mësuam se ndotjen alarmante, rrezikuese të ajrit në Prishtinë, nuk na e ka shkaktuar natyra po ne vetvetes.

Për më tepër, prej diskutimeve në këtë mbledhje dyditore mësuam se fajtorë kryesorë të ndotjes aq rrezikuese të ajrit në Prishtinë janë në radhë të parë ato struktura shtetërore, që nuk zbatojnë ligjet me të cilat parashihet mbrojtja e qytetarëve prej të këqijave të ndryshme natyrore, jonatyrore, politike, pushtetore. E të tjera.

Ndotja e ajrit nuk ishte e keqja e parë e as e fundit që po i ndodh Kosovës së lirë, të pavarur dhe pseudodemokratike.
Përpos prej ndotjes së ajrit, Kosova, sidomos, Prishtina, vuan shumë edhe prej një ndotjeje tjetër: prej një ndotjeje shpirtërore, që quhet korrupsion.

Ndotja e quajtur korrupsion në Prishtinë dhe në Kosovë në përgjithësi është përshtrirë aq sa politikanët e Bashkimit Evropian e quajnë korrupsion pandemik.

Ndotja shpirtërore, e quajtur korrupsion, po e rrezikon rëndë shtetin, po e rrezikon rëndë demokracinë, po e rrezikon rëndë ekonominë, por të pacenuara prej saj nuk janë as arsimi, shëndetësia, shkenca dhe kultura!

Ndotja e ajrit do të mund të pakësohet shpejt, për disa ditë a disa javë, më në fund mund t’i gjendet për një kohë më të gjatë edhe zgjidhja e duhur, ashtu si i kanë zgjidhur situatat e këtilla të tjerë para nesh.

Por, ndotja shpirtërore, që po na gërryen së paku qe shtatëmbëdhjetë vjet, e quajtur korrupsion, nuk po mund të pakësohet, nuk po mund të parandalohet, nuk po mund të mënjanohet dhe gjasat janë pothuajse kurrfarë të ndodhë kjo.
Për këtë ndotje, në disa pikëpamje shumë më rrezikuese sesa ndotja e ajrit, as Kuvendi e as Qeveria e Kosovës nuk kanë mbajtur ndonjëherë mbledhje të zakonshme e lëre më mbledhje të jashtëzakonshme.

Të rinjtë tanë të cilët ashtu angazhueshëm, ashtu vetëdijshëm, ashtu ndërgjegjshëm protestuan kundër ndotjes së ajrit, nuk do të duhej të heshtnin, të mos protestonin ndaj të këqijave, ndaj padrejtësive, ndaj fatkeqësive që po ia sjell Kosovës korrupsioni me përbërësit e tij nepotizmin dhe konfliktin e interesit.

Në qoftë se kanë varur qafën mësimdhënësit, pedagogët e tyre, në qoftë se kanë varur qafën gjysmintelektualët dhe çerekintelektualët, në qoftë se po heshtin baballarët e tyre, të rinjtë duhet të ngrenë kokat se vetëm ashtu kokëngritur mund të shohin deri ku duhet të shihet: mund të shohin larg, përtej murit të gënjeshtrave propagandistike, mund ta shohin qartë njëmendësinë e Kosovës.

Nuk thuhet kot: ardhmëria është e të rinjve. Ata, të rinjtë, kanë jo detyrë po mision që të bëjnë krejt ç’mund të bëjnë për shëndetin shpirtëror, moral, prandaj edhe politik e shtetëror të atdheut të tyre, në të vërtetë për të ardhmen e tyre e të shtetit të tyre.

Mbas protestës kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë e në Kosovë, që njëherë për njëherë nuk iu shkoi kot, të rinjtë tani nuk duhet të heshtin, por duhet të çohen në protesta kundër ndotjes shpirtërore – kundër korrupsionit me përbërësit e tij të quajtur nepotizëm dhe konflikt i interesit, me të cilat po rrezikohet seriozisht e ardhmja e tyre.

Të rinjtë tanë kanë mision të ngrenë zërin, në protesta dhe në demonstratë, kundër oligarkëve politikë, kundër zhvatjeve, mashtrimeve, gënjeshtrave të tyre dhe, në to, të kërkojnë përgjegjësinë e tyre, të kërkojnë përgjigjet si u pasuruan aq shpejt, ku i morën paratë me të cilat u pasuruan aq shumë e aq pangopshëm dhe varësisht prej rezultateve të hetimit të pasurive të tyre, të familjarëve të tyre, të disa bashkëpartiakëve e disa miqve të tyre të kërkojnë nacionalizimin e pasurive të krijuara paligjshëm apo duke keqpërdorur funksionet politike, partiake e shtetërore, në të vërtetë të kërkojnë prej organeve përkatëse të drejtësisë të kryejnë detyrat e tyre të ligjshme, përkatësisht t’u dalin zot Kosovës e pasurisë saj.

Të rinjtë tanë kanë mision e jo thjesht detyrë që të ngrenë zërin, në protesta e në demonstratë, kundër oligarkisë politike: që ka dëshmuar se qëllimi i saj parësor dhe i paharruar ishte dhe është pasurimi; që me sjelljet e saj, me pangopësinë e saj, me pensionet e jashtëzakonshme, me beneficionet e me privilegjet e saj e ka bërë Kosovën shtet privat; që ka kapur gjyqësorin, i cili fjalës vetting ende nuk ia ka mësuar kuptimin dhe rëndësinë; që në Kuvendin e Kosovës, që në Qeverinë e Kosovës, që në ministritë e Kosovës, që në institucionet shtetërore të Kosovës ka sjellë dhe vazhdon të sjellë edhe ish bashkëpushtetarë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe bijtë e tyre; që me pozita e me privilegje të tjera në njërën anë e blen përkushtimin e një vargu kundërshtarësh politikë, kurse, në anën tjetër, pa ngurrime ka shpërfillur dhe vazhdon të shpërfillë njerëz të merituar, të aftë dhe sakrifikues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; që ka blerë dhe vazhdon të blejë shërbimet propagandistike të disa gazetarëve e pronarëve të medieve me të cilët ka krijuar klasën “elitore” të Kosovës, në të vërtetë klasën e përvetësuesve të pasurive të Kosovës; që zhvendosjen e të rinjve e të të varfërve e ka bërë figurë të ekzistencës në shtetin e Kosovës; që merr vendime me lehtësinë e padurueshme për çështje jetike të Kosovës e të njerëzve të saj e më pas që ato vendime dhe masa të miratuara dje i mohon sot, të miratuara sot i mohon nesër, i rikthen pasnesër e i mohon prapë tejpasnesër, duke e bërë kështu tragjikomike politikën shtetërore të Kosovës e duke e përdhosur skajshëm imazhin e Kosovës në botë; që me politikën e saj ka përmbysur dhe vazhdon të përmbysë kodet kulturologjike dhe etike në veprimtarinë shtetërore; që universitetet e Kosovës, më të shumta në numër se universitetet e Gjermanisë apo Anglisë,i ka mbushur me familjarë, partiakë e miq të vet, të shumtët analfabetë a gjysmanalfabetë të dijeve që gjoja ua shpjegojnë studentëve, disa prej të cilëve kanë magjistruar e kanë doktoruar me procedura të jashtëzakonshme, që s’i mbulon asnjë ligj e asnjë venom dhe asnjë etikë! E të tjera e të tjera.
I shikuar dhe i trajtuar si një ndotje e rëndë, shumë dëmtuese dhe shëmtuese, shoqërore, ekonomike, shtetërore, shpirtërore e morale, me përshtrirje të gjerë e të thellë, korrupsioni po krijon përfytyrim jo vetëm të neveritshëm, por për më tepër përfytyrim joqytetërues për dinjitetin e Kosovës e të popullit të saj jo vetëm në Evropë.

Është detyrë jo vetëm shoqërore, por edhe atdhetare që të bëjmë krejt ç’mund të bëjmë për shërimin e Kosovës prej kësaj të keqeje aq dëmsjellëse e aq komprometuese, që është e do të jetë pengesë jo vetëm për integrimet euroatlantike të Kosovës, por edhe për liberalizimin e vizave.

Të rinjtë tanë duhet të dinë se zhvatësit e pasurive të Kosovës janë zhvatës edhe të ardhmes së tyre në Kosovë!
Të rinjtë tanë e kanë dëshmuar dhe mund ta dëshmojnë se janë ajo forca më e rëndësishme, më e çmuar shoqërore, morale dhe atdhetare që mund të luajë rol të veçantë për shpëtimin, për shërimin e Kosovës nga kjo e keqe e madhe.
Të rinj e të reja!

Dhurojani Kosovës këtë rol tuajin të pazëvendësueshëm, këtë përkushtim tuajin atdhetar!

Dhe, mos harroni se ata zyrtarë që shkencën, profesionalizmin dhe etikën s’i bëjnë përbërës kuptimorë dhe vlerësues të politikës ata nuk mund ta demokratizojnë, ta zhvillojnë e ta përparojnë vendin.

Dhe, mos harroni se Kosovën e lirë, idealin e aq shumë brezave, duhet ta bëjmë shtet vërtet demokratik, shtet vërtet të së drejtës, që u siguron dinjitet të barabartë të gjithëve, shtet të drejtësisë sociale, që u siguron punësim e jetë të dinjitetshme të gjithëve e jo siç është sot: shtet i privatizuar i oligarkisë politike dhe i propagandistëve të saj medialë e të tjerë, që edhe privilegjet, pasurimet, lukset dhe mashtrimet e kësaj oligarkie i heshtin duke i larë e duke i lyer protagonistët e tyre politikë e shtetërorë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …