leoni

RKL: Intervistë me kryetarin e komunës së Skënderajt, Bekim Jashari

RKL: Intervistë me kryetarin e komunës së Skënderajt, Bekim Jashari

Bekim Hamëz Jashari është kryetar i komunës së Skënderajt, i cili ka fituar në zgjedhjet lokale, që janë mbajtur në vitin 2017, si kandidat i pavarur. Në këtë intervistë për Radion Kosova e Lirë, ai ka folur për angazhimet aktuale, planet, mbajtjen e zotimeve, por edhe për sfidat dhe vështirësitë me të cilat do të ballafaqohet gjatë tërë mandatit.

RKL: Në kohën kur keni shpallur kandidaturë për kryetar, në fillimin e fushatës për zgjedhjet vendore, keni theksuar se Skenderaj do të qeveriset mbi bazën e parimeve të llogaridhënies e transparencës. Edhe pse është fillimi i punës ku keni arritur në këtë segment të qeverisjes?

Bekim Hamëz Jashari: Me atë parim kam filluar dhe me atë parim do të vazhdoj deri në fund. Kemi qenë në një fazë të vështirë gjatë konsolidimit të stafit, stafit politik por edhe të tjerëve. Por mirë kemi arritur ta përfundojmë këtë proces dhe do të vazhdoj me parimet e mia deri në fund, përndryshe nuk guxoj të jem këtu ku jam.

 

 RKL: a keni pasur vështirësi ta konsolidoni administratën, duke qenë se ishit kandidat i pavarur dhe nuk keni pasur ndonjë konkurrencë, megjithatë bashkëqeverisja nuk është përjashtuar as me këtë rast?

 Bekim Hamëz Jashari: Sa i përket kompletimit të stafit, nuk kam marrëveshje me askënd përveç me qytetarët. Të gjithë këta që i kam zgjedhur, nga nënkryetari, Nuredin Lushtaku dhe drejtorët, i kam zgjedhur mbi bazën e parimeve që unë kam menduar në dy pika. Ana njerëzore dhe profesionale. Nuk më ka interesuar ngjyrimi politik. Këto ditë kam pasur dy dorëheqje për shkaqe personale.

 

RKL: Komuna që ju drejtoni ka qenë ndër komunat më të shkatërruara e më të pazhvilluara në Kosovën e pasluftës. A mendoni se ka pasur arritje të caktuara në qeverisjen e kaluar gjatë viteve të pasluftës dhe a kanë mjaftuar ato?

 Bekim Hamëz Jashari: Komuna e jonë ashtu sikure theksuat edhe ju, ka qenë ndër komunat më të prapambetura, më të lëna anash në nivel vendi. Në pamje të parë, krijohet përshtypja që në 10 vitet e fundit është punuar shumë në komunën tonë. Edhe vet e kam pasur këtë përshtypje, por në kohën e fushatës zgjedhore e kam parë dhe jam bindur që edhe komplet buxhetin e shtetit të Kosovës ta sjellim këtu nuk e di a do të mjaftonte për ta siguruar një  gjendje normale këtë vend ngase komuna jonë ka qenë gjithmonë në shënjestër të pushtuesve. Por edhe në vitet e pasluftës, investimet kanë qenë solide. Ka ende shumë për t’u bërë. Investimet që janë bërë deri tani, mund të them se kanë përmbushur vetëm 30%, të nevojave të qytetarëve tonë. Edhe rrugët që janë shtruar sërish kanë nevojë të riparohen. Nuk them që s’është punuar, por nevojat kanë qenë shumë të mëdha, andaj ne do të bëjmë përpjekje të bëjmë aq sa mundemi dhe aq sa kemi hapësirë. Përmes valëve të Radios Kosova e Lirë, po e përsërisë se do të jem ai Bekimi i drejt, i sinqertë, pa harruar asnjëherë kush jam dhe nga vij, të mos bëjë as gabimin më të vogël. Gjithmonë do të ketë transparencë dhe llogaridhënie.

 

RKL: Komunat e vogla në Kosovë, me vetë faktin se kanë pak banorë gjithnjë mbesin në fund, a mendoni se është kështu dhe sa është  drejtë ky qëndrim?

 Bekim Hamëz Jashari: Mendoj që është dashur të jetë e kundërta. Absolutisht nuk pajtohem që komunat e vogla të mbesin anash apo të ndahet për to vetëm ajo që tepron. Përkundrazi, është dashur të ketë prioritet, sepse secili nga qytetarët e ka të drejtë të jetë i barabartë në vendin ku jeton. Ne në komunën tonë e kemi një rini bukur të madhe, të shëndosh, të edukuar që fatkeqësisht kryejnë fakultete, master e doktoraturë dhe nuk kanë mundësi që të zënë punë. Komuna jonë, ashtu sikurse edhe të tjerat, ka nevojë për përkrahje nga Qeveria dhe nga donatorët e investitorët  e jashtëm. Nëse dje ka qenë patriotizëm të merret  pushka për ta çliruar vendin, unë mendoj se sot dy herë është më shumë patriotizëm ta ndërtojmë vendin në mënyrë të drejt dhe të pastër. Atëherë mund të themi se e kemi dërguar në vend amanetin e dëshmorëve. Askush nuk është kundër Shqipërisë së madhe apo bashkimit kombëtar, ashtu sikur ishin dhe që janë ndarë padrejtësisht, por detyrë dhe amanet është shtëpia jonë, vendi ynë, ta ndërtojmë në mënyrë të drejt dhe të pastër, në mënyrë  që gjeneratat e reja të kenë hapësirën e merituar në vendin e vet. Është shumë e vështirë për prindin që pas përfundimit të shkollimit t’i thotë fëmijës të marrë rrugën e kurbetit. Kështu që ne duhet të vetëdijesohemi të gjithë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror se Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik. Secili të kontribuoj aty ku është përndryshe do të dënohemi nga gjeneratat e reja.

 

RKL: Në cilat lëmi e keni fokusuar interesimin Tuaj lidhur me prioritetet që i keni evidentuar gjatë fushatës zgjedhore dhe për të cilat keni premtuar se do ti realizoni, kuptohet se ende ka shumë kohë deri në realizimin e tyre,por a ka filluar ndonjë aktivitet në këtë drejtim?

Bekim Hamëz Jashari: Unë gjatë fushatës kam proklamuar tri pika kyçe: Arsim, shëndetësi dhe zhvillim ekonomik. Pa një edukim të mirëfilltë nuk do të ketë rezultate dhe treguesi më i mirë për ketë është, PISA. Ne jemi komunë e vogël dhe na mohohet e drejta e një spitali, por vetëm mjekësi familjare, gjë që nuk është e drejt ngase qytetari i Skenderajt, për një gërvishtje duhet të marrë udhëzim dhe të shkojë për trajtim në Mitrovicë ose në Prishtinë. Sa i përket zhvillimit ekonomik, e dimë se komuna e Skenderajt është vend rural që varemi shumë nga bujqësia. Këto ditë kemi pasur kontakte të shumta me organizata të ndryshme, që operojnë në Kosovë që ofrojnë shpërblime të ndryshme. Unë kam ndarë një parcelë për investim të tillë. Në planin zhvillimor, 2017-2022 janë ndarë 6 hektarë në fshatin Runikë për zonë industriale, por nuk janë të mjaftueshëm.

 

RKL: Si qëndron çështja e 36 hektarëve tokë në fshatin Marinës, e cila është në interes për komunën, por të cilën e menaxhon AKP-ja?

Bekim Hamëz Jashari: Kam marr vendim që në fshatin Marinë të ndajmë 36 hektarë për një park biznesi, sepse deri tani dy firma gjermane kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për të investuar në komunën tonë. Në këtë drejtim është një burokraci e tërë, me afat të pacaktuar kohor, për këtë shkak edhe investitorët ikin. Personalisht si komunë kemi krijuar lehtësira ligjore për investime, por varet edhe nga niveli qendror.

 

RKL: Ju i takoni familjes emblematike të Shaban  Murat Jasharit të Prekazit, që është familje e respektuar dhe e nderuar jo vetëm në Kosovë por kudo ndër shqiptarë. Sa është sfiduese detyra  e kryetarit të komunës për një anëtar të kësaj familjeje?

Bekim Hamëz Jashari: Të them të drejtën, bukur shumë sfiduese. Rrethi ku je është sfida kryesore ngase disa syresh janë të interesuar që të arrijnë qëllime të caktuara në mënyrë që më pastaj të thonë se, djali i Hamzës e bëri këtë gjë. Kërkesat janë të mëdha, mundësitë janë të vogla, shkop magjik nuk kemi. Këtu qëndron sfida që qytetarët mund të dëshpërohen për shkak që nuk mund të arrijmë atë që e meritojnë. Qytetari i Skenderajt e ka mundësinë të ketë qasje në atë që dëshiron dhe duhet ta dijë atë, sepse  kam proklamuar llogaridhënien dhe transparencën. Parimi bazë për mua është të punohet ndershmërisht ashtu sikur aktualisht jam duke përdorur këtë parim. Shpresoj që të dal mirë deri në fund edhe pse e di që kërkesat janë shumë të mëdha.

 

RKL: Në emër të dëgjuesve dhe të stafit të Radios Kosova e Lirë, ju dëshirojmë suksese në punën e filluar dhe dëshirojmë t’i përmbushni zotimet e thëna brenda mundësive objektive, me qëllim që Skenderaj dhe kjo pjesë e Drenicës të prosperojë dhe të shërojnë sadopak plagët e luftërave shekullore!

Bekim Hamëz Jashari: Faleminderit shumë për vizitën tuaj këtu tek ne. Radio Kosova e Lirë i ka dhënë vullnet popullit në ditët më të vështira, për një jetë më të mirë këtij vendi dhe qytetarëve në përgjithësi. Në atë kohë unë isha në Gjermani, atje unë ndihesha krenar që më në fund doli një radio që fliste shqip për popullin tonë aq shumë të vuajtur. Lus Zotin të na jep mendjen e shëndosh ta duan njëri tjetrin, t’ i lëmë inatet personale, të ecim përpara.  Unë kam një frikë, duke kujtuar të kaluarën historike është dëshmuar se betejat e fituara në luftë i kemi humbur në tavolinë. Me këtë rast i kthej në kujtesë fjalët e babait tim, Hamëz Jasharit kur thoshte: Dikur kur nuk ishim të shkolluar, letrat që i merrnim nga mërgimtarët i qonim t’ i lexonte hoxha apo  prifti, por për armikun kemi qenë kurdoherë të bashkuar sikur rasti i Ahmet Delisë. Tani kemi njerëz me përgatitje deri edhe akademike, por krejt kjo varet se sa  duam ta qojmë përpara  këtë vend, ashtu sikur  e meriton. Stafit dhe dëgjuesve të RKL-së ju uroj shëndet, suksese dhe punë të palodhur!.

(Intervistoi, Arbanë Qeriqi-Gashi)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …