Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar të zhvillojë disa aktivitete, me rastin 11 vjetorit të protestës së 10 shkurtit të vitit 2007, kur kishin rënë dëshmorë: Mon Balaj e Arben Xheladini dhe ishin plagosur shumë të tjerë. Në orën 10:00, janë bërë homazhe për Arben Xheladinin te varrezat në Arbëri, të Prishtinës, ndërsa në orën 12:00, homazhe për Mon Balajn mbahen te varrezat, në Besianë. Në orën 13:30, homazhet mbahen te pllaka përkujtimore në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë. Në orën 15:00, një tribunë do të organizohet në Sallën e Kuqe. Në posterin që shënon këtë date është shkruar se “Krimi nuk vjetrohet, Lëvizja nuk ndalet”. Balaj e Xheladini nuk kishin mundur t’iu mbijetonin plagëve nga plumbat e pjesëtarëve rumunë të Policisë së UNMIK-ut, të cilët kishin hapur zjarr të pandërprerë mbi demonstruesit, në Prishtinë.
