Në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës MKRS-ja ndau çmimet për letërsi

Në kuadër të aktiviteteve të parapara që të organizohen sipas agjendës shtetërore për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në një ceremoni, ka bërë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi. Çmimi Vjetor për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” iu dha shkrimtarit Rushit Ramabaja, si një autor i gjithanshëm me një korpus prej 36 veprave letrare në pesë zhanre të ndryshme, romane, novela, tregime, drama, poezi, kritikë letrare, eseistikë dhe monografi. Juria ka vlerësuar se Rushit Ramabaja si një autor suigeneris bën pjesë në panteonin e vlerave krijuese kombëtare dhe denjohet për t’u nderuar me çmimin “Azem Shkreli”, i cili ka edhe një vlerë financiare prej pesë mijë eurove. Çmimi për prozë “Anton Pashku” shkoi për shkrimtarin Fatmir Halimi për veprën “Dy vdekje e një jetë”, që sipas jurisë, autori në këtë vepër trajton njëkohësisht temën e luftës dhe atë të dashurisë. Fabula e kësaj vepre nuk është produkt i imagjinatës por që ka përbërës të realitetit përbrenda dhe një strukturë sentimentale. Ndërkaq, çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” u nda përgjysmë për shkrimtarët: Ismail Syla për veprën poetike “Atdheu im i ngrysur” që përmes saj elokuencës lirike përmbyll epizmin duke pasur si pikë fillestare verbin jo vetëm petk popullor dhe për poetin Ragip Syla për veprën “Kam drojë për ty” si njërin prej zërave reprezentativ të poezisë shqipe me një bartje të shenjës filozofike e meditative. Juria ka vlerësuar se për këtë vit çmimi për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj”, të ndahet në dysh për shkrimtarët Mexhit Mehmeti “Ecejaket e Hero Lindit” për tregimet që bartin dhe gërshetojnë mesazhin për jetën e rinisë; respektivisht Avni Deharin për përmbledhjen e tregimeve “Flakadanët e Lirisë” që përçon mesazhin përmbajtjesor për historinë e lavdishme të epokës së Skënderbeut. Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” iu dha Arben Veselajt për studimin “Tema Kadareane”, i cili ka analizuar dhe i ka zbërthyer veçantitë stilistike dhe gjuhësore të publicistikës dhe eseistikes së tërë opusit eseistik të Ismail Kadaresë. Kurse çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” shkoi për Orjela Stefasanin për veprën “Njerëzit dhe ingranazhet” të Ernesto Sabatos, të cilën juria e ka vlerësuar se ka arritur ta tejkalojë sfidën e përkthimit të një libri problematik në aspektin tematik dhe terminologjik, të cilat përkthyesja ka arritur t’i sjellë në një shqipe të rrjedhshme gjuhën bashkë me konceptet e autorit. Secili nga çmimet do të shpërblen me vlerë monetare nga 2,500 euro, kurse laureatët që ndajnë çmimin në një kategori shpërblehem me shumën prej 1250 euro. shpërblimet janë të përcaktuara sipas Rregullores nr. 06/2015 (MKRS) për Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe për Çmimet Vjetore për Letërsi. Laureatët morën çmimet respektive në bazë të vendimit të jurisë profesionale në përbërje të Hysen Matoshit, Merxhan Abdylit, Brikenë Ceraja- Beka, Shkelqim Millaku dhe Qazim Thaçi. Ministri Gashi, çmimet e ndara i ka cilësuar si një mirënjohje të institucioneve, punën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarëve dhe autorëve tanë dhe përkrahja e ministrisë konsiderohet edhe si një nxitje për rritjen e vlerave të mirëfillta artistike. “Unë si ministër e vlerësoj lartë ndarjen e këtyre çmimeve për letërsi, sepse besoj se duke ndarë këto çmime në baza të rregullta vjetore, ne i kontribuojmë edhe stimulimit dhe nxitjes së krijuesve të shkruajnë dhe ta pasurojnë artin e fjalës sonë të shkruar”, tha ministri Gashi. Ministria, nënvizoi ministri Gashi, vit pas viti ka rritur përkrahjen për botimin, blerjen dhe shpërndarjen e librit si një politikë kulturore e cila ka për synim avancimin dhe intensifikimin e artit letrar në vendin tonë. Laureati Ramabaja u shpreh se ndjehet i lumtur natyrisht në qoftë se ka arritur t’ia përçojë lexuesit sadopak mesazhin e të mirës, të bukurës dhe të humanes. “E ndjejmë veten të nderuar natyrisht që sot në 10 vjetorin e shtetësisë së Kosovës d.m.th. të Dardanisë sonë të moçme po e marrim këtë vlerësim pikërisht nga njerëzit tanë, pikërisht nga Ministria jonë e Kulturës, pikërisht nga shteti ynë që në themelet e saj u flijuan aq breza gjatë shekujve e deri te të rënët e UÇK-së. Urojmë që në 10 vjetëshat dhe në shekujt e ardhshëm njeriu të bëhet më i mirë dhe shteti ynë më i mbarë e më i fuqishëm”, tha Ramabaja.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …