Ruzhdi Jashari

Ruzhdi Jashari: Shtimja me rrethinë në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

 Shumica e qytetarëve të Shtimes, këtë 10 vjetor të pavarësisë e festojnë me shpresa të thyera, por me besimin dhe guximin në vetvete për ndryshime pozitive në të ardhmen, në rrugën e barazisë sociale, drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik. Qytetarët, Shtimen këtë javë e kanë parë të stolisur me një ngjyrë kaltër-verdh dhe flamurin e Kosovës. Edhe pse kushtetuta dhe ligji mbi simbolet nuk e ndalon, flamurin kombëtar, përfundimisht, kryetari aktual i komunës e përjashtoi nga shtyllat, për të mos valuar së bashku me flamurin e Kosovës. Por, ne mund të themi se kemi rregulluar ca km rrugë, ujësjellës e kanalizime dhe kemi akoma punë për të bërë në infrastrukturë. Ndërkohë, që është vra shpresa e besimi i qytetarëve nga pushteti lokal; ngase nepotizmi, si kanceri, e ka mbërthyer komunën, “tenderomania” është në duar të një klani, droga është dukuri shqetësuese që ka kapluar edhe fëmijët tan të nivelit fillorë. Shëndeti i nënës, fëmijës dhe pensionistit është atakuar seriozisht. Shërbimet shëndetësore primare për nëna dhe fëmijë nuk janë prioritet i kësaj kaste komunale, sepse për çudi “paska pengesa të rregullativës ligjore”.

Kultura shtimjane, dikur jehonte thellë anë e këndë vendit, edhe jashtë trojeve tona. Kishte ansamble të këngëve e valleve, kishte vlera të mirëfillta sportive; në hendboll, fudboll, boks, karate etj. Ndërsa tash, kultura e sporti, mund të themi se gjallërohet, ad-hok, sa për të kënaqur axhendat festive të këtilla të “sulltanatit” e jo për valorizimin e vlerave të mirëfillta të kësaj treve. Edhe, si shoqëri civile; kultura e sporti janë të ngulfatura dhe të lidhur ngushtë me pozita nepotiste me udhëheqjen komunale. Kjo për qëllime abuzive.

Aty ku kishte një vendim për park fëmijësh në Shtime, tani me anulimin e vendimit kemi pallate të ngritura të kryetarit aktual N. Ismajlit, kemi abuzime e keqpërdorime me banesat komunale te “Fitorja”, kemi abuzime fondesh me shitëblerje të tokave… etj. Komuna e Shtimes ka borxhe mbi 5oo mijë euro, dhe se kësti mujor i obligimeve të kredisë ndaj Austrisë, në vijim do të shkojë sa gjysma e kësaj shume!

Pika kulmuese e kthesës sonë historike, të dashur qytetarë shtimjan, po e merr tatëpjetën. Që nga viti 2004 – 2018 (14 vjet i pakryer), Projektin e Kompleksit Memorial të Reçakut e kemi të papërfunduar dhe pa mirëmbajtje.

Kemi mijëra kërkues të regjistruar për punë në zyrën e punësimit, prej tyre, qindra me fakultete e magjistratura të kryera. Ndërsa një numër i madh është i pa regjistruar, në këto zyra sepse nuk besojnë, se ato, mund t`ju gjejnë punë. E të mos flasim për drejtësinë, decentralizimin dhe heqjen e ndikimit politik nga arsimi.

Dora politike shtrihet deri te punëtori teknik edhe te shpenzimet e mirë-mbajtjes në arsim dhe shëndetësi.

Vargu i të rinjve shtimjan që ikin nga vendi është i madh. Të rinjtë e komunës sonë për sigurimin e një vize; po japin 2000, 2500 e deri në 3000 Euro për ikje nga vendi.

Kjo gjendje, të dashur qytetarë, flet se ku jemi katandisur, dhe me cilat rezultate feston vendi, me temat e mëdha, në dy legjislatura, të pakryera dhe në veçanti si Shtime me perspektivë të rrënuar, me mbi 400 familje në asistencë sociale dhe varfëri ekstreme.

Në nëntor 2017 kanë përfunduar zgjedhjet lokale, pas balotazhit, ndërsa po hymë në muajin mars 2018 dhe akoma nuk kanë nisë nga puna komitetet e Kuvendit komunal. Pas mbledhjes së parë solemne, konstituive, në këta tre muaj të shkuar, kryesuesja e kuvendit komunal e thirri vetëm një mbledhje me një pikë të rendit të ditës, lidhur me formimin e trupave të kuvendit. Kjo gjendje po flet qartë se Kryesuesja e re duket se është aty sa për t`i shërbyer ekzekutivit – Naim Ismajlit e jo kuvendit dhe qytetarëve të komunës për çka është e obliguar me ligjin e pushtetit lokal.

Të gjithë e kemi pritur këtë jubilar të festës sonës të shenjët shumë më ndryshe. Urojmë dhe duam që dekada e dytë e festës sonë të PAVARËSISË të jetë ndryshe; me besim në institucione të shtetit, pa kriminalitet ekonomik, pa korrupsion pa varfëri ekstreme dhe jetesë me dinjitet për të gjithë!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …