leoni

Kryesia shqyrtoi një varg çështjesh që lidheshin me aspekte të punës së Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, mbajti sot mbledhjen e parë për sesionin pranveror, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Në këtë mbledhje, kryesia shqyrtoi një varg çështjesh dhe kërkesash, që lidheshin me aspekte të punës së Kuvendit. Kështu, ajo u njoftua me procedimin në Kuvend nga Qeveria të Programit Legjislativ për vitin 2016 dhe vendosi që i njëjti t’u shpërndahet të gjithë deputetëve të Kuvendit.

 

Në vazhdim, u shqyrtua kërkesa e Grupit të Lutjeve të Mëngjesit në Kuvendin e Kosovës, përfaqësuar nga deputeti Adem Grabovci, për sigurimin e një hapësire për ndërtimin e Qendrës për takimet e Lutjeve të Mëngjesit. U theksua se është siguruar përkrahje njerëzore dhe financiare nga mekanizmat ndërkombëtarë të Lutjeve të Mëngjesit për ndërtimin e një qendre të tillë takimesh në Prishtinë, e cila do të organizohej në frymën dhe modelin e Qendrës “The Cedars” në Uashington.

 

Prandaj, duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj nisme, Kryesia vendosi të kërkojë nga Komuna e Prishtinës e sigurimin e një hapësire të mjaftueshme në një lokacion të përshtatshëm në Komunën e Prishtinës, për ndërtimin e kësaj qendre.  Në vazhdim, u miratua edhe kërkesa e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, për sigurimin e buxhetit për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për studime rasti lidhur me përvojat ndërkombëtare në rastet e ngjashme me Ndërmarrjen “Trepça”.

U bë e ditur gjithashtu, se edhe Qeveria e Kosovës e ka mbështetur këtë iniciativë dhe ka shprehur gatishmëri që sipas nevojës, të marrë pjesë në financimin e këtyre studimeve.

Në këtë mbledhje, Kryesia e Kuvendit shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushë-veprimtaria e saj.

Kryesia nuk caktoi seancë plenare, për shkak se një numër i konsiderueshëm i pikave të rendit të ditës kërkojnë votimin prej 2/3 të deputetëve, ndërsa gjatë ditëve në vijim, një numër i madh i ligjvënësve do të jenë në vizita të rëndësishme jashtë shtetit. Kështu, në fund të janarit, një delegacion i Kuvendit të Kosovës do të marrë pjesë në sesionin e parë të rregullt të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa Komisioni për Integrime Evropiane, me ftesë të znj. Ulrike Lunaçek, do të marrë pjesë në takimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, gjatë votimit të Rezolutës për Kosovën.

Rrjedhimisht, caktimit të seancës së ardhshme plenare do t’i paraprijë një mbledhje tjetër e Kryesisë, në fillim të muajit shkurt.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …