Në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë OVL e UÇK-së nderon veteranët dhe vazhdon me vendosjen e pllakave në shtëpitë shtabe të UÇK-së

Organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dega në Malishevë dhe financuar nga Komuna e Malishevës, në kuadër të shënimeve me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë, janë zhvilluar dy aktivitete, ku janë ndarë mirënjohje për veteranët e luftës së UÇK-së dhe ka vazhduar vendosja e pllakave me mbishkrime në shtëpitë apo objektet shtabe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në takimin, që u organizua në Malishevë, dega e OVL të UÇK-së në Malishevë, ka ndarë mirënjohje për veteranët postmortum dhe veteranët e gjallë, në shenjë mirënjohje për kontributin e dhënë gjatë luftës. Me këtë rast, fjalime kanë mbajtur Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe kryetari i degës së OVL të UÇK-së, Metush Kryeziu, të cilët në fund edhe ju kanë uruar të gjithëve 17 Shkurtin, ditën e shpalljes së Pavarësisë. Në fjalimin e tij, i pari i Malishevës, Ragip Begaj, duke folur për kontributin e tyre, tha se “Njëherë në jetë të jepet mundësia për të luftuar për vendin  dhe këtë e keni bërë ju dhe ne veteranët. Por ne i kemi ende detyrime ndaj vendit, ndërsa vetëm dëshmorët e kanë kryer borxhin ndaj atdheut”, tha Begaj. Ndërsa kryetari i veteranëve të Malishevës, Metush Kryeziu, tha se “Ne veteranët e Malishevës, e mbajmë kokën lartë për dy arsye, e para që kemi qenë zonë e lirë gjatë luftës, e kontrolluar nga UÇK-ja dhe e dyta, që në këtë pjesë kanë qenë të vendosur të gjithë sektorët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”. Në emër të veteranëve të UÇK-së, ka folur Feriz Krasniqi, i cili duke folur për heroizmin e dëshmorëve dhe luftëtarëve, tha se “Ideali ynë ka qenë shumë herë më i madh se i tërë arsenali i armëve të armikut”. Më pas, ka vazhduar zbulimi i pllakave me mbishkrime në shtëpitë apo objektet që kanë qenë shtabe, apo në shërbim të luftës çlirimtare. Pllaka u zbuluan në shtëpinë e Rexhep Paçarizit, në Dragobil, ku ka shërbyer si shtëpi për strehim, planifikim operacional dhe masivizim për luftën nga celula e UÇK-së nga viti 1995, e që njihet si njëra prej celulave të para në territorin e Malishevës dhe prej ku kishin filluar aksionet e para të armatosura kundër forcave serbe. Pllakat janë zbuluar edhe në shtëpinë e Hamit Mazrekut, në Malishevë, shtëpi shtab gjatë luftës, por edhe një vend ku shkruheshin parullat gjatë ilegales. Në Malishevë, është zbuluar edhe një pllakë tjetër, ajo e shtëpisë shtab në shtëpinë e Rexhep Mazrekut. Në Marali, është zbuluar pllaka për shtëpinë shtab gjatë luftës 1998-1999, e Smajl Hoxhës, ndërsa kjo ishte edhe një strehë me rëndësi për luftën e UÇK. Më pas, është zbuluar pllaka edhe në shtëpinë shtab, shtëpia e Jakup Kryeziut në Pagarushë, apo si u quajt nga veteranët, kazermë e UÇK-së, pasi ishte shtab, vend grumbullim i ushtarëve nga të gjitha viset dhe zonat e Kosovës, si dhe depo e armatimit. Vendosja e mbishkrimeve do të vazhdoj deri në përfundimin e vendosjes së pllakave me mbishkrime, në të gjitha shtëpitë apo objektet, që kanë qenë në funksion të luftës çlirimtare.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …