Lidhur me “dekoratën” që i ka ndarë, kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi Radios Kosova e Lirë, stafi i kësaj Radioje, e cila transmeton program prej 4 janarit të vitit 1999, e refuzon këtë “dekoratë”, në radhë të parë për shkak se Hashim Thaçi, as në kohën e luftës as në atë të pasluftës, asnjëherë nuk ka dhënë asnjë intervistë, apo deklaratë për Radion-Kosova e Lirë. Arsyeja pse ai e ka injoruar këtë Radio është sepse gjatë luftës nuk kemi pranuar për drejtor, gazetarin kontrovers, Dukagjin Gorani, të cilin ai e kishte caktuar drejtor të Radios dhe Agjencisë Kosovapress dhe i cili shëtiste lirshëm nëpër rrugët e Prishtinës dhe nëpër postblloqet e MUP-it serb. Ai nuk kishte pranuar vepronte në zonat e luftës së UÇK-së. Thaçi ka fyer këtë Radio duke e etiketuar si Radio nacionaliste, e cila sipas tij mbjellë urrejtje dhe dashka pa tjetër të përshtatet me kohën. Ai po ashtu ia kishte ndaluar financimin nga fondi i Qeverisë së Përkohshme tre muaj pas mbarimit të luftës. Nga 200.000 DM sa ishin ndarë nga Fondi i Qeverisë së Përkohshme për Radion dhe Agjencinë, Radio Kosova e Lirë ka marrë vetëm 15.000 DM.
Injorimi që Hashim Thaçi i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë një segmenti idealist të luftës së UÇK-së dhe përçarja të cilën e ka shkaktuar në nivel kombëtar, bën që të mos e pranojmë këtë dekoratë nga kryetari Hashim Thaçi.