Ka shumë vite që jetoj në Amerikë , fatmirësisht kujtesën e kam ende të freskët për të rikujtuar ngjarjet, i dalë nga Kosova shumë herë e plagosur, e plaçkitur , e vrarë , e masakruar, por edhe shumë herë e tradhtuar. Kosova misterioze, e pa zbuluar, me histori të shkruar keqas, por edhe me histori të pashkruar. Shumë ngjarje kanë mbetur të pa ndriçuara, të mbajtur në errësirë , të burgosura dhe të fshehura nga e vërteta.
Ka shumë vite që jetoj në Amerikë, fatmirësisht kujtesën e kam ende të freskët për të rikujtuar ngjarjet, i dalë nga Kosova shumëherë e plagosur, e plaçkitur, e vrarë, e masakruar, por edhe shumë herë e tradhtuar. Kosova misterioze, e pa zbuluar, me histori të shkruar keqas, por edhe me histori të pashkruar. Shumë ngjarje kanë mbetur të pa ndriçuara, të mbajtur në errësirë, të burgosura dhe të fshehura nga e vërteta. E kuptoj velin e mistershëm të sekretit shtetror, pse jo edhe top sekretit, edhe pse Kosova nuk ka ende fizionominë e shtetit por as institucionet e besueshme shtetërore, Ka pavarësinë dhe konsiderohej se puna është e kryer dhe se pritej vetëm pranimi i saj, doli se Kosova është akoma në një fazë transicioni të shtetndërtimit, pra duhet kryerë shumë punë që kanë mbetur të pakryera.
Ka shumë mistere në fazën e organizimit të shumë organizatave politike dhe patriotike, për opinionin jepeshin vetëm fjalë, tekste bukur të shkruara, nga qendra që bënin plane në fshehtësi, por që mund të kenë pasoja të mëdha për ardhmërinë e vendit dhe të popullatës, ngase historia mbahet peng dhe mbetet e ngrirë, ajo ka nevoje të ushqehet me dritë, t’i ekspozohet rrezeve të diellit të jetë e gjallë dhe të jetojë jetën e Kosovës, të një jete të drejtë dhe të barabartë, dhe jo të jetohet me privilegje. Nëse shtrembërohet drejtësia, atakon padrejtësisht jo vetëm ndërgjegjen por edhe të ardhmen.
(Takimi me bacën Halit (babain e Ilir Konushefcit-Mërgimit) http://sq.wikipedia.org/wiki/Ilir_Konushevci)
Në mëngjes herët me thirri Baca Halit (babai i Ilirit-Mërgimit), prindërit më zgjuan nga gjumi, e ditsha diçka ka ndodhur por as që më shkonte mendja që do të dëgjoja kumtin e një tragjedie familjare, e një tragjedie të një lagjeje, të qytetit, por edhe të kombit. Baca Halit, kishte shtëpinë përballë shtëpisë sime dhe të familjes Maliqi, e cila veç kishte dhënë kurban një anëtarë për të ardhmen e kombit dhe të Kosovës, ai ishte në rreshtin e heronjve të kësaj mëhalle, që ende nuk u ishin tharë lotët nga humbja e Murat Mehmetit, dëshmorit që vulosi ngjarjet e demonstratave të vitit 1968, që kishin tubuar krejt shoqërinë shqiptare. Ato demonstrata përshpejtuan proceset në Kosovë për ndryshime, u hap Univerziteti i Prishtinës, dhe u hapën dyert për shumë studiues dhe ligjërues universitarë nga Shqipëria. U shënua 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, u mbajtën shumë festivale me karakter kombëtarë, hapësira e teatrit ku mbaheshin disa nga këto shfaqje mbulohej me hedhjen e veshjeve të spektatorëve, klithje lirie dhe bashkimi ishin ngjarje që nuk harrohen dhe mbeten në kujtesë.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nderon Ilir Konushevcin me urdhrin “Hero i Kosovës”, urdhrin e pranon babai i Ilir, Halit Konushevci
Shumë ngjarje të historisë së re ishin të lidhura me atë rrugë, shumëherë e helmuar nga helmet kimike, ishin dëshmitari më i mirë i ndodhive që plotësonin mozaikun e lagjes, që në popull shpesh ngushtohej gjeografikisht dhe konkretizohej në mëhallë,të qytetit. Xhelali, i përkdheluri i lagjes e mëhallës, e donin të gjithë ngase ishte i kujdesshëm dhe asnjëherë nuk kalonte “sokakut” pa e përshëndetur çdo njërin nga komshitë, buzagaz, ai ishte i mirëseardhur në çdo shtëpi, ngase nga puna e tij mbahej gjallë televizioni i Prishtinës, banorët paguanin me përgjegjësi pagesën mujore si kundërshpërblim të përcjelljes së Radiotelevizionit të Prishtinës që në atë kohë ishte bërë dritare e dijes dhe kulturës, jepeshin emisione për jetën e arbëreshëve në Itali, nga dëgjohej edhe kitara e arbëreshëve që mbante gjallë kulturën shqiptare, të cilat i përgatiste aq bukur gazetari i mirënjohur Enver Maloku, i cili më vonë u ekzekutua para banesës, duke iu shtuar numrit të vrasjeve misterioze-të pa zbuluara, në Kosovë. Xhelali vazhdoi rrugën e jetës së Muratit, atë të njerëzve të rrallë që kalurojnë nëpër histori si kalorës të nderit – të jesh shqiptar.
Përballë shtëpisë së Bacit Halit, Mullës Ramë, Axhës Xhelil, Axhës Minushë, para dyerve të shtëpisë sonë, ngjitur me furrën “Prishtina” dhe shtëpinë e Shefqet Sylejmanit (administrator në zyren e Adem Demaçit) ishte vrarë Bedri Sokoli, nga fshati Llugë. Gjaku i derdhur kishte përgjakur rrugën për së gjëri, duke lagur e skuqur me gjak së fundi edhe trotuarin përballë shtëpisë sime.
Atë mëngjes u takova me zëvendës kryeredaktorin e “Dello-s” së Lubjanës, Vlladimir Shllambergerin, të cilit ia përshkrova rastin, ashtu si e kishte parë nëna ime nga kati i epërm i shtëpisë. Kishte diçka të veçantë në këtë, Shllambergeri kishte kërkuar të dhëna plotësuese nga udhëheqësit komunist të kohës, ata kishin fshehur rastin, por të ballafaquar me të dhënat e sakta për viktimën, ata definitivisht pranuan krimin. Po atë ditë me Hasan Maliqin, me Faton Krasniqin dhe me Shllambergerin shkuam në Llugë, ku shprehëm ngushëllime familjes Sokoli. Rrugës hasëm në shumë barrikada policësh që kontrollonin shumicën e veturave, ishte e gjatë kolona, prandaj edhe nuk kishin mundësi teknike të ndalonin çdonjërin.
Nga ai morëm shumë informacione për votimet në kryesinë e RSFJ dhe habinë e tij për përfaqësuesin kosovar, “intelektual, që kishte hesape të vjetra me Serbinë” (ashtu u shpreh ai), shumë të dhëna tjera morëm nga ai, ishim shumë të befasuar por edhe të zhgënjyerë.
Ato ditë në mëhallën tonë ishin edhe gazetarët e Mlladinës, ndër ta edhe Janez Janshe(?), ajo gjeneratë mbrojti Slloveninë nga agresioni ushtarak i APJ-së. Të rinjtë e mëhallës së “Tophanes”, mësonin nga historia e gjallë, e kishin hise të bashkëjetimit me Murat Mehmetin dëshmorin e pare të Kosovës, i vrarë në demonstratat masive të 68’ës (nëna ia mbante në sandëk rrobet e përgjakura, e kuptova nga ajo, më tregonte për ecejaket e e Muratit, me të cilim ishim në të njetën shkollë, në Qendrën Teknike 19 Nëntori), Xhelal Maliqin, dëshmorin e 81’ës, me Rexhep Abdullahun, anëtarin e LNDSH, ish i burgosur, me Sheqir Zenelin, me Kadri Batushën…, të burgosur shumëvjeçar të demonstratave të vitit 1981.
Ajo rrugë, ajo lagje, kaliti shumë të rinj, që shumica ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, por edhe drejtues të tyre, që ndërruan historinë, duke i dhënë asaj kuptim. Kjo gjeneratë idealistësh i dhanë kuptim jetës dhe të ardhmes, se liria nuk falet, ajo fitohet ashtu siç e pashë më vonë, mbishkrimin në pllakën përkujtimore “Freedom is not free” (Liria nuk falet), në Washington DC, dedikuar ushtarëve amerikane të rënë në luftën për liri, demokraci dhe paqe në Koren Jugore. Këtë e kuptuan më shumë se të gjithë ne, gjenerata e re, gjenerata e Ilir Konushevcit-Mërgimit. Ata thyen tabun, shpërthyen velin e mistershëm të frikës, drosë, nënshtrimit dhe robërisë primitive, ata kuptuan më së miri domëthënjen e fjalëvë të pionerëve të demokracisë së sotme globale, ata jetësuan domethënjen e fjalëve të patriotit amerikan Patrick Henry të thëna me rastin e Deklaratës së pavarësissë më 1776 “Give me freedom or give me death” (Me jep lirinë ose më jep vdekjen).
Nuk do ta harroj mëngjesin e hershëm, të datës 10, është rregull e pashkruar se qarkullojnë shumë shpejt informacionet kur ndodhë ndonjë tragjedi, kjo ngase njerëzit tronditen nga ethet e vdekjes, që heret a vonë të bënë të respektosh patjetër heshtjen si pjesë të jetës, dhe kupton përfundimisht se heshtja ka fuqinë që ndalë fjalët e tepërta, dhe ajo shpjegon shumëçka, u tregon të gjithëve se fuqia e saj është shumë më domethënëse se kullat shumëkatëshe dhe mashtruesit që mashtrojnë popullin por edhe veten. Shumë nga ata që jetojnë sot, jetë pa brenga, nuk duhet të harrojnë asnjëherë kolosët e histrorisë, ata që trasuan rrugën e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, dhe shumë nga ata harrojnë se janë bërë “hisenik” me gjakun e derdhur.
Baca Halit më futi në veturë duke më kumtuar lajmin e hidhur të vrasjes së djalit të tij të dytë pas Sajmirit (ushtarit të UÇK-së në Zonën e LLapit) dhe para Artanit, heroit të pavarësisë Ilir Konushefcit-Mërgimit. Nuk kishte kohë për llafe, meqë asnjëri nuk kishim pasaporta, ia mësyem rrugës për në Tuz, me qëllim të kalimit matanë kufirit. U nisëm dy vetura, në njërën nga to Sajmiri me një shok të tij, gjithashtu ushtar, ndërsa në veturën tonë, të cilën e drejtonte Maliq Maliqi (vllau i dëshmorit Xhelal Maliqi) ishim unë, Baca Halit dhe Dr. Mehdi Hyseni. Ishte vështirë të rrugëtohej në atë kohë, kishte shumë barrikada policësh, strehimore të mbuluara me rërë, dhe shumë policë me armatime të ndryshme, të gjithë ata ishin në gjendje gatishmërie për të shkrepur plumbat. Në dalje të Kosovës dhe në hyrje të kufirit me Malin e Zi u ndalëm nga policët, ata pyetën Maliqin se ku shkonim, ai shkurt u përgjigj se shkonim në dasëm të një shoku. Sa është i vështirë momenti kur e sheh se je si në kafaz, dhe je i kufizuar të lëvizësh, veçse je shqiptar, dhe tmerrësisht i rrezikuar. Ishte e vështirë jeta e robërisë primitive dhe të kafshimit të buzëve që pasqyrohej me shumë shembuj fatkeq të jetës së intelektualit në atë kohë, por edhe tash, pas dymbëdhjetë vjet paqeje të brishtë në Kosovë.
Nga këndvështrimi i Prof dr. Mehdi Hysenit, si ai rikujton ngjarjen…
Me sa me kujtohet, ajo ditë ishte 9 maj 1998. Për mua ishte një ditë nga më të vështirat në jetën time (pas vdekjes se babit tim, me 26 prill 1991), sepse në orën shtatë të mengjesit të asaj dite, në derën e banesës sime trokti miku dhe shoku im më i ngushtë, më i dashur dhe më i respektuar i ditëve të terrorit dhe llahtarisë në Kosovë, Z. Halit Konushefci (babai i dëshmorit dhe i heroit të Kosovës, Ilir Konushefci), i cili më njohtoi lajmin e zi dhe të hidhur se, i biri i tij Iliri (komandant i UÇK-së) ishte vrarë dikund në rrethin e Tropojës në Shqipëri.
Në atë moment, sikur ndjeva se vetëtimthi mbi kokën time ra një copë e meteorit nga qielli. Mbeta i stepur, dhe i pa fajlë, thua se më kishte ikur mendja dhe paralizuar edhe goja. Baca Halit, më mori përdore dhe, ashtu të dytë të tronditur, zbritëm shkallët e banesës gjashtëkatëshe të “Qafës” dhe mësymë drejt rrugën për në shtëpinë e tij, e cila gjendej jo fort larg banesës sime, në rrugën “Vushtrria” nr.14 përballë tregut të gjelbër të Prishtinës. Me të hyrë brenda në kafe-restorantin e tij “Kalabria”, që ndodhej në katinë e parë të shtëpisë, pava se aty ishin mbledhur shumë vëllezër, kushërinj, miqë, dashamirë dhe bashkidealistë të Ilirit dhe të Bacës Halit siç ishin edhe fqinjtë e pandashëm të tij, Agim Vuniqi dhe Maliq Maliqi, si dhe të dy djemtë e tij (Sajmiri djali i madh, i cili ishte edhe luftëtar i UÇK-së në Zonën e Llapit dhe të Prishtinës, dhe djali më i vogël Artoni, i cili në atë kohë ishte student, ithtar dhe bashkëveprimtar i luftës së UÇK-së).
Sapo e ngushëllova gjithë familjen Konushefci dhe të gjithë të pranishmit sa ishin në atë “kryeshëndosh” sipas traditës dhe zakonit shqiptar, Baca Halit m’u ofrua dhe më tha se, – unë së bashku me djalin tim Sajmirin dhe me një shok të tij, kemi vendosur që të shkojmë në Shqipëri për ta varrosur dhe bërë nderimet e fundit Ilirit. Edhe pse rrethanat ishin shumë të vështira për të çarë shtetrrethimin policor dhe paramilitar të forcave serbe, të cilat kishin pushtuar dhe mbanin në izolim të hekurt edhe Prishtinën-kryeqytetin e Kosovës, unë së bashku me Agimin dhe me Maliqin, pa e thënë asnjë fjalë, u pajtuam me propozimin e Bacës Halit, që jo vetëm ai së bashku me Sajmirin dhe me shokun e tij, por edhe unë, edhe Agimi, edhe Maliqi, të gjithë së bashku të shkonim në Tiranë, për t’ia dhënë nderimet e fundit birit të tij dëshmor, Ilir Konushefci. Dhe, kështu ndodhi, unë, Baca Halit, Agimi dhe Maliqi hipëm në një veturë, kurse në tjetrën, Sajmiri me shokun e tij.
Ndarja nga Baca Halit, dëshpërimi ynë në Tuz
Pas kalimit të postblloqeve dhe kontrolleve naziste policore serbe dhe malazeze, dikund pas mesditës arritëm në qytezën Tuz të Malit të Zi.
Duke qenë se, edhe Tuzi për ne nuk ishte Shqipëri, por Mali i Zi, kishim frikën se mos po ndeshnim në ndonjë polic “rasti” malazez, i cili do të prishte planin e udhëtimit tonë për në Tiranë. Me gjithatë, Tuzin nuk e zgjodhëm rastësisht si pikë kalimtare për në Shqipëri, por ishim të detyruar, sepse të të gjitha pikat e tjera kufitare të Kosovës me Shqipërinë ishin të kontrolluara rigorozisht nga armata, sigurimi dhe policia serbe e Beogradit. Ndërkaq, flitej se Tuzi nuk ishte pengesë e madhe për të kaluar kufirin malazez ngaqë aty vite me radhë (1990-1998) funksionte bursa e kontrabandimit të njerëzëve hallexhinj dhe e tuxharëve të ndryshëm, që fshehurazi bënin tregti dhe transportonin njerëz nga të dy anët e kufirit me Shqipërinë.
Duke qenë se ne, nuk njihnim asnjeri të afërt në Tuz, u drejtuam në një kafene, me ty hyrë në të mësuam se pronari i saj ishte shqiptar. Madje edhe kamarieri ishte shqiptar. Kur msuam këtë, ne disi ndjeheshim më të lirë, dhe, nuk hezitonim që ta pyesnim kamarierin për ndonjë mundësi për të kaluar incognito liqenin e Shkodrës. Më në fund u gjet zgjidhja, por jo për të gjithë, por vetëm për Bacën Halit, Sajmirin dhe shokun e tij, sepse unë, Agimi dhe Maliqi, nuk patëm fatin që të kalonim në tokën e Shqipërise ngase koha nuk premtonte, qëllimi qe ia kishim parashtruar vetes ishte qe Baca Halit të arrinte me kohë për t’i dhënë lamtumirën e fundit birit të tij, Ilirit-dëshmor i Kosovës-Shqipërisë Etnike.
Përkundër dëshirës sonë për të kaluar kufirin, nuk kishim edhe mundësi financiare ngase kalimi kushtonte 1000 DM për person, gjë që i ishin paguar 3 mijë marka “Lundërtarit” të pashpirt, i cili kërkonte edhe 3 mijë të tjera, për ne të tre. Mirëpo, unë Agimi dhe Maliqi nuk kishim aq. Ky qe edhe një problem praktik më shumë ngase nuk patëm mundësi që të shkonim të tretë. Kjo pengesë e papritur na dëshpëroi pa masë. Maliqi i cili drejtonte “Reno 5”, veturën e vëllait të tij ndjerë Nusret Maliqit, duhej të kthehej gjithësesi, njëri nga ne duhej ta shoqëronte, marrëveshja ishte të mos e linim atë vetëm gjatë kthimit për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë, dhe mundësisë së rrjedhjes së informatës, gjë që ngjarjet e mëvoneshme e treguan të saktë skepricizmin tonë. Dosido, ne, pasi i përcollëm ,vendosëm të prisnim derisa baca Halit, Sajmiri dhe shoku i tij të kalonin kufirin, pasi morëm lajmin se ata veç kishin shkelur në tokën shqiptare, ne filluam të merrnim frymë më lirshëm.
Moskalimi i kufirit malazez-shqiptar na goditi shpirtërisht edhe mua, edhe Agimin, edhe Maliqin, sepse rrugëtimi ynë nga Prishtina për në Tiranë, përfundoi në Tuz. Kështu që, nuk qemë në gjendje t’i bashkohemi Bacës Halit, Sajmirit dhe shokut të tij për në destinaconin e fundit-Tiranë, ku na priste për t’u përshendetur për herën e fundit- Ilir Konushefci dëshmori dhe heroi i Kosovës.
Ndarja nga Baca Halit, nga Sajmiri dhe shoku i tij në Tuz vërtet na bëri që të ndiheshim edhe më të pikëlluar dhe më shumë zemërthyerë mbase nuk ia arritëm qëllimit tonë të përbashkët, që të venim në Tiranë për ta varrosur Ilirin dhe për ta ngushëlluar familjen e lartnderuar të ngushtë të tij, bashkidealistët dhe bashkëluftëtarët e tij të UÇK-së.
Kështu, të vemtuar ngelëm duke soditur rrugët e qytezës së Tuzit. Nuk kishim nga t’ia mbanim, mbrëmja po oforohej, kthimi ynë prapa për në Prishtinë, ishte i pamundur të bëhej gjatë orëve të natës, sepse ishte me rrezik të paparashikuar ngaqë kishte shumë prita dhe postblloqe kontrolli të policisë serbe e malazeze.
Duke pasur parasysh se faktin se, kthimi ynë për në Prishtinë, ishte i pamundur, unë iu sugjerova Agimit dhe Maliqit që atë natë ta kalonim te një shoku dhe miku im i vjetër z. Fran Gjokaj, të cilit nuk ia dija adresën e banimit. Mirëpo, për të mësuar këtë, filluam t’i pyesnim kalimtarlt e rastit nëpër qytezë, fati e deshi që takonim një person, i cili nuk e njihte Franin, por dy vëllezërit e tij: Markun dhe Dodën, të cilët kishte kohë që kishin ndërtuar shtëpitë e tyre moderne dhe jetonin një kohë të gjatë në Tuz. Së pari, u drejtuam në adresën e shtëpisë së Mark Gjokajt (vëllau i madh i Franit), të cilën e gjetëm pa ndonjë vështirësi të madhe. -Ishte një shtëpi dykatëshe shumë e bukur. Me të trokitur në derën kryesore, doli një grua malësore ca e shtyrë në moshë, por e shëndetshme dhe bujare e vërtetë, e cila na urdhëroi mirëseardhjen, por kur mësoi se ne kërkonim birin e saj, Franin, ajo na tha se, – Frani e ka shtëpinë në fshatin Dush, nja njëzet kilometra larg Tuzit. Duke qenë ase ajo ishte e vetme që përkujdesej për shtëpinë e Markut ngase ai së bashku me famikje ishte shpërngulur në Amerikë te vëllezërit e tjerë. Me gjithatë nëna malësore e Markut, e Franit dhe Dodës , nuk përtoi, erdhi së bashku me ne, na shpuri në shtëpinë e Dodës, që jetonte në një lagje tjetër të re të Tuzit, jo fort larg vëllait të madh, Markut. Edhe Doda, sikurse e ëma e tij malësore (sipas traditës dhe zakonit shqiptar), na ftoi që të hynim brenda dhe të shlodheshim e pushonim.
Mirëpo, ne shprehëm dëshirën tonë, që ai të vinte me ne te i vëllai i tij, Frani në fshat. Ai u pajtua me propozimin tonë, dhe, së bashku ia behëm në Dush. Me të shkelur në pragun e shtëpisë së Franit, mësuam se ai nuk ndodhej aty, por mirëseardhjen vëllazërore shqiptare na e dëshiroi Zonja e shtëpisë (bashkëshortja e Franit), Lulja, – Miërsevini! Ajo sipas zakoneve dhe traditave të shenjta, ashtu si i ka hije një malësoreje fisnike dhe bujare, na gostiti me të gjitha të mirat, që u akishte dhuruar Zoti në sofrën e begatë, tamam, ashtu, sikurse vëllezërit e saj.
Ndoshta për miqtë e mi, Agimin dhe për Maliqin një mikpritje e tillë ishte jashtëzakonisht e veçantë dhe e papritur në kuptimin e afërisë, të respektit dhe të nderimit vëllazëror shqiptar, por për mua nuk ishte një befasi, sepse Franin dhe bashkëshortën e tij, z. Lule i kisha miq të vjetër të shtëpisë. Mirëpo, kishte 9 vite, që nuk i kisha parë asnjërin prej tyre ngase pushtimi serb në Kosovë, na kishte ndarë, dhe përplasur në anë të ndryshme të botës.
Në mbërmje, pa rënë muzgu, erdhi edhe Zoti i shtëpisë, Frani (miku im i dashur dhe i respektuar), i cili u gëzua shumë se ne ishim mysafirë të tij. Ai, menjëherë fillloi me pyetjet e tij, se çfarë po ndodhte në Kosovë ngase ishte i preokupuar dhe i brengosur me gjendjen e vëllezërëve shqiptarë në Kosovë. Edhe pse, Frani nga masemdiat dhe RTV ishte në rrjedhën e zhvillimit të ngjarjeve politike në Kosovë, ai dëshironte të dinte diç edhe më shumë dhe drejtprëdrejt nga ne. Në këtë temë biseduam gjerë e gjatë pothuajse deri pas orëve të mesnatës. Mirëpo, kur i treguam edhe rastin pse ishim mysafirë të tij, edhe Frani u trondit dhe u pikëllua shumë për vrasjen mizore të dëshmorit Ilir Konushefci.
Gjithashtu, Frani u dëshprua shumë, kur nga ne mësoi se si një “lundërtar” shpirtmeskin shqipfolës na kishte lënë të dëshpëruar këtej kufirit në Tuz (duke na ndarë nga Baca Halit dhe nga biri i tij, Sajmiri, që ishte i shoqëruar nga një shok i tij, të cilët për të hyrë në Shqipëri përmes Lieqnit të Shkodrës kishin paguar 3 mijë marka gjermane) , duke qenë se unë, Agimi dhe Maliqi nuk kishim asnjë lek , asnjë dinar dhe asnjë markë gjermane për t’ia paguar “lundërtarit” shqipfolës, tarifa e së cilit ishte 1000 marka për person, siç thesuam më sipër.