Këto ditë në Prishtinë doli nga shtypi libri “Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” shkruar Dr. Nuridin Ahmetit, që është fryt i një pune kërkimore të gjithanshme të autorit në arkiva e biblioteka, në pajtim me kërkesat e një metodologjie shkencore, thotë redaktori shkencor, Prof.dr. Ferit Duka nga Tirana.
Ndërsa merita kryesore e autorit, Dr. Nuridin Ahmeti, është se ai me këtë vepër ridëshmon, edhe njëherë, se procesi i vetëdijesimit kombëtar shqiptar, ashtu si te popujt e tjerë, ka filluar gjithashtu, ndonëse me shumë pengesa dhe vështirësi, me përkthimet dhe ushtrimin e veprimtarisë religjioze në gjuhën amtare, për t’u shndërruar më pastaj në elitën e saj politike dhe kulturore,
thotë recensenti Dr. doc. Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik-Prishtinë.
Për librin, recensenti dr.sc Dr. sc. Sadik Mehmeti, punonjës shkencor në Arkivin Shtetëror të Kosovës shkruan:
‘Prijësit tanë fetarë, të cilët edhe pse me vokacion nuk ishin politikanë, me vetëdijen e tyre morale e politike – si sintezë e dy komponentëve kryesorë: patriotizmit dhe besimit, – u vunë në krye të ngjarjeve të mëdha të kombit.
Ndonëse roli i tyre ishte vendimtar në këto ngjarje, megjithëkëtë, historiografia jonë nuk i ka trajtuar drejt dhe meritueshëm. Libri “Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, i autorit Dr. Nuridin Ahmeti, i shkruar me kompetencë dhe akribi shkencore e në mënyrë objektive, të paanshme, reale, përmes gjuhës së fakteve e argumenteve të shkruara dhe si rezultat i një pune disavjeçare nëpër arkiva e biblioteka të vendit dhe jashtë, – përbën një kontribut me vlerë dhe plotëson zbrazëtirën e krijuar në zbardhjen dhe ndriçimin e rolit të krerëve fetarë në Lëvizjen tonë Kombëtare.’
Kush është Dr. Nuridin Ahmeti ?
Nuridin Ahmeti u lind më 14.5.1980, në fshatin Xërxë të Sharrit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren, ndërsa studimet në Fakultetin Filozofik – Dega e Historisë, në Universitetin e Prishtinës, më 2004.
Në prill të vitit 2005 është pranuar asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës – Dega e Historisë. Më 2009 mori gradën master i shkencave historike, në të njëjtin fakultet dhe degë, duke mbrojtur temën ”Kontributi i klerit mysliman në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës (1878-1912)”. Më 2009 u zgjodh hulumtues i pavarur në Degën e Historisë të Institutit Albanologjik, ndërsa më 2010 i ka regjistruar studimet e doktoraturës në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë.
Ka botuar punime në revistat shkencore historike, si: “Gjurmime albanologjike” (Seria e shkencave historike) të Institutit Albanologjik të Prishtinës, “ Studime” të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, “Kosova” të Institutit të Historisë në Prishtinë, “Vjetari” të Arkivit Shtetëror të Kosovës, “Universi” të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam në Tiranë etj. Është pjesëmarrës me kumtesa në tribuna, sesione dhe konferenca shkencore të organizuara në Kosovë dhe jashtë vendit. Ka botuar librin, “Krerë fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Vilajetin e Kosovës (1878-1912)” (IAP, Prishtinë 2011).
Dr. Nuridin Ahmeti punon në Institutin Albanologjik në Prishtinë.