Këto ditë disa portale tonat kanë publikuar shkrime për gjoja testin online për patentë shofer, qasja në të cilin bëhet me pagesë prej një euro në muaj dhe me “shpjegimin” se gjoja ato teste janë vendosur nga ministria. Për hir të korrektësisë dhe me qëllim të sqarimit për opnionin, ne si ministri e kemi parë të arsyeshme të themi se shkrimet e publikuara për këtë çështje nuk janë të vërteta.
Ata që janë interesuar për testin për dhënien e provimit për patentë shofer tashmë janë të informuar se testi, të drejtën e autorësisë së të cilit e ka ekskluzivisht Ministria e Infrastrukturës, ka kohë që është publikuar në web faqen e Ministrisë (http://mi-ks.net/sq/rregullat-e-komunikacionitbrhr-stylewidth100pxcolor004d8cpytje-pergjigje-perbrpatent-shofer), qasja në të cilin është falas.
Ndërkaq, testi për të cilin kanë informuar disa portale, është publikuar pa autorizim dhe pa dijen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe paraqet abuzim të rëndë me të drejtën e autorësisë. Për këtë arsye, Ministria e Infrastrukturës do t’u drejtohet organeve kompetente dhe do të kërkojë marrjen e masave më të ashpra ndaj keqpërdoruesve të testit, në mënyrë që të ndërpritet dhe mos lejohet kjo formë e mashtrimit të qytetarëve të interesuar për t’u pajisur me patentë shofer.