MINISTRI LEKAJ NËNSHKRUAJTI MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME KRYETARIN E SKENDERAJT DHE ATË TË DRENASIT

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, vizitoi komunën e Skenderajt ku u prit nga kryetari Bekim Jashari dhe komunën e Drenasit, me ç’rast u takua me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, ku u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, në mbështetje të projekteve infrastrukturore të këtyre dy komunave. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve me kryetarin e Skenderajt,  ministri Lekaj, ka deklaruar se edhe Skenderaj, sikurse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, do ta ketë mbështetjen e merituar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. “Ndihem mirë që jam në Drenicë, pasi që Drenica është simbol i rezistencës, dhe është rreshtuar drejtë në historinë e lavdishme të popullit shqiptar, prandaj është ndjenjë e mirë që sot jemi te kryetari i Skenderajt së bashku me kryetarin e Drenasit, dhe që arritëm një memorandum mirëkuptimi  me të dy kryetarët për infrastrukturën, e që ka ndikim pozitiv në zhvillimin e kësaj ane dhe të këtyre dy komunave. Ndihem shumë mirë që ne si Ministri e Infrastrukturës, por edhe si Qeveri e Kosovës, do ta mbështesim këtë rajon me projekte që kanë rëndësi të madhe për  qytetarët e kësaj ane. Kjo është një pikënisje dhe do të vazhdojmë prapë, pasi që u dakorduam që do të kemi edhe projekte të tjera në infrastrukturën rrugore. Ne morëm përsipër që me rishikimin e buxhetit të realizojmë edhe projekte të tjera rrugore, që kanë ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e  dy komunave, si dhe lidhjen e fshatrave me këto qytete. Ne si Qeveri e Kosovës jemi të përkushtuar t’u qëndrojmë afër komunave dhe t’i mbështesim fuqishëm në projektet e tyre që janë në të mirë të qytetarëve“, tha ministri Pal Lekaj. Ndërkaq, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, duke e falënderuar ministrin Lekaj, ka thënë se kjo mbështetje e institucioneve qendrore ka rëndësi të madhe për Skenderajn dhe qytetarët e saj, të cilët janë edhe përfitues të këtyre projekteve të mbështetura nga Ministria e Infrastrukturës. Jashari ka thënë se marrëveshja e nënshkruar, është një nisje e mirë drejtë realizimit të projekteve të Skenderajt. Më pas, ministri Pal Lekaj, vizitoi Drenasin, ku u prit nga kryetari i saj Ramiz Lladrovci, e me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi, për disa projekte që kanë rëndësi vitale për Drenasin dhe qytetarët e saj. Ministri Lekaj tha se Drenasi dhe Drenica në tërësi, do ta ketë mbështetjen e fuqishme të Qeverisë së Kosovës, e në veçanti të Ministrisë së Infrastrukturës.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …