Ky dhjetëvjetor do të mbahet mend për skandale dhe mashtrimin e madh që ty bë ty dhe popullit tënd Kosovë! Tani më Kosova e la prapa dhjetëvjetorin e ekzistimit si shtet i pavarur, me një varg skandalesh që askujt nuk iu deshën dhe po me skandale e filloi të njëmbëdhjetin.
Skandalet që e shoqëruan këto tri-katër vitet e fundit, të cilat vërtetë ishin vite të mbrapshta, janë jo të pakta. Gjykimet e ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së, të filluara më herët u quan tutje. Bisedimet dhe marrëveshjet me Serbinë, prej të cilave vetëm kjo e fundit përfitoi, shkuan dhe po shkojnë po ashtu tutje. Afera „Pronto“ e afera tjera korruptive veç sa u ngritën në shkallë më të lartë duke mos lënë institucion pa e prekur. Qeveria, e cila duhej të ishte shembull i luftës kundër kësaj dukurie kobzezë, në radhët e veta futi njerëz me precedente penale e me akuza për vjedhje, keqpërdorime, ushtrim të ndikimit e çka jo tjetër, të cilët edhe përkundër premtimeve, asnjëherë nuk u gjykuan e as u dënuan. Opinioni u bombardua me inxhizime që çirrnin maska dhe të gjithë të involvuarit silleshin dhe vazhdojnë të sillen sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Kosova është shndërruar në pronë – çiflik të qeveritarëve e deputetëve, vëllezërve e motrave të tyre, të kunetërve e kunatave e më rrallë të ndonjë daje e tezeje, thua se të tjerët nuk kanë bërë gjë për atë vend dhe nuk dinë madje as bukë të hanë e le më të udhëheqin institucione a të kryejnë punë tjera. E njëjta gjendje është edhe në diplomaci. Shumë nga stafi diplomatik janë bijë e bija apo vëllezër e motra të deputetëve, qeveritarëve, diplomaci më 90% e lënë. Pa qenë i afërm deputeti apo qeveritari a shërbëtor i ndonjë shefi partie nuk mund të punosh në ndërmarrjet publike, a bordet e ndërmarrjeve publike, pavarësisht kualifikimit. Investitorëve të brendshëm apo të jashtëm iu kërkohet 20%-shi ose ortakëri dhe tenderat, madje edhe për ndërtimin e rrugëve i marrin njerëzit e afërt me shefat, të cilët nuk kanë më shumë se katër lopata dhe dy karroca dore, dhe kur të gjitha këto ndalet dhe i analizon njeriu, duket sikur të iu jet mbushur mendja se populli i shkretë gjë prej këtyre nuk merr vesh dhe as të han nuk din.
Asociacioni i Komunave Serbe, i cili në këtë format nuk ishte paraparë as me Kushtetutën e Atisaarit dhe demarkimi i kufirit me Malin e Zi , i cili u bë krejtësisht në mënyrë të papërgjegjshme nga komisioni i Kosovës, u bënë gurë të rëndë në qafën e Kosovës. Pasi më herët Debelldeja e mori epilogun e Shën Naumit sipas marrëveshjes Zogu – Pashiq të vitit 1924, pjesë të tëra të Rugovës dhe Bjeshkëve të Nemura, u rrezikuan t’i dorëzohen Malit të Zi, madje me presion shumë të madh të koalicionit qeverisës por falë Vetëvendosjes dhe partive tjera opozitare më të vogla AAK-së dhe Nismës deri më sot nuk ndodhi.
Fuqizimi dhe shfuqizimi i Gjykatës Speciale, e cila u formua me presionin e kryeministrit dhe e cila as që do të duhej formuar, ishte një tallje tjetër skandaloze me deputetët dhe opinionin publik, jo vetëm të Kosovës.
Vitin e dhjetë jubilar e karakterizuan skandale tjera shtesë si formimi i qeverisë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe bartja e vendimmarrjes, përmes „Lista Srpska“-s, në Beograd, burgosjet, gjykimet dhe dënimet politike të anëtarëve të VV-së dhe Albin Kurtit si dhe pushimet extra të shtrenjta të kryeministrit fundvitin e kaluar për ta përmbyllur me skandale tjera më të mëdha, si heqja e flamurit kombëtar në Prishtinë nga sheshi i cili e bartë emrin e Idriz Seferit, njeriut që prej 90 vjetëve jetë, 70 i kaloi në luftëra i prirë nga ky flamur, përpjekja për mashtrim rreth aneksmarrëveshjes me Malin e Zi për kufirin, e cila nuk prodhon asnjë efekt juridik dhe së fundmi dekorimet që presidenti ua bëri shumë organizatave, shoqatave, institucioneve, shumë personaliteteve, shumë prej të cilëve i dekoroi për t’ua blerë heshtjen.
Historia e luftës së qarqeve të ndryshme politike kundër flamurit kombëtar nuk është krejt e re. Edhe herë tjera është luftuar kundër flamurit kuq e zi, por asnjëherë nuk ka ndodhur të heqet e përdhoset në mënyrën që u bë këtë herë, në vigjilie të festës së dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë. Luftë kundër flamurit kombëtar është bërë edhe në vitet e 80- ta, e nxitur nga Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të Serbisë dhe e prirë nga Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës e Azem Vllasi, duke ia zmadhuar yllin dhe duke ia ndërruar vendin yllit në flamur.
Një përpjekje tjetër ndodhi në vitet 90-ta kur qarqe të caktuara politike u përpoqën ta zëvendësonin me një flamur të ashtuquajtur dardan, i cili shumë pak u përqafua nga populli shqiptar. Lufta kundër flamurit kombëtar nga qarqe të caktuara politike e qeveritare të Kosovës së pavarur, tani me flamurin me gjashtë yje që iu imponua Kosovës, është intensifikuar.
Lufta kundër flamurit shqiptar nuk është luftë vetëm kundër flamurit, por është luftë edhe kundër shqiptarëve, quarje tutje e ideve për shkombtarizim duke krijuar një komb të ri në Kosovë, kombin kosovar.
Në ish-Jugosllavi qe provuar të krijohej kombi i ri i quajtur jugosllav në të cilin bënin pjesë edhe disa politikanë shqiptarë, tani më të mbetur pa atë kombësi, ngase Jugosllavia nuk ekziston më. Se sa kosovarë i ka sot Kosova nuk besoj ta dijë njeri. Ne e dijmë se ka shqiptarë, serbë, malazezë, turq, egjiptianë, ashkali…. Kosovarë mund të jenë presidenti, kryeministri, qeveritarët tjerë, këshilltarët e kryeministrit, Halil Matoshi, Nexhmedin Spahiu, Berat Buzhala, Avdullah Hoti, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Migjen Kelmendi e ndonjë tjetër si këta, për ekzistimin e të cilëve as që do të merrej vesh, po të mos i kishin e ishin gazetat e verdha, të cilat në Kosovë janë bërë shumë. Qe provuar të krijohej edhe kombi i ri sovjetik në Bashkimin Sovjetik, por edhe kjo përpjekje ra në ujë, ngase procesi i krijimit të kombeve, sidomos në Evropë ka kohë që ka përfunduar.
Po tani, për këtë që ndodhi me flamurin kombëtar në Prishtinë është vështirë të thuhet se kush e pat fajin më të madh, kryeministri apo këshilltarët e tij si Halil Matoshi, i cili si vuvuzelat nuk pushon së thirruri për krijimin e kombit kosovar dhe të flamurit kosovar. Natyrisht se sado faj të ketë akëcili këshilltar, fajin më të madh e ka kryeministri, me urdhrin e të cilit cubnisht u largua flamuri kombëtar nga sheshi „Idriz Seferi“ në Prishtinë.
Flamuri kuq e zi na ka prirë në dasma e në zijafete, na ka prirë në demonstrata e beteja, në ka prirë në të gjitha luftërat që i kemi bërë për çlirim nga pushtuesit e robëruesit tonë. Me këtë flamur i kemi marrë nuset e i kemi varrosur luftëtarët. Flamurin në të gjitha rrethanat e kemi mbrojtur me gjak dhe në vigjilie të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, për fatin e mirë nuk ndodhi një diçka e tillë.
Krushqve në një dasëm, tani më në vitin bukur të largët 1990 iu pat prirë një djalosh 17 vjeçar, i bukur, i zhvilluar, inteligjent e trim sa të duash, ende pa i rënë brisk fytyrës. Flamurin e mbante lartë dhe drejtë kur milicia serbe në hyrje të qytetit në Pejë i preu rrugën kolonës së dasmorëve për t’ia hequr flamurin, por ai jo vetëm që nuk e dha flamurin, por hoq armën nga brezi dhe derdhi plumba mbi milicinë pushtuese serbe në njërën anë e në anën tjetër flamurit ia shtoi ngjyrën nga plagët të cilat i mori në këtë përleshje.
Sot, nuk do ta kisha pyetur kryeministrin, me urdhrin e të cilit u hoq flamuri, për dëshmorët tjerë të rënë në fushëbeteja, që u mbuluan me flamurin kombëtar, por do ta kisha pyetur nëse iu kujtua ky djalosh i quajtur Agim Mazrekaj, i cili kur u lëshua kushtrimi në vitin 1998, e la jetën e rehatshme në Zvicër dhe shkoi e hyri nën komandën e Ramush Haradinajt, nën të cilën luftoi e ra duke ia shtuar edhe një herë ngjyrën flamurit
Heqja e flamurit me të drejtë shkaktoi revoltë dhe ngjalli reagime. Një reagim, vërtetë të mrekullueshëm për këtë e bëri edhe diplomati Lauka, i cili ndër të tjera tha: „Betejën me flamurin kuqezi e kanë humbur shtete e perandori, në historinë e largët, por edhe në atë më të renë. Do ta humbin këtë betejë edhe Ramush Haradinaj me Halil Matoshin.“ Unë do të shtoja se do ta humbin edhe të gjithë ata që e ideojnë luftën kundër këtij flamuri, e urdhërojnë dhe ata që e zbatojnë.
Pas urdhrit për heqjen e flamurit kombëtar nga sheshi „Idriz Seferi“ me të drejtë është pritur edhe urdhri tjetër për heqjen e flamurit të Serbisë dhe vendosjen e flamurit të Kosovës, përtej Ibrit në Veri dhe vetëm pak kilometra nga Prishtina, në Graçanicë, por nuk ndodhi. Sidoqoftë, populli shqiptar kudo që jeton vetëm një flamur e ka dhe e njeh – flamurin kuq e zi!
Skandali tjetër i cili ndodhi vetëm dy ditë para 17 shkurtit, më 15 shkurt, është përpjekja për mashtrimin e madh rreth marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, e cila po vazhdon ta mbajë politikën në ngërç. U dhanë shumë vlerësime për këtë, po e quaj edhe unë „marrëveshje“, prej të cilave do ta kisha veçuar atë të profesorit të mirënjohur Martin Berishaj nga Lubjana, i cili fjalë për fjalë në profilin e tij në FB shkroi: „Deklarata e nënshkruar Thaçi – Vujanoviq në Podgoricë është loja më e ndytë që i servohet parlamentit për ta ratifikuar marrëveshjën për demarkacion!
Pse mendoj kështu? Sepse, deklarata nuk prodhon efekt juridik ndërkombëtar (ajo është vetëm shprehje e vullnetit të mirë për t’iu qitur hi në sy deputetëve të Kosovës për ta ratifikuar shpejtë e shpejtë marrëveshjen, me të cilën Kosova humbë 82 km2!
Sepse, po të ishte addendum (aneks apo protokoll) ajo do të duhej të ratifikohej së pari në Mal të Zi kurse në Kosovë duhej të ratifikohej marrëveshja + protokolli!
Mali i Zi kurdo mund të deklarohet se kjo shtojcë është vetëm çështje e brendshme e Kosovës, kurse e drejta nderkombëtare e njeh vetëm marreveshjën bazë që e ratifikojnë të dy palët!“
Vërtetë as nuk ka çfarë i shtohet e as çfarë i hiqet kësaj që e thotë Zoti Berishaj.
Skandali tjetër për të cilin do të mbahet mend ky dhjetëvjetor është dekorimi (hoqi disa personalitete, organizata e shoqata) i shumë vetave, për të cilët nuk di njeri të thotë se për ç’kontribut u dekoruan. Po të ndalet njeriu dhe t’i analizojë figurat e disa prej të dekoruarëve, vërtetë nuk e din se pse u dekoruan, nëse nuk është përpjekje për t’ua blerë heshtjen si Veton Surroit, Halil Matoshit, Muharrem Nitajt e shumë tjerëve. Veton Surroi autor i dy librave, kryekëput kundër Hashim Thaçit, i dekoruar këtë dhjetëvjetor, nuk ia pranoi dekoratën, me çka ia bëri të qartë se nuk e ka ndërmend të hesht, ndërkaq Halil Matoshi, „vuvuzela“ e kosovarizimit të shqiptarëve të Kosovës, këshilltar i kryeministrit Haradinaj e ideator i largimit të flamurit kombëtar nga sheshi „Idriz Seferi“, u ndie i nderuar njësoj sikurse edhe Muharrem Nitaj, i cili Hashim Thaçin dikur e quante „të pabesë“, „hakmarrës“ e „idhnak. As arësyen e dekorimit të Baton Haxhiut nuk e di kush, nëse nuk është kontakti e lidhjembajtja gjatë luftës në Kosovë me shefin e Sigurimit të Shtetit të Serbisë Jovica Stanishiq.
Dekorimi i Tadej Rodiqit dhe Shoqatës së të Burgosurve Politikë njëkohësisht, është dhunim i kësaj kategorie! Dekorohet Tadej Rodiqi, ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, i cili me qindra aktgjykime të shkallës së parë, të burgosurve politikë shqiptarë, gjatë viteve 80-ta në Kosovë, pos që i ka prishur duke ua ngritur dënimet, të tjera (liruese në mungesë provash) i ka kthyer sërish në burg e nën hetime me vendimin: „… të burgoset përsëri, të futet nën hetime, të vërtetohet vepra penale që e ka bërë, sepse këtu ka vepër penale dhe t’i ipet dënimi i merituar!“
Kur e dekoroi Tadej Rodiqin, të burgosurit politikë, të cilëve „nuk mund t’ua duroj syzat mbi hundë“, pse i dekoroi, për t’u tallur me ta, për t’i dhunuar me Rodiqin, apo pse?
Për këto i vetmi shpjegim mund të jetë: keqpërdorim i pozitës, tallje me institucionin, tallje me dekoratat, tallje me njerëzit dhe tallje me vlerat!
Edhe disa skandale, por më të vogla, ndonëse mjaft të mëdha, ndodhën në raport me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, pa të cilën Kosova nuk do të ishte kjo që është sot. Sejmenët e kryeministrit të Kosovës e fyen Edi Ramën me të arritur në Prishtinë, por, sigurisht se Edi Rama për ato fyerje nuk niset nga premisa se çfarë është thënë, por kush e ka thënë.
Vitin e dhjetë të pavarësisë Kosova e përfundoi me skandale, por për fatin e keq skandalet nuk përfunduan edhe me dhjetëvjetorin e pavarësisë. Edhe vitin e 11 me skandale e filloi. Edi Rama pse tha „pas 10 vjetësh Shqipëria dhe Kosova ta kenë një President“ (që me të vërtetë është gjakim i popullit shqiptar të Kosovës dhe besoj edhe të Shqipërisë), veç sa nuk e varën në sheshin „Idriz Seferi“ nga e hoqën flamurin, por për t’u kualifikuar si „matrapaz““mashtrues“, „përçarës“, „“ e çka tjetër, u kualifikua nga ata që „krijojnë“ opinion dhe japin këshilla e bëjnë ligje në Kosovë, por jo edhe nga populli, i cili e priti në qendër të Prishtinës me duartrokitje të shumta.
Dhe fare për fund, zyrtarët nga Tirana duhet të kenë kujdes se si flasin e sillen në raport me zyrtarët nga Prishtina se pas heqjes së flamurit kombëtar – „flamurit të Shipnisë“ nga sheshi në Prishtinë dhe pas deklaratave të zyrtarëve nga Prishtina të 16, 17 18 e 19 shkurtit dhe mendësisë së këshilltarëve politikë dhe zyrtarëve shtetëror të Kosovës, marrëdhëniet Prishtinë Tiranë, mund të rrëshqasin në binarët e marrëdhënieve Penian – Seul!