Skënder S. Kapiti

Skënder S. Kapiti: Ja pse ka degraduar edhe sistemi i mirënjohjeve dhe dekoratave në Shqipëri dhe në Kosovë

Shkak për këtë shkrim është fakti se shumë personalitete dhe media të shquara dhe meritore në Kosovë refuzuan dekoratat e dhena për dhjetëvjetorin e Pavaresise se Kosovës akorduar nga Presidenti aktual Hashim Thaçi.

Me sa kam vëzhguar, ndjekur dhe lexuar arsyet e ketij refuzimi, une gjykoj se nuk ka se si që të mos degradojë ,të korruptohet dhe të  mos ketë as seriozitet dhënia e dekoratave e mirenjohjeve përderisa shtetin dhe drejtësinë si Shqipërinë dhe Kosovën i ka kapur papërgjegjshmëria,pazari, matrapazllëku, nepotizmi,  krimi,hajnija etj. Nuk mundet as në Shqipëri dhe as në Kosovë që të mos jetë parësore meritokracia apo kriter dhënia e dekoratave pikërisht ato të cilat e karakterizojnë politikën dhe politikanët shqiptarë: korrupsioni,aventurizmi e matrapazllëku politik, farefisnor, paraja pse jo edhe krimi përderisa edhe politikanët e pushtetarët dhe jo vetëm ata por edhe administrata e drejtësia ka plot individë më rekorde kriminale, dhe të tillët si të pangopur për të rrëmbyer gjithçka rrëmbejnë edhe dekoratat e mirënjohjet  të cilat ua mundëson realisht pozicioni VIP politik, ekonomik e financiar i tyre.

Për patriotizmin ,dinjitetin dhe personalitetin e individit, grupit dhe medias, pra për virtytshmërinë në përgjithësi dhe për kontributin e dhënë për të mirën  publike dhe kombëtare  dhe për imazhin e prestigjin për kombin dhe shoqërinë është marre që të pranojnë vlerësime, mirënjohje dhe dekorata nga ata të cilët nuk kanë marre, prej atyre të cilët institucionin ,postin dhe detyrën shtetërore e shpërdorojnë dhe i përdorin si të drejta dhe prona private pa pasur pikë  marre e turpi , prej atyre të cilët janë të perceptuar publikisht dhe mediatikisht si persona negativ me rekorde dyshimi për përfshirje në korrupsion, në hajni dhe për krime të tjera, nga ata të cilët janë autorë si keqbërës publik e kombëtarë dhe që kanë bllokuar drejtësinë, demokracinë dhe integrimin e shqiptarëve; nga spekulatorët me vullnetin , me varfërinë dhe me sakrificat e popullit te vet; nga ata të cilët nuk njohin gjë tjetër por vetëm interesin ,pozitën dhe pushtetin për vetëm veten e tyre.

Këta persona politik, publik dhe pushteti e autoriteti qeverisës të cilët sillen dhe veprojnë si regjimtarë autoritaristë dhe që kanë  reputacion negativ në publik pavarësisht postit publik e shtetëror që rastisin ta kenë , dhënia dhe shpërndarja prej këtyre të tillëve të dekoratave përbën ofezë për ata të cilët realisht e meritojnë mirënjohjen shtetërore ,dekorimin dhe respektin prej shtetit për kontributin e tyre real dhënë për të mirën dhe interesin publik dhe kombëtarë qofshin ata intelektualë, shkencëtarë,artistë, sportistë, gazetarë, media, politikanë, diplomatë dhe sidomos për dëshmorët , herojtë etj.

Ajo që më shtyu pra, për ta shkruar këtë shkrim ishte fakti se me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës,Presidenti Thaçi ka akorduar shumë dekorata, por bie në sy fakti se shumë nga ata duke përfshirë luftëtarë, intelektualë, akademikë dhe madje edhe mediat kryesore ia kanë refuzuar duke mos e pranuar dekoratën e Presidentit të Kosovës H.Thaçi. Ky degradim dhe  joseriozitet  në dhënien e mirënjohjeve edhe të dekoratave është pasqyrë edhe e jofuksionalitetit dhe të joseriozitetit të politikës, të pushtetit, të drejtësisë dhe të shtetit të si në Shqipëri dhe në Kosovë.

 Kjo sepse: Së pari dhënia e dekoratave në Shqipëri dhe në Kosovë dominohet nga kriteri parësor i cili është: kriteri politik, ku meritori për dekorim e mirënjohje pa marrë parasysh kontributin apo meritën , ai që të dekorohet duhet që të kontribuojë dhe t’i  përkasë  asaj Partie të cilës i përket Presidenti.

Kjo nuk ka asnjë ndryshim me karakterin politiko-ideologjik i cili ishte kriteri kryesor për t’u dhënë mirënjohje e dekorarta individëve në regjimin komunist. Kështu është vepruar në Shqipëri edhe në paskomunizëm apo në atë që po e quajnë demokraci tranzitive, pasi kur ndërrohen presidentët dhe pushtetet veprojnë kështu: Presidenti dhe pushteti majtist u jep dekorata majtistëve dhe djathtisti djathtistëve.

Por ajo e cila e ka degraduar akoma më keq  sistemin e dhënies së dekoratave tani në paskomunizëm janë edhe një sërë “motivimesh” e “kriteresh” tinëzare dhe korruptive si : nepotizmi, klientelizmi, korrupsioni dhe ryshfeti e paraja për të fituar dekorimin dhe mirënjohjen publike dhe shtetërore. Kur shtrohen për “shqyrtim “ dekorimi, këto “kriteret” apo “meritokracitë” të cilat i citova në fjalinë e mësipërme “përjashtohet”  dhe në këto raste dhe nuk merret parasysh kriteri partizan apo politik.

Tjetra se çfarë e ka kompromentuar dhe po e ben të neveritshëm dhe të bajatshëm dekorimin është fakti se: si në Shqipëria ashtu edhe Kosova institucionet që shpërndajnë dekorata janë tejet  të konsumuara me dhenien e dekoratave për njeri-tjetrin politikanet, pushtetaret dhe ata prane tyre  vetëm per meritën e të qënurit politikan e pushtetar.

Kur qytetarët shohin se kush merr dekoratë, sidomos ata të cilët i njohin të dekoruarit nga presidenti, kryeministri, pushteti vendor etj., ata të cilët jo vetëm se nuk e meritojnë dekorimin por ka edhe nga ata të cilët njihen edhe si figura të papëlqyera dhe të diskredituara publike atëhere çfarë serioziteti dhe respekti do të kenë publiku për dekoratat dhe për institucionet dhe drejtuesit e tyre  të cilët i akordojnë ato.

Në këtë realitet të dekoruarit të cilët e meritojnë dekorimin për kontributin real ,për meritokracinë patriotike, intelektuale, shkencore, sportive, akademike, artistike etj, ata në vënd që të kënaqen  dhe që të ndjehen mirë dhe krenarë, pra, ata të cilët me të vertetë e meritojnë titullin, mirënjohjen dhe dekoratën e nderit, ata   demoralizohen dhe arrijnë deri atje sa që edhe mund ta refuzojnë dekoratën se i vret opinion i cili thotë se: ec ore, ç’po na shet mend se edhe filani e filani  morën dekorata”

Patriotizmi, kombëtarizmi, dinjiteti dhe personaliteti njerëzor nuk mund të mashtrohet dhe as të manipulohet emocionalisht nga dhënia e një dekorate nga individë të cilët nuk e kanë autoritetin , as meritën dhe as ndershmërinë personale për t’u akorduar atyre dekorimin, gjë të cilën e kanë shprehur edhe individët të cilët e kanë refuzuar këtë dekoratë.

Nuk përdoren dekoratat për ta përmisuar imazhin dhe për të fituar respekt e mirënjohje prej atyre të cilët nuk i ke respektuar dhe as nuk i ke përfillur por vetëm sa i ke neglizhuar e injoruar për një kohë të gjatë kur kishe në dorë lavdinë e pushtetin tënd; nuk mund t’i mashtrosh ata me “lodrat”  dekorata që ua jep kur mendon se po të shkon koha dhe po shkon pashmangshëm drejt agonisë politike.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …