Me rastin e shënimit të përvjetorit të javës së minatorëve të Trepçës, fillimisht i përgëzojë minatorët për punën, angazhimin dhe kontributin e tyre që dhanë ndër vite dhe ju urojë “Me fat java e krenarisë”!
Kësaj radhe nuk do të ndalem e të shkruaj për sukseset e Trepçës. Nuk do të shkruaj as për krenarinë dhe qëndrimin dinjitoz që gjithmonë e kishin minatorët e Trepçës. Nuk do të shkruaj për të kaluarën e lavdishme dhe historinë shembullore të Trepçës dhe minatorëve të saj. Do ta kujtojmë me krenari të kaluarën dhe do të mburremi gjithmonë me të. E kaluara e Trepçës dhe e minatorëve mbetet e pastër dhe e pakontestueshme.
Në këtë përvjetor urimet dhe dëshirat do t’i adresojë për të tashmen dhe të ardhmen. Do të shkruaj për gjendjen aktuale të Trepçës dhe minatorëve. Do të flas për vizionin, rimëkëmbjen dhe fuqizimin e këtij gjiganti ekomomik. Do të flas për nevojat dhe ambiciet për një të ardhme më të begatë dhe më rentabile për krenarinë tonë kombëtare.
Sot më shumë se kurrë institucionet e vendit duhet të lëvizin në avancimin e pozitës juridike, ekonomike dhe politike të ndërmarrjes Trepça. Kosova është vonuar në zgjidhen e statusit të Trepçës në veçanti dhe në zhvillimin e sektorit minerar në përgjithësi. Madje nuk ka as plane, projekte dhe iniciativa konkrete për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Koha po ecën me dinamikën dhe zhvillimet e saj, e së bashku me rrjedhën e kohës një pjesë e teknologjive dhe aseteve të Trepçës po amortizohen dhe po dalin jashtë funksionit prodhues. Konkurrenca rajonale e tregut po rritet dhe po zhvillohet ndërsa Trepça po vendnumëron. Edhe pse kërkesa aktuale për metale ne treg është e mire, prodhimi në Trepçë është minimal.
Ajo çka i u duhet fillimisht Trepçës, është një reformë e thellë që do të përfshinte aspektet, menaxheriale, mjedisore, sociale, ekonomike e teknologjike. Një reformë që do të duhej të përfshinte edhe aspektet juridike, qofshin ato ligjore apo statusore. Kosovës i duhet, Trepça si një ndërmarrje e Re, e riorganizuar, e ristrukturuar dhe denjë për tregun i lirë dhe për konkurrencën rajonale në këtë sektor. Kosovës i duhet Trepça, jo si një ndërmarrje mitizuse por si një ndërmarrje likuide, rentabile dhe e gatshme për investime, ndryshime dhe zgjerim të kapaciteteve dhe linjave prodhuese. Një ndërmarrje që ndihmon zhvillimin e vendit. Një Trepçë me tw cilën do të krenohej vendi për 365 ditë të vitit e jo vetëm një javë gjatë muajit shkurt.
Ngritja e Trepçës në këto nivele do të ishte dhurata dhe urimi më i mirë për minatorët dhe lavdin e tyre. Jam i bindur që minatorët e presin këtë dhe e meritojnë të kenë një mundësi të tillë. Fatkeqësisht këtë nuk kemi arritur ta bëjmë deri me tani dhe nuk jemi në rrugën e duhur për ta bërë ende.
Andaj, mënyra më e mirë për të ruajtur dhe nderuar të kaluarën e Trepçës është angazhimi i tanishëm për rimëkëmbjen dhe rivitalizimin e saj, dhe ndërtimi i një vizioni të qartë për të ardhmen e saj.
Prishtinë, 21.02.2018