Kërkesa që kanë publikuar sot kryesuesja e BE-së, zonja Mogherini dhe kancelaria gjermane Merkel, për t’i dhënë fund masakrës mbi popullatën civile në Siri, e cila ka filluar një javë më parë, në radhë të parë lë mesazhin cinik që lë të kuptohet se tashmë është bërë mjaft, andaj duhet të marrë fund masakra, sepse janë vrarë dhe kanë mbetur nën rrënoja qindra sirianë, në mesin e tyre edhe 100 e më shumë fëmijë. Megjithatë këto dy zonja, edhe pse me një javë vonesë, i kanë kërkuar Assadit të mjaftohet me krimet, edhe pse ai qe pesë vjet nuk po mjaftohet me to, ndërsa kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi nuk merret me ato lajme, ai ndanë dekorata, vetëm pasi sigurohet paraprakisht se i dekoruari, nuk do ta refuzojë atë. Mori një mësim të mirë nga injorimet që i bënë madje edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe tani ndjehet vigjilent…
Politikanët në Kosovë heshtin, sepse…
Askush në Kosovë, asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë kryetar partie nuk merr guxim të shprehet kundër dhunës dhe terrorit fashist, që po kryen regjimi alavit i Assadit, kundër popullatës civile në Siri, sepse këta i kanë dënuar me burg shqiptarët, që kanë luftuar pikërisht kundër këtij regjimi kriminal, i cili deri tani ka vrarë hiq më pak se 500 mijë sirianë dhe ka dëbuar nga vendi 10 milionë të tjerë. Madje lajmet për dhunën fashiste, në Siri, me përjashtime të rralla nuk i gjen as në mediet e Kosovës, por as të Shqipërisë.
Kundër kësaj dhune nuk e ngrehë zërin as Bashkësia Islame e Kosovës, jo sepse nuk ndien dhembje e pikëllim për myslimanët e mjerë, por në një rast të tillë, ajo përnjëherë etiketohet si përkrahëse e luftës në Siri kundër Assadit. Natyrisht se nuk është në natyrën e Kishës Katolike të Kosovës që ta ngrehë zërin kundër masakrave që bëhen në një vend mysliman, derisa BIK-u bën gjumin e frikës nga demonizimi. Kisha Ortodokse në Rusi e në Serbi i ka bekuar mercenarët dhe regjimin e Kremlinit, të cilët po marrin pjesë në një kryqëzatë të re për shfarosjen sa më shumë të myslimanëve, sidomos tani kur ata po shfarosen edhe ndër veti.
Dhembje nuk ndjenjë, turp nuk kanë që t u skuqen faqet, por e kanë atë fjalën e moçme që i përmbahen për mrekulli: “Gjarpri që nuk më helmon mua rroftë 100 vjet”.
Natyrisht se Assadi është larg nga ne, por Vuçiqi e Daçiqi nuk janë edhe aq larg sa për të mos na përkujtuar: Reçakun, Mejen, Izbicën Therandën, Burimin, Celinën e qindra masakra të tjera po aq mizore sa këto në Siri, këtu të kryera nga regjimi fashist serb, atje nga regjimi fashist i Assadit…