Publikut dhe popullit tonë, çdo ditë i bënë presion korrupsioni dhe krimi i organizuar, padrejtësia, servilizmi dhe despotizmi tradhtarë. Gjendja e rëndë sociale dhe varfëria, po kështu rëndon mbi ne. Statistikat flasin se populli më i varfër në truallin europian është Kosova, e cila prapa ka vetëm Moldavinë. Kur mungon veprimi i madh shoqëror, për drejtësi e sundim ligji, për zhvillim e dinjitet njerëzor, për dinjitet social dhe kundër hajnisë së madhe me siguri se do të kemi kundërshtime të individëve. Këto kundërshtime kurrë, në asnjë kohë nuk u ndalën, e në rrethanat, çfarë jemi dhe si po ecim, as që do të ndalen.
Sot, pikërisht në ditëlindjen e Adem Demaçit, kolosit të pa epur për të drejta të njeriut dhe liri kombëtare, Mendelës së Evropës, dhe Njeriut të Vlerave Universale të Lirive Njerëzore, kemi edhe ditëlindjen e Astritit Deharit, i cili vdiq në burgun e Prizrenit, më shumë se dy vjet më parë Sot po kështu kemi lirimin nga paraburgimi të katër aktivistët të Vetëvendosjes, që po mbahen më tepër se një vit në paraburgim, për tu mbrojtur në liri. Mbase, shkurti shënon edhe rënie të shumta, dëshmorësh e heronjsh, për liri e pavarësi, të viteve të luftës së 1998/1999.
Sot vargu i dëshmorëve përsëri, po vjen si rezultat i mungesës së drejtësisë, cungimit të pavarësisë dhe shtypjes e tiranisë. Mjerisht, presionin e madh që po e bënë injoranca ndër ne, strukja dhe nënshtrimi i masave ndaj matrapazëve “politik”, dhe mosreagimit shoqëror-politik, ndaj problemeve të mëdha sociale, për rezultat, përsëri do të ketë dëshmorë e heronj të ditëve tona. Urimi i këtyre ditëlindjeve, të heronjve e dëshmorëve të mëdhenj, të gjallëve dhe atyre në amshim e ka kuptimin më domethënës, dhe mbjell shpresë dhe lumturi ndër ne, vetëm atëherë kur, nuk do të ekzistonin arsyet e rënieve te këtilla individuale, por despotizmi, servilizmi e tirania mbi shoqërinë tonë do të kujtohen, vetëm si re të zeza të kaluarës, mbi shoqërinë dhe kombin tonë. Urojmë të mos e harrojmë të kaluarën tone të rëndë. Të punojmë që të mos kemi tragjedi të përsëritura mbi truallin tonë!