Dilaver Goxhaj

Dilaver Goxhaj: Tertipe për Shqipërinë

Jo më kot thonë se historia përsëritet. Ngjarjet e ditëve të fundit në Kosovë për çështjen e kufirit me Malin e Zi nuk janë aspak më shumë se ngjarjet e vitit 1913, kur luftohej për mbrojtjen e kufijve nga Qeveria e Vlorës dhe kur Evropa u fali fqinjëve tanë territoret tona. Dhe në periudhën që luftohej paralel, si për mbrojtjen e Shkodrës edhe të Janinës, rapsodi popullor lab nxori  këngën, e cila këndohet edhe sot në Labëri, të cilën e kemi marrë të plotë nga  libri “Këngë popullore të Labërisë”, Instituti i Folklorit, Tiranë, 1991, vëllimi 8, f.900-901.

Tiranë, 27 shkurt 2018

 

 

 

TERTIPE PËR SHQIPËRINË

 

 

Çikëre1) haberet vijnë,

Prizren, Shkodër e Janinë:

Tertipe2) për Shqipërinë!

Vlladika me Jorgj lubinë3)

çetnikë e andartë4) i nisnë

të marrën Shkodr’ e Janinë.

dhe, sa të arrijnë Shkumbinë,

Shqipërinë ta përpijnë!

Si dy ujq lopën në brinjë5),

Tok6) ta ndajnë në dy copa,

Siç na dashkërka Evropa!

Thonë “kudo kemi krah

Gjithë kralet e mëdha”.

Thonë “s’ka dreq që na mba

dhe jo një grusht shqiptarë,

pa topa, pa gjeneralë,

me dyfeqe me strallë,

që s’dihet nga kanë ardhë!…”

 

 

 

O burra, o shqipëtarë,

E di gjithë bota mbarë:

që kur leu diell e hënë,

Ne jemi në vëndin tënë,

Më të vjetrit në Evropë,

Dhe më të besës në botë!

Gjë të huaj s’lakmojmë,

Po dhe tënën7) s’e lëshojmë,

Kë do ndihmë, e ndihmojmë,

vdesim, po pa nder nuk rrojmë.

Miqtë sot na u bënë hasmë.

Mbi ta, burra shqipëtarë,

të ligjve t’u bëjmë varrë!,

 

 

 

1 Çikëre= një nga një

2 Tertipe = marifete

3 Knjazi i Malit të Zi dhe mbreti Jorgo i Greqisë

4 Andartë = “kompanitë e shenjta” me ushtarë grekë

5 Brinjë = faqe e thepisur e një mali

6 Tok = së bashku

7 Tënën = tonën

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …