leoni

Opozita mban tubim mobilizues

Tri partitë opozitare, Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Nisma për Kosovën, sot do të mbajnë tubimin mobilizues të radhës. Ky takim do të mbahet në Sallën e Kuqe në Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00. Opozita nuk ka dhënë hollësi se cilat janë arsyet e këtij takimi. Përfaqësuesit opozitarë kanë paralajmëruar protestë, por data e mbajtjes së saj nuk është caktuar ende.


18. 1. 2016  ora 6 dhe 8.00 


 


(Dy lajmet e para ne 21.oo)


 


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka organizuar Kuvendin Zgjedhor të degës në Besianë. Kryetar i  kësaj dege u zgjodh, veprimtari i mirënjohur dhe ish-eprori i UÇK-së në Zonën Operative të LLapit,  Fatmir Humolli.  Edhe pse ka pasur lëvizje të anëtarësisë nga AAK-ja në disa parti të tjera, burimet brenda degës  bëjnë të ditur tani ajo po rritet me shpejtësi.


 


Kuvendi i Kosovës pritet të fillojë  sesionin e ri parlamentar, edhe pse nuk dihet se si do të zhvillohet situata edhe më e rënduar mes deputetëve të pozitës dhe të opozitës. Pavarësisht pushimit prej disa javësh, grupet parlamentare nuk kanë ndryshuar qëndrimet politike dhe, ndërkohë që shumica parlamentare shpreson në një sesion më të qetë parlamentar, deputetët e opozitës konfirmojnë bllokimin që do t’u bëjnë seancave plenare. Nisjen e punës së Kuvendit e ka konfirmuar këtë javë edhe kryeparlamentari, Kadri Veseli, gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie.


 


Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë se sesioni i ri i punës së Kuvendit do të nisë ditët në vijim, ndërsa shtoi se janë në pritje të marrjes së ftesës për mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë, për të caktuar mbajtjen e seancës së parë plenare për vitin 2016. Por shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi është shprehur e vendosur, që opozita të vazhdojë bllokimin e Kuvendit, ndërsa tani do të kërkojë edhe largimin e qeverisë, që – siç tha ajo, – ka shkelur Kushtetutën dhe nuk mund të qëndrojë me dhunë në pushtet. Edhe pse në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit, tanimë janë publikuar oraret e mbledhjeve të komisioneve parlamentare për javën e ardhshme, deputetja Kadaj-Bujupi tha se, opozita do t’i bojkotojë ato.


 


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se nuk ka ardhur në pushtet për të vjedhur e për të rrënuar dhe nuk ka mendjen të japë dorëheqje duke u dorëzuar para atyre që dalin në rrugë. Ai ka thënë me këtë rast  se kabineti i tij është   të vendosur të punojë dhe të pranojë vërejtjet e qytetarëve. Mustafa përmendi edhe Asociacionin e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, ku tha se nuk mund të jenë arsye që të ushtrohet dhunë mbi institucionet e Kosovës. Për demarkacionin tha se nëse ka pas ndonjë gabim ai do të korrigjimet, por nga ekspertet dhe jo nga rruga.


 


Ministria e infrastrukturës e Kosovës, ka bërë të ditur për mediet  se të gjitha rrugët në vendin tonë janë të kalueshme. Rexhë Osmanaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Departamentit për menaxhimin e rrugëve, tha se vështirësi në qarkullim ka në viset malore. “Rrugët kryesore nuk janë të mbuluara me borë. Në bazë të informatave që i kemi nga menaxherët rajonalë e që janë në terren, me përjashtim të rrugëve malore ku ka më shumë të reshura dhe qarkullimi është më i vështirësuar, rrugët e tjera janë të kalueshme”, tha Osmanaj.


 


Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka mbajtur një fjalë rasti para ministrave dhe pjesëmarrësve të tjerë në Samitin e Ministrave të Bujqësisë, që po mbahet në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, në Berlin të Gjermanisë. Në fjalën e tij në forum, që kishte për temë  ‘Si të ushqejmë qytetet?’, ministri Krasniqi tha se Kosova po bën përpjekje që të ruajë tokën bujqësore dhe të ndalë urbanizimin e egër edhe në zona të mira për kultivimin e prodhimeve të ndryshme bujqësore. Ai shtoi se ka një trend të rritjes së interesimit për t’u marrë me bujqësi dhe bashkë me këtë ai tha se po rriten edhe investimet nga qeveria, partnerët tjerë dhe vet sektori privat.  


 


Agjencia DPA nga Nju Jorku, bën të ditur se Kroacia zyrtarisht e ka nominuar ministren e jashtme, Vesna Pushiq, për postin e sekretares së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke u bërë shteti i parë qe e ka paraqitur një femër për këtë post, i cili gjithnjë ishte mbajtur nga meshkujt. Në letrën dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u ishte shpërndarë vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, e ka nominuar zonjën Pushiq, e cila është edhe zëvendëskryeministre e parë e Kroacisë. “Zonja Pushiq e ka një karrierë të shquar kombëtare dhe ndërkombëtare, si politikane dhe anëtare e akademisë, që e bënë atë plotësisht të përgatitur për kryerjen e këtij posti të udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale”, ka shkruar kryeministri Milanoviq.


 


Kancelari i Austrisë, Werner Fajman ka bërë të ditur se Vjena zyrtare ka anuluar për një kohë rregullat e Shengenit për lëvizjen e lirë të qytetarëve.  Bashkë me pezullimin e Schengenit, Fajmann ka njoftuar se kontrollet e personave që do të hyjnë në austri do të vazhdojnë të jenë edhe më të  përforcuara. Pezullimi i Schengenit, veprim që pas Austrisë mund të ndiqet nga vende të tjera perëndimore, ishte i pritshëm për shkak të fluskit të emigrantëve nga vendet arabe dhe Afrika drejt vendeve të Europës. Krahas emigrantëve, një tjetër rrezik përbën edhe terrorizmi. Sipas autoriteteve evropiane, Schengeni u ka mundësuar militantëve të lëvizin të lirë në kontinentin e vjetër e të organizojnë atentate, si ai i 13 nëntorit në Francë. Për t’u bërë ballë këtyre sfidave, edhe Italia është shprehur e gatshme të rivendosë kontrollet, ndërkohë që Suedia dhe Danimarka i kanë vendosur tashmë masat shtrënguese.


 


Sot në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, Avdi Kelmendi mbahet Akademi në nderim të jetës dhe veprës së tij.  Akademia përkujtimore mbahet, në orën 12,00 në  Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë. Me këtë rast shfaqet edhe një film dokumentar tematik kushtuar jetës dhe veprës atdhetare të Avdi Kelmendit.


 


 

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …