leoni

Historiani, Kristo Frashëri rrëzoi me argumente të gjitha hipotezat sharlatane të sllavistit Schmidt lidhur me Skënderbeun I

Historiani, Kristo Frashëri rrëzoi me argumente të gjitha hipotezat sharlatane të sllavistit Schmidt lidhur me Skënderbeun II

Historiani zviceran. O. Schmit do të kishte të drejtë ta akuzonte E. Hoxhën si manipulator të figurës së Skënderbeut për interesat e veta dhe Aleks Budën, siç e quan ai, “mendimtarin paraprijës të tablosë historike nacional-staliniste”, në rast se figura e Heroit kombëtar nuk do të kishte qenë vlerësuar nga historiografia e mëparshme shqiptare dhe nga historiografia skënderbegiane botërore. Motivet thjesht patriotike që e shtynë regjimin komunist ta vlerësojë epopenë heroike të shek. XV dhe udhëheqësin e saj, Skënderbeun, nuk është nevoja të përsëriten. Me këtë rast duhet thënë me keqardhje se manipulator i figurës së Skënderbeut nuk është as E. Hoxha, as A. Buda, as historianët e tjerë shqiptarë, por historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, i cili po e politizon historinë në mënyrë të shëmtuar.

Enver Hoxha dhe Aleks Buda, që të dy – po e themi pa frikë, edhe pse e dimë se mund të keqkuptohemi – ishin pinjollë familjesh rilindëse. Hysen Hoxha, babai shpirtëror i Enver Hoxhës, mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë kombëtare në Vlorë, më 28 Nëntor 1912. Po ashtu edhe Taq Buda, i jati i Aleksit, ishte një nga farkëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë. Si të tillë, që të dy ishin edukuar në familje dhe në shkollë me adhurimin për Skënderbeun. Për më tepër, para vendosjes së regjimit komunist askush nuk kishte guxuar ta shpërfytyronte figurën e Skënderbeut, siç po përpiqet tani ta shpërfytyrojë Oliver Jens Schmitt. Fragmenti nga shkrimi i prof. Aleks Budës me titull “Fan Noli dhe Skënderbeu”, që sjell O. Schmitt, nuk tregon vartësinë e tij ideologjike nga E. Hoxha. Përkundrazi, shkrimi i tij tregon konsideratën që kishte kryetari i ardhshëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për Fan Nolin, për atë peshkop që nuk ishte komunist-stalinist, por simpatizant i demokracisë amerikane vilsoniane dhe ruzveltiane – demokraci të cilën E. Hoxha e kishte halë në sy.

Historiani zviceran do të kishte gjithashtu të drejtë ta akuzonte të ashtuquajturin “mit” të Skënderbeut si krijesë të regjimit komunist në rast se qarqet antikomuniste shqiptare dhe ndërkombëtare të viteve të regjimit komunist do të kishin mbajtur një qëndrim të ndryshëm ndaj figurës së Skënderbeut. Por, si për inat të O. J. Schmitt-it, të gjithë historianët kundërshtarë të rreptë të regjimit komunist, qofshin shqiptarë, qofshin të huaj, e përkujtuan me përkushtim më 1968 Skënderbeun si Hero kombëtar të shqiptarëve, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes, njësoj siç e përkujtuan edhe historianët që jetonin në Shqipërinë komuniste. Doni shembuj?

Merrni “Aktet e Konferencës II Albanologjike” në dy vëllime, e cila u mbajt në Tiranë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në janar të vitit 1968. Aty do të shihni se Skënderbeun e trajtuan si hero jo vetëm historianët shqiptarë, por edhe disa historianë të huaj nga Evropa perëndimore, si: F. Thiriet, A. Ducellier, K. Treimer, J. Irmcher, T. Johallas etj., të cilët nuk mund të akuzohen si komunistë. Nëse dëshironi, shihni edhe aktet e simpoziumit që u mbajt në Prishtinë, në maj të vitit 1968, gjithashtu me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut, ku përveç historianëve shqiptarë mbajtën kumtesa për Heroin kombëtar të shqiptarëve edhe disa historianë të Evropës perëndimore, si: H. Sauer-Nordendorf, R. Schëanke, K. Treimer, madje dhe historianë jugosllavë, si: S. Cirkoviq, N. Filipoviq, A. Hanxhiq, H. Haxhibegiq, R. Mihaljiq, O. Jasar etj., të cilët ndryshe nga historianët e dikurshëm nacionalistë serbë, e vlerësuan Skënderbeun për kontributin e madh që dha për lirinë e popullit të vet. Do të përmendim këtu “Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare”, që u mbajt në Palermo më 1968, ku morën pjesë historianë shqiptarë dhe të huaj, me siguri antikomunistë si P. Bartl (Munchen, Gjermani Perëndimore), Stavro Skëndi (shqiptar i mërguar në Sh.B.A), V. Malaj (famullitar katolik në Tivar) dhe misionarë të Vatikanit si B. Pandzic, P. Ignazio Parrino etj.

Po atë vit, edhe emigracioni politik shqiptar i përbërë kryesisht nga kundërshtarë të rreptë të regjimit komunist, si Hasan Dosti, Ernest Koliqi, Rexhep Krasniqi, Dhimitër Berati, Martin Camaj etj., e përkujtuan Skënderbeun në një seminar madhështor të organizuar në New York, në të cilin e vlerësuan Gjergj Kastriotin si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare, si farkëtar i kombit shqiptar dhe si mbrojtës i qytetërimit evropian, pak a shumë në po atë masë dhe në po ato terma që përdorën historianët shqiptarë në atdheun e tyre komunist.

Le ta mbyllim këtë parashtresë rreth faktologjisë historike mbi të cilën është mbështetur historiani zviceran me konsideratën thellësisht të padrejtë që ai ka për Kristo Frashërin, i cili shfrytëzon afërsisht po atë bibliografi, si autor i monografisë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, botuar në Tiranë më 2002. Sikurse e tregon data, monografia është botuar 12 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist, pra pasi kishte marrë fund presioni politik i shtetit partiak. Si rrjedhim, këtë punim Kr. Frashëri e ka shkruar sipas bindjeve të veta shkencore. Dihet se në regjimin demokratik të gjitha bindjet shkencore kanë, pa përjashtim, të drejtën e qytetarisë. Aq më tepër, këtë të drejtë e ka historiani Kristo Frashëri, i cili në punimin e vet është mbështetur kryekëput mbi dokumentacionin historik, kancelaresk, kronikal, epistolar dhe tregimtar, shqiptar dhe të huaj, lindore dhe perëndimore, pa përjashtim të shek. XV. Vetëm në ato raste të pakta kur për çështje të dorës së dytë nuk ndeshi në burime dokumentare, ai trokiti në dyert e Marin  Barletit dhe Marin Beçikemit, kurdoherë në atë masë sa njoftimet e vjelura prej tyre të mos binin ndesh me logjikën historike.

Historiani zviceran vetëm sa e ka përmendur në Pasqyrën e Bibliografisë këtë trajtesë, e vetmja trajtesë e plotë mbi veprën dhe jetën e Skënderbeut botuar në Shqipëri, para, gjatë dhe pas regjimit komunist. Është e drejta e historianit zviceran që të mos e përfillë përmbajtjen e saj. Megjithatë, është e pandershme që të shfrytëzojë të dhënat e kësaj trajtese pa e cituar dhe ca më keq të deformojë ndonjërën prej tyre. Kështu p.sh., ai pasi sulmon prof. Aleks Budën, shkruan: “Sidoqoftë, ashtu si dhe biografi i dytë, Kristo Frashëri, një nga përfaqësuesit kryesorë të historiografisë komuniste, ai nuk është në gjendje ta lërë kuadrin nacional historik e bashkë me të interpretimin etno-kombëtar”.

Lexuesi shqiptar, i cili nuk është mësuar të ushqehet me lugë bosh, kërkon të dijë se në cilën çështje që Kr. Frashëri ka trajtuar në historinë e Skënderbeut nuk është shkëputur dot, sikurse e stigmatizon O. J. Schmitt-i, nga kuadri nacional historik i regjimit komunist. Çfarë pret O. J. Schmitt-i nga Kristo Frashëri kur shkruan se ai ende nuk është shkëputur nga interpretimi etno-kulturor? Mos pret vallë që ai të hedhë baltë mbi kombin e vet? Ka edhe më. Kur flet për vlerën e biografëve të hershëm të Skënderbeut, Barletit dhe Beçikemit, ai shkruan:

“Në anën tjetër qëndrojnë kryesisht historianë shqiptarë, duke filluar me Fan Nolin e deri te Kristo Frashëri, të cilët u falën këtyre biografëve besim të plotë, edhe pse Kr. Frashëri në hyrjen e tij pohon disa rezerva, të cilat më pas në paraqitjen që bën nuk i merr më parasysh”.

Edhe në këtë rast, historiani zviceran, si zakonisht, ia fut kot. As Fan Noli, as Kristo Frashëri nuk e kanë ndërtuar historinë e Skënderbeut mbi Barletin dhe Biemmin. Natyrisht që historianët shqiptarë nuk janë dakord me Franc Babingerin, i cili është një përçmues i Skënderbeut dhe për këtë arsye e quan Barletin “përralltar”, kurse Biemmin “falsifikator”. Nëse historiani zviceran nuk e ka lexuar Biemmin dhe, ca më keq, nëse e ka lexuar, duket se nuk e ka kuptuar se Kr. Frashëri pohon se prifti breshian e ka ndërtuar historinë e tij mbi Skënderbeun në dy fonde burimore të veçuara – në historinë e Anonimit Tivaras dhe në burime historike të padyshimta. Ndryshe nga F. Noli, i cili në kundërshtim me pohimet e dy historianëve gjermanë (K. Ohly dhe F. Babinger), vazhdon t’i marrë në konsideratë njoftimet e Anonimit Tivaras dhe ndryshe nga A. Buda, i cili nuk e përfill fare F. Biemmin – Kristo Frashëri e ka pranuar verdiktin e dy historianëve gjermanë mbi Biemmin si falsifikator vetëm kur mbështetet te Anonimi Tivaras, por vazhdon ta marrë në konsideratë G. Biemmin për atë pjesë ku ai mbështetet në burime historike që nuk kanë të bëjnë me Anonimin Tivaras. Si rrjedhim, historiani zviceran duhet të heq dorë nga abuzimet që nuk e nderojnë.

Në punimin e vet mbi Skënderbeun, historiani zviceran Oliver Jens Schmitt ka përdorur në shumë raste onomastikën sllave. Në pajtim me këtë prirje, të jatin e Skënderbeut nuk e quan Gjon, por Ivan Kastrioti. Trajta sllave “Ivan” me të cilën ai quan të jatin e Skënderbeut, ka shkaktuar me të drejtë një përshtypje të hidhur në opinionin shqiptar në përgjithësi. Arsyeja nuk është vetëm fakti se opinioni shqiptar është mësuar deri tani ta quajë të jatin e Heroit me emrin shqiptar Gjon Kastrioti, por edhe te ngarkesa e heshtur etnike që nënkupton përdorimi i pasaktë dhe i panevojshëm për shqiptarët i një trajte sllave që ata s’e kanë dëgjuar asnjëherë.

Dimë se prapa emrave të përveçëm në trajta të huaja që kanë përdorur shqiptarët, ka në të kaluarën historianë që janë përpjekur të shohin pa të drejtë kombësinë e huaj. Kështu për shembull, nacionalistët serbë kanë ngulur këmbë në të kaluarën për origjinën sllave të Skënderbeut duke shfrytëzuar trajtën që ndeshet në disa akte sllave Jovan për të jatin, Vojsava për të ëmën, madje dhe trajtën serbe Gjuragj për vetë Gjergj Kastriotin. Me sa dimë ne, edhe serbët e ditëve tona (p.sh. Jovan Radoviqi) e kanë hedhur poshtë këtë tezë.

Për hir të madhështisë që Skënderbeu fitoi në historinë evropiane, nuk janë vetëm serbët, por edhe grekët që u përpoqën t’i atribuonin Skënderbeut origjinë jo shqiptare, në fakt helene. Ndërsa, serbët u kapën pas emrit Jovan të të jatit të Skënderbeut që ndeshet në aktet serbe dhe pas emrit Stanish që mbante vëllai i tij i madh – nacionalistët grekë u kapën pas mbiemrit Kastriot, të cilin e lexuan Kastriotis, që do të thotë në greqisht banor i Kalasë. Madje, historiani grek i shekullit XIX, M. Dimitzas dhe të tjerë pas tij, për ta helenizuar njëqind për qind Skënderbeun e modifikuan mbiemrin Kastriot në Kastriotis, kurse emrin nga Gjergj në Jorgo.

Historiani zviceran besoj se e di, por nëse nuk e di do t’ia kujtojmë prirjen proverbiale të nacionalistëve serbë të cilët i sllavizonin apo i serbizonin jo vetëm emrat e viseve të sunduara prej tyre, por edhe emrat e qyteteve joserbe që lakmonin një ditë t’i pushtonin, për të argumentuar aneksimin e tyre. Dihet për shembull, se serbëve mesjetarë nuk ua zinte goja ta quanin Venedikun – Venediko, por Mletaq, Raguzën – Dubrovnik, Selanikun – Solun, Stambollin – Carigrad, Durrësin – Draq, Shkodrën – Skadar, Beratin – Beligrad, madje për të mos u zgjatur, edhe Vjenën ku zoti Schmitt jep mësime, e quajtën Beç.

Ndonëse edhe ai vetë nuk e beson tezën e përmbajtjes etnike të onomastikës, tërthorazi e mbron origjinën sllave të Skënderbeut. Pyetja shtrohet: a është i vërtetë pohimi që ka bërë historiani zviceran se në burimet historike babai i Skënderbeut shfaqet me emrin Ivan dhe se edhe vetë shqiptarët e kohës së tij e paskan quajtur Ivan Kastrioti, kurse forma Gjon nuk ndeshet, sipas tij, në burimet historike? (Gazeta Shqiptare, 21 dhjetor 2008). /Milosao/

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …